Maksuti do të jetë edhe 30 ditë në paraburgim në lidhje me tragjedinë në Koçan
Bekim Maksuti, ish-drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim do të jetë edhe 30 ditë në paraburgim si i dyshuar për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan, transmeton Portalb.mk.
Me vendim të Gjykatës Penale në Koçan, Maksuti gjendet në paraburgim tash e dy muaj, njëjtë si drejtori aktual i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Xhevat Selami.
Në muajin mars, në pyetjen se pse është i arrestuar ish drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bekim Maksuti, ministri Pançe Toshkovski kishte deklaruar:
“Ka dyshime të bazuar për paligjshmëri gjatë punës së një pjese të drejtorëve, të cilët, kanë pasur kompetenca ligjore, të ndërmarrin veprime të caktuara, për konstatim të gjendjes faktike lidhur me rrezikun nga zjarret”, tha ai.
Ndryshe, në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.
Katër pacientë të tjerë që u lënduan në zjarrin e Koçanit më 16 maj u kthyen nga jashtë vendit dhe do të mbahen nën vëzhgim në Klinikën për Kirurgji Plastike dhe Klinikën për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohrit”. Në qendrat mjekësore të huaja për trajtim kanë ngelur edhe 11 pacientë të tjerë të lënduar në zjarrin e Koçanit.
- LEXO: 11 pacientë ende jashtë vendit, të gjithë ata që ishin të pranishëm kur ndodhi zjarri duhet të paraqiten për vlerësim në Spitalin e Koçanit
- LEXO: Katër pacientë nga zjarri në Koçani kthehen në vend, 11 pacientë të tjerë mbeten në qendrat e huaja mjekësore
- LEXO: Tragjedi në Koçan: 62 të vdekur dhe mbi 150 të lënduar nga zjarri në një diskotekë, viktimat janë të rinj