Edhe pse Dimitrievski gjatë fushatës zgjedhore u lavdërua për pastrim, lumi i Kumanovës po mbytet në mbeturina (VIDEO)

Lumi i Kumanovës po mbytet në mbeturina, ndërsa hapësira që mund të shërbente për shëtitje dhe rekreacion është kthyer në një zonë të ndotur. Mungesës së mirëmbajtjes së rregullt nga institucionet i shtohet edhe papërgjegjësia e qytetarëve që hedhin mbeturina në të. Banorët kërkojnë më shumë kujdes, ndërsa Komuna e Kumanovës deri në publikimin e këtij teksti nuk dha përgjigje për planin e pastrimit të shtratit të lumit dhe shpeshtësinë e ndërhyrjeve, shkruan Portalb.mk.

Pamjet nga kjo pjesë e qytetit tregojnë mbeturina të grumbulluara në shtratin e lumit. Pamjet e këqia nga ndotja dhe dëshmojnë mungesën e kujdesit ndaj mjedisit. Në vend që lumi dhe hapësira përreth të shfrytëzohen për shëtitje e rekreacion, ndotja dëmton pamjen e qytetit dhe mundësinë për ta shfrytëzuar këtë hapësirë.

Qytetarët e Kumanovës shprehen të shqetësuar për gjendjen e lumit, duke kërkuar mirëmbajtje të rregullt nga institucionet, por edhe më shumë përgjegjësi nga vetë banorët.

Bunjamin Osmani nga Kumanova tha se Komuna duhet ta shfrytëzojë potencialin e kësaj hapësire për të ndërtuar një shëtitore, ku banorët mund të kalojnë pasditet apo fundjavat me fëmijët e tyre.

“Është për të ardhur keq që lumi është në këtë gjendje. Në vend që të kemi një hapësirë të pastër ku mund të shëtisim dhe të kalojmë kohën e lirë, përballemi me mbeturina dhe pamje të pakëndshme. Komuna duhet të kujdeset më shumë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tij”, u shpreh Osmani.

Një tjetër qytetar theksoi se përgjegjësia nuk bie vetëm mbi institucionet, por edhe mbi ata që hedhin mbeturina në lumë.

“Institucionet duhet ta pastrojnë lumin rregullisht, por edhe qytetarët duhet të jenë më të ndërgjegjshëm. Nuk mund të kërkojmë një qytet të pastër nëse vetë e ndotim atë. Duhet të ketë më shumë kujdes dhe kontrolle për ata që hedhin mbeturina”, tha ai.

Gjendja e lumit ngre pikëpyetje për angazhimin e Komunës së Kumanovës dhe të Ndërmarrjes Publike “Pastrim dhe Gjelbërim” në pastrimin dhe mirëmbajtjen e hapësirave publike. Krahas ndërhyrjeve të rregullta, përmirësimi i gjendjes kërkon edhe masa për parandalimin e hedhjes së mbeturinave nga qytetarët.

Pastrimi dhe mirëmbajtja e vazhdueshme e lumit do të ndihmonin në përmirësimin e pamjes së qytetit dhe në krijimin e një mjedisi më të pastër e më të përshtatshëm për banorët.

Megjithatë, nga Komuna e Kumanovës, deri në publikimin e tekstit, nuk u përgjigjën se cili është plani për pastrimin e shtratit të lumit dhe sa herë pastrohet ai brenda vitit.

Kujtojmë se më 12 gusht të vitit të kaluar, në prag të zgjedhjeve lokale, kryetari i Komunës së Kumanovës, Maksim Dimitrievski, ishte lavdëruar në Facebook për pastrimin e shtratit të lumit.

“Komuna e Kumanovës aktualisht po pastron shtratin e lumit ‘Kumanovka’. Përmes këtij aksioni largojmë mbeturinat, bimësinë e egër dhe përmirësojmë rrjedhën e ujit, për një mjedis më të pastër dhe parandalimin e përmbytjeve. Ekipet e punës janë të angazhuara në terren, duke punuar me përkushtim për ta bërë qytetin më të sigurt dhe më të bukur për të gjithë ne. U bëjmë apel qytetarëve: të mbrojnë natyrën, të mos hedhin mbeturina në lumenj dhe të kontribuojnë në përgjegjësinë e përbashkët”, shkroi Dimitrievski.

Postimi i tij nxiti reagime të shumta nga qytetarët. Disa theksuan se pastrimi është detyrim i institucioneve, ndërsa të tjerë e lidhën angazhimin me afrimin e zgjedhjeve.

“Kjo duhet të jetë punë e zakonshme e institucioneve përgjegjëse, e jo për t’u lavdëruar në facebook”, kishte shkruar Aleksandra Popovska.

“Po afrohen zgjedhjet. Duhet ta tregoni veten”, kishte shkruar Laste Stamenkovski.

“Nuk ju kemi parë prej kur jeni ulur në funksion, tash para zgjedhjeve jeni bë engjuj”, kishte shkruar Mende Mateski.

Ndryshe, Maksim Dimitrievski është në mandatin e tretë në krye të Komunës së Kumanovës.