Lutkov: Salla universale ka nevojë për përforcim statik shtesë, punimet do nisin nga shtatori

Testimet e ministrisë së Kulturës kanë treguar se nevojitet përforcim statik shtesë i konstruksionit të Sallës Universale, që është djegur. Bazuar në provat e reja, janë bërë ndryshime dhe shtesa në projekt, i cili tani duhet të përfshijë edhe punime ndërtimore për forcimin e strukturës, transmeton Portalb.mk.   

“Sipas këtyre analizave, dokumentacioni i projektit është ndryshuar në formën e dokumentacionit të ri të projektit, pas së cilës një njoftim publik për përzgjedhjen e subjekteve për ekzekutimin dhe mbikëqyrjen profesionale të rindërtimit do të publikohet deri në fund të këtij muaji. Të gjitha pengesat dhe mangësitë e tjera administrative në procedura janë hequr dhe pres që rindërtimi të vazhdojë, gjë që do të jetë diku gjatë shtatorit të këtij viti”, njoftoi ministri i Kulturës, Zoran Lutkov. 

Salla Universale u përfshi nga flakët më 9 prill të vitit të kaluar, vetëm një muaj pasi rifilluan punimet për rindërtimin e saj. Ajo filloi të rinovohej drejt fundit të mandatit të ish-kryetarit të Qytetit të Shkupit Petre Shilegov në vitin 2021. Me ardhjen e Danella Arsovskës, si kryetare e kryeqytetit, puna u ndal dhe asgjë nuk u bë për dy vjet.