11 pacientë ende jashtë vendit, të gjithë ata që ishin të pranishëm kur ndodhi zjarri duhet të paraqiten për vlerësim në Spitalin e Koçanit

Edhe 11 pacientë të tjerë të lënduar në zjarrin në kabarenë e ashtuquajtur “Puls” në Koçan mbeten në trajtim jashtë vendit, informoi zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski, transmeton Portalb.mk.

Nga numri i përgjithshëm i pacientëve që po trajtohen jashtë vendit, tre janë të shtruar në spital në Greqi dhe katër në Serbi – të gjithë në gjendje të mirë dhe të qëndrueshme. Një pacient po trajtohet në Austri, i cili është në gjendje të qëndrueshme. Tre pacientë janë në Turqi dhe marrin trajtimin adekuat.

Zëvendësministri i Shëndetësisë informoi se gjatë kësaj periudhe, një ekip ekspertësh nga Mbretëria e Bashkuar ka kryer trajnim intensiv për 45 punonjës shëndetësorë mbi rehabilitimin fizik dhe psikologjik të pacientëve të lënduar në zjarrin në Koçan.

“Trajnimet u zhvilluan në pesë institucione shëndetësore publike, në Klinikën për Kirurgji Plastike, Mjekësi Fizike në SPQ ‘8 Shtatori’ dhe në spitalet në Shtip dhe Koçan. Me rekomandimin e ekspertëve anglezë, rehabilitimi do të jetë në Koçan në mënyrë që të lënduarit të jenë më afër shtëpive të tyre”, informoi Andovski.

Të premten dhe gjatë fundjavës, katër pacientë që po trajtoheshin në Sofje dhe Beograd u kthyen në vend.

Zëvendësministri i Shëndetësisë Jovica Andovski gjithashtu tha se të gjithë ata që u lënduan në Koçan dhe që kanë marrë trajtim jashtë vendit, në spitalet e vendit dhe në shtëpi, duhet të paraqiten për një vlerësim shëndetësor në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit duke filluar nga nesër në 4 ditët e ardhshme.

“Në 4 ditët e ardhshme, një ekip specialistësh nga KARKI, Spitali i Përgjithshëm i Qytetit (SPQ) ‘8 Shtatori’, Klinika për Sëmundje Kirurgjikale ‘Shën Naum Ohrit’ dhe Klinikat për Kirurgji Plastike dhe Toksikologji do të kryejnë vlerësim të pacientëve. U bëjmë thirrje të gjithëve të vijnë. Edhe ata që nuk u lënduan dhe nuk u shtruan në spital, të gjithë duhet të vijnë në Spitalin e Përgjithshëm të Koçanit”, tha drejtori i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH)”, Sasho Klekovski.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prillmë 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.