Pablo Hernandez: Partitë politike po sillen si internet-trolle dhe gjithnjë e më shumë po e përdorin inteligjencën artificiale për propagandë

Qytetarët spanjollë janë vetëm disa ditë larg zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që janë caktuar për ditën e diel më 29 nëntor. Ditën e zgjedhjeve vendi po e pret në atmosferë pasigurie politike, pakënaqësie sociale në rritje dhe krize të thelluar sa i përket çështjes së banimit. Në këto kushte të pakënaqësisë për shkak të rritjes së shpenzimeve të jetesës, kryeministri Pedro Sanchez i shpalli zgjedhjet pasi Qeveria e tij nuk arriti të sigurojë mbështetje parlamentare për masat e synuara për përballimin e krizës së banimit.

Krahas rivaliteteve politike dhe sfidave ekonomike, fushata parazgjedhore po zhvillohet edhe në frontin e dezinformatave. Lajmet e rreme, manipulimet dhe narrativat politike që përhapen në rrjetet sociale në këtë periudhë parazgjedhore ua vështirësojnë qytetarëve qasjen në informacione të sakta dhe të verifikuara.

Për atë se si ndikojnë dezinformatat në opinionin publik, cilat janë format më të shpeshta të manipulimit gjatë fushatës parazgjedhore dhe sa të përgatitur janë qytetarët për t’i dalluar ato Meta.mk bisedoi me Pablo Hernandez Eskajolan, koordinator për hulumtime akademike në “Маlditа“ (Maldita.es), organizatë spanjolle e përkushtuar ndaj verifikimit të fakteve, luftës kundër dezinformatave dhe avancimit të edukimit mediatik.

Ditën e diel qytetarët do t’i zgjedhin anëtarët e Kongresit të Deputetëve dhe të Senatit. Kryeministri Pedro Sanchez i shpalli zgjedhjet më 5 tetor, në kushte krize politike dhe protestash masive për shkak të krizës së banimit. Cilat janë narrativat kryesore dezinformative në prag të zgjedhjeve?

Në këto zgjedhje tema kryesore është mundësia për mashtrim zgjedhor, ndërsa me të lidhen disa narrativa. Dallimi kryesor në krahasim me zgjedhjet e mëparshme është ligji i njohur si “ligji për nipërit”, i cili u mundëson marrjen e shtetësisë spanjolle nipërve dhe mbesave të njerëzve që kanë qenë të detyruar të largohen nga Spanja gjatë diktaturës së Frankos. Gjatë përgatitjes së këtij ligji kriteret për aplikantët ishin mjaft të ulëta – nga ato nuk kërkoheshin dokumente konkrete me të cilat do të dëshmonin se gjyshërit e tyre ishin larguar nga Spanja. Prandaj kërkesa dorëzuan një numër i madh njerëzish, ndërsa nëse e marrin shtetësinë, ata munden edhe të votojnë. Gjykata Supreme vendosi se këto kritere nuk janë të mjaftueshme dhe ua pezulloi të drejtën e votës një pjese të personave që kishin dorëzuar kërkesë, por që ende nuk e kishin marrë shtetësinë ose e kishin marrë atë pa i dorëzuar dokumentet e nevojshme.

Pra, kemi situatë reale, ndërsa njerëzit që duan t’i bindin të tjerët se po përgatitet mashtrim zgjedhor e përdorin këtë informacion të vërtetë për të krijuar skenar sipas të cilit mashtrimin po e përgatit Qeveria. Ata pretendojnë se Qeveria po sjell një numër të madh njerëzish nga vende të tjera, të cilët në fakt nuk janë të interesuar për Spanjën, dhe i paguan ata që të votojnë për Partinë Socialiste, edhe pse Gjykata Supreme ua ka pezulluar të drejtën e votës.

Disa muaj më parë u rregullua edhe statusi ligjor i shtetasve të huaj që tashmë për një kohë më të gjatë jetojnë në Spanjë, gjë që është një tjetër bazë për narrativa të tilla. Pretendohet se Qeveria po sjell njerëz nga jashtë për të votuar për Partinë Socialiste. Bëhet fjalë për situata reale të cilat nxirren jashtë kontekstit për t’i bindur njerëzit se po përballemi me mashtrim masiv zgjedhor. Këto janë dy narrativa të reja që u shtohen narrativave tradicionale për mashtrime zgjedhore, siç janë, për shembull, ato që lidhen me mënyrën e numërimit të votave. Numërimi zyrtar kryhet në gjykatat ku dorëzohen të gjitha votat. Por, të dhënat nga çdo vendvotim dërgohen edhe në nivel qendror, ndërsa sistemi teknologjik që përdoret për transmetimin e tyre natën e zgjedhjeve është nën kontrollin e “Indra”, kompani në të cilën shteti posedon numër të konsiderueshëm të aksioneve. Sipas narrativës tradicionale “Indra” manipulon me rezultatet. Por, kompania vetëm i përcjell ato. Rezultatet e vërteta janë në dokumentin zyrtar, gjegjësisht në procesverbalin që përpilohet në çdo vend të votimit. Të gjitha këto procesverbale i përbëjnë rezultatet zyrtare.

Nëse ka mospërputhje mes rezultateve të përcjella në formë elektronike dhe dokumentit zyrtar, rezultatet e përcjella në formë elektronike nuk kanë kurrfarë vlefshmërie. Pra, në këtë mënyrë nuk mund të ndryshohen rezultatet zgjedhore. Megjithatë, në çdo zgjedhje pretendohet se “Indra” manipulon me votat, sepse disa njerëz mendojnë se përmes kësaj kompanie Qeveria mund t’i ndryshojë rezultatet. Kjo është një e pavërtetë të cilën duhet ta zbardhim çdo herë. Madje edhe partitë politike që i kanë humbur zgjedhjet thonë se sistemi është i sigurt, por kjo narrativë përsëritet nga zgjedhjet në zgjedhje. Pra, kemi edhe narrativa të vjetra edhe të reja, por shumica e tyre kanë të bëjnë me mundësinë për mashtrim zgjedhor.

Qytetarët janë të pakënaqur për shkak të rritjes të shpenzimeve për jetesë, ndërsa revoltën e tyre e shprehën në disa protesta masive që u zhvilluan në disa qytete anembanë vendit gjatë muajve të fundit. Si ndikon kjo në klimën politike në prag të zgjedhjeve?

Kjo është një nga temat kryesore. Mesazhi themelor që vjen nga e djathta është: “Sot jetoni më keq sesa para tetë vitesh, kur Partia Socialiste erdhi në pushtet”. Ky është një nga mesazhet e tyre kryesore. Nga ana tjetër, një nga mesazhet kryesore të së majtës është se i mbron qytetarët dhe kujdeset për shpenzimet e tyre për jetesë. Për shembull, kur bëhet fjalë për banimin, ata përpiqen t’i mbrojnë njerëzit që jetojnë me qira, në vend të pronarëve të patundshmërive.

Pra, të dyja palët e spektrit politik e shfrytëzojnë situatën reale në të cilën qytetarët shkojnë në supermarket, përballen me vështirësi gjatë pagesës dhe e kuptojnë se çmimet janë shumë më të larta sesa para disa vitesh. Secili nga ne e ndien këtë kur blen diçka, ndërsa të dyja palët politike përpiqen ta shfrytëzojnë.

Pablo Hernández, koordinator i kërkimeve akademike në “Maldita” (Maldita.es), organizatë spanjolle që merret me verifikimin e fakteve. Foto: Antonija Popovska
Pablo Hernández, koordinator i kërkimeve akademike në “Maldita” (Maldita.es), organizatë spanjolle që merret me verifikimin e fakteve. Foto: Antonija Popovska

Ju i hulumtoni edhe dezinformatat dhe mënyrat se si ato përhapen, përfshirë këtu edhe rolin e teknologjive të reja. Si përdoret konkretisht IA për përhapjen e dezinformatave politike në fushatën aktuale parazgjedhore në Spanjë?

Në këtë fushatë kemi gërshetim të ri të dezinformatave politike dhe propagandës politike. Partitë politike gjithnjë e më shumë po e përdorin inteligjencën artificiale për krijimin e fushatave të tyre dhe për përhapjen e propagandës. Ndonjëherë hasni në përmbajtje për të cilat nuk dini nëse do t’i quani propagandë apo dezinformata. Për shembull, gjithnjë e më shpesh po krijohen intervista të rreme me qytetarë të zakonshëm në rrugë ose protesta të rreme në mbështetje të njërës apo tjetrës parti politike. Kjo funksionon jashtëzakonisht mirë në platforma të tilla si “TikTok”-u, formati i së cilit është i përshtatshëm për të arritur tek të rinjtë, të cilët ka shumë mundësi që nuk duan të informohen përmes mediave tradicionale. Kjo është mënyrë e mirë për të arritur te votuesi i ri i cili nuk i ndjek mediat tradicionale, por që kalon shumë kohë në “TikTok”.

Të ashtuquajturat “frutinovela” (frutinovelas) po bëhen gjithnjë e më të njohura në “TikTok”, këto janë video të shkurtra, humoristike të krijuara me ndihmën e IA. Por, pas këtyre përmbajtjeve që në shikim të parë janë argëtuese, ndonjëherë fshihen mesazhe politike, stereotipe dhe gjuhë e urrejtjes. Si keqpërdoren këto trende për përhapjen e propagandës politike dhe për manipulimin e opinionit publik dhe pse është kaq e vështirë të zbardhen përmbajtje të tilla?

Mendoj se është interesante se si në rrjetet sociale kombinohen mjetet e inteligjencës artificiale dhe humori. Ne, si verifikues të fakteve, kemi nevojë për një pretendim konkret që do ta hulumtojmë, diçka nga e cila do të fillojmë. Ajo që e kemi vënë re është se njerëzit që përhapin dezinformata, të udhëhequr nga qëllime ideologjike ose politike apo me qëllimin për të përhapur gjuhë të urrejtjes, mund t’i përshtatin në mënyrë të përkryer mesazhet e tyre me formate që fillimisht janë krijuar ekskluzivisht për argëtim.

Shembulli që e përdor vazhdimisht janë frutinovelat në “TikTok”. Ndoshta nuk janë më trend, por para disa muajsh njerëzit filluan të krijonin parodi të serialeve televizive me shumë episode dhe shumë dramë në formën e videove të shkurtra vertikale: bashkëshortja e tradhton bashkëshortin me trajnerin, ajo është shtatzënë, ndërsa bashkëshorti nuk di asgjë. Por, personazhet ishin fruta, për shembull, luleshtrydhe me trup njeriu dhe kokë në formë të luleshtrydhes. Kjo ishte argëtuese dhe të gjithë filluan të bëjnë garë se kush do ta krijonte situatën më qesharake me bananen dhe luleshtrydhen. Ky format përdorej edhe për paraqitjen e aferave të dashurisë, madje edhe për sulme ndaj kundërshtarëve politikë. Pastaj filloi të përdoret për përhapjen e përmbajtjeve raciste. Si shembull është personazhi në formë të brokolit, sepse njerëzit që i sulmojnë emigrantët e përdorin shprehjen “kokë si brokoli”, duke aluduar në flokët e tyre. Përdornin edhe një personazh tjetër, portokallin e veshur me fanellën e kombëtares spanjolle të futbollit dhe krijuan skenar në të cilin emigranti i vjedh diçka spanjollit, ndërsa policia në vend që ta arrestojë emigrantin e arreston spanjollin.

Nga këndvështrimi ynë ne nuk mund ta hedhim poshtë këtë. Nuk mund të themi thjesht se personazhi në formë portokalli nuk është i vërtetë. por, narrativa po përhapet: emigrantët po i keqpërdorin dhe po i grabisin qytetarët spanjollë, ndërsa policia nuk ndërmerr asgjë.

Si ta hedhësh poshtë një video të animuar në të cilën brokoli vjedh? Ata e gjetën mënyrën e përkryer për të qenë pjesë e fushatës parazgjedhore, pa marrë përgjegjësi për atë që e thonë. Ka shumë manovrim në këtë zonën gri mes argëtimit dhe informimit, mes propagandës politike dhe internet-trollimit. Njerëzit që duan të manipulojnë me të tjerët në rrjetet sociale vazhdimisht i testojnë kufijtë: ky është mendim, ky është manipulim, kjo është dezinformatë, kjo është gjuhë e urrejtjes, ndërsa kjo nuk është.

Ne kemi publikuar një sërë tekstesh për atë që e quajmë “pop-fashizëm”, duke i analizuar se si personazhet e Frankos, Hitlerit ose Musolinit përdoren në meme humoristike dhe shaka në rrjetet sociale. Në këtë mënyrë ju nuk e mbështesni drejtpërdrejt nazizmin, por e normalizoni atë. Krijoni përmbajtje për të rinjtë të cilët me gjasë nuk e dinë se kush ka qenë vërtet Hitleri, ndërsa fitojnë përshtypjen se ai është argëtues. Ndoshta në fund do të mendojnë: “Epo, Franko edhe nuk paska qenë aq i keq”. Ka shumë mundësi që të mos përdorni dezinformata eksplicite për ta arritur këtë, por teknika të tjera të cilat mund të jenë sidomos efikase tek të rinjtë.

Postera zgjedhorë të Partisë Socialiste Punëtore të Spanjës (PSOE – Partido Socialista Obrero Español). Foto: Despina Kovaçevska
Postera zgjedhorë të Partisë Socialiste Punëtore të Spanjës (PSOE – Partido Socialista Obrero Español). Foto: Despina Kovaçevska

Sa u besojnë qytetarët e Spanjës mediave dhe verifikuesve të fakteve?

Raporti për lajmet digjitale (Digital News Report) tregon se besimi te mediat varion. Raporti nuk u referohet konkretisht verifikuesve të fakteve, por mediave, ndërsa numri i njerëzve që nuk kanë besim tek ato është më i madh se numri i atyre që u besojnë. Sipas meje, ajo që është më shqetësuese është se kur t’i analizoni të dhënat sipas moshës, do të shihni se mosbesimi tek të rinjtë është i madh. Javën e kaluar kisha një prezantim prandaj mund t’jua them edhe të dhënat për këtë: tek të rinjtë e moshës 18 deri në 24 vjet, 25 përqind u besojnë mediave, ndërsa 48 përqind nuk kanë besim tek ato, që është pothuajse dy herë më shumë.

Si do mund të zgjidhej kjo? Mendoj se mediat nuk po e kryejnë mirë punën e tyre, për disa arsye. Disa prej tyre janë ekonomike, për shembull, ose ndoshta thjesht nuk po ia dalim mbanë të funksionojmë në një botë ku konkurrenca është kaq e madhe. 30 vjet më parë nëse mundoheshit të shisnit një gazetë, konkurrencë i kishit gazetat e tjera në kiosk. Sot, nëse dëshironi të jeni të suksesshëm në rrjetet sociale ju garoni me të gjithë të tjerët që janë të pranishëm atje, jo vetëm me gazetarët. Kur i pyesni të rinjtë se nga informohen, ata thonë: “Nga TikTok-u”. Por, “TikTok”-u nuk është burim informacioni, por platformë. Cilin burim informacioni e përdorni në “TikTok”? Kjo, në fakt, nuk u intereson shumë. “Më intereson politika”, kështu që algoritmi e njeh këtë dhe ju ofron numër të madh përmbajtjesh. Por, a i kushtoni vëmendje burimit? Ka shumë mundësi që jo. Në fakt, nuk e dini se kush qëndron pas informacioneve, e pikërisht kjo gjë është problematike. Nga njëra anë, përmbajtja është përshtatur në mënyrë të përkryer me platformën, bëhet fjalë për video, përdor gjuhën tuaj dhe përvetësohet lehtë. Nga ana tjetër, ndoshta dikush po përpiqet të manipulojë me ju.

Edhe një gjë tjetër e rëndësishme është se gazetarët duhet t’i verifikojnë informacionet para se t’i publikojnë, ndërsa njerëzit në rrjetet sociale mund të thonë çfarë të duan, pa detyrimin për ta verifikuar atë që thonë. Shkalla e përgjegjësisë është ndryshe. Një nga problemet e mëdha është se të rinjtë në “TikTok” identifikohen me një burim informacioni i cili nuk i verifikon faktet: “Ai flet në gjuhën time. Do t’i kushtoj vëmendje asaj që thotë dhe do t’i besoj”.

Nëse ju dëshironi të përhapni dezinformata dhe të manipuloni me këta njerëz, çfarë do bëni? Do përpiqeni të prezantoheni si ndonjë djalë i ri. Nga këndvështrimi i mediave, kur duhet të zgjidhni midis klikimeve dhe besimit, nëse jeni në gjendje të mirë financiare ndoshta do ta zgjidhni besimin. Por, nëse në fund të muajit duhet t’u jepni paga të gjithë punonjësve, ndërkohë që vareni nga reklamat, atëherë ndoshta do zgjidhni tituj sensacionalistë për tërheqjen e klikimeve. Por nga këndvështrimi i njerëzve që përhapin dezinformata, informacioni është armiku, e prandaj ju sulmojnë. Si verifikues të fakteve ne vazhdimisht përballemi me këtë gjë. Nëse verifikoni një pretendim, do ju thonë: “Ju jeni gënjeshtarë. Ju jeni pjesë e Qeverisë, ajo ju paguan, ju jeni marioneta të politikanëve”.

Mediat janë nën shënjestrën e një numri të madh njerëzish që duan t’i bindin të tjerët se këndvështrimi i tyre alternativ është e vetmja gjë e saktë dhe se mediat vazhdimisht manipulojnë me qytetarët. Diskursi i tillë ndikon edhe në mënyrën se si njerëzit i përjetojnë mediat. Ata informohen në një mënyrë ndryshe dhe nuk u pëlqen shumë ajo që mediat e prodhojnë për momentin.

Fushatat parazgjedhore gjithnjë e më shumë janë nën ndikimin e dezinformatave, polarizimit politik dhe përhapjes së përmbajtjeve manipulative në rrjetet sociale. E gjithë kjo mund ta minojë besimin e publikut në institucionet demokratike dhe në procesin zgjedhor. Në këtë kuptim, çfarë mendoni se është kërcënimi më i madh për zgjedhje të lira dhe të drejta këtë herë në Spanjë?

Kur filloni të mbillni dyshim për mënyrën se si funksionon procesi zgjedhor dhe për mënyrën se si e zbatojnë atë institucionet, ka mundësi që njerëzit që përhapin dyshime të tilla të ndjekin një strategji të caktuar për këto zgjedhje. Por, nëse qytetarët fillojnë ta humbasin besimin te zgjedhjet, kjo do të jetë një problem i madh në të ardhmen. Nëse në këto zgjedhje fiton e djathta, atëherë në zgjedhjet e ardhshme të gjithë do ta luajnë të njëjtën lojë: “Mos u besoni zgjedhjeve, Qeveria po manipulon me to”. Pse të mos e bëjnë këtë? Çështja tjetër, që po bëhet gjithnjë e më keq, është se debati politik dhe strategjitë për përhapjen e propagandës po përshtaten gjithnjë e më shumë me atë që ndodh në rrjetet sociale, ku ka shumë trollim, humor, sarkazëm dhe sulme të ashpra ndaj kundërshtarëve. Ndoshta sjelljen e tillë, qoftë e mirë apo e keqe, mund ta pranojmë nga qytetarët e zakonshëm ose nga profilet anonime. Por, profilet zyrtare të partive politike po sillen si internet-trolle, e kjo nuk është gjë e mirë.

Ajo që unë e pres nga politikanët është debati për ide, e jo fyerje të drejtuara ndaj palës kundërshtare. Kur e luajnë këtë lojë nën emrin e tyre, nën emrin e partisë së tyre, si ministra ose si kryetarë të grupeve parlamentare, nuk dua që përfaqësuesit e mi politikë të sillen në mënyrë të tillë. Dua të flasin për ekonominë, për politikat publike. Ndoshta ndebati i tillë është i mërzitshëm për rrjetet sociale, por më shumë preferoj debat të mërzitshëm sesa sjelljen të tillë trolluese. Kjo mund të ketë pasoja negative në të ardhmen. Nëse Donald Trump sillet në këtë mënyrë në rrjetet sociale dhe fiton në zgjedhje, çfarë mësimi marrin politikanët anembanë botës? “Ta bëjmë të njëjtën gjë”. Sa më shumë që sjellja e tillë jep rezultate, aq më e madhe është mundësia që edhe të tjerët të fillojnë të sillen në të njëjtën mënyrë, ndërsa debati politik të reduktohet në një garë se kush është trolli më i mirë. Kjo nuk është ajo që unë pres.

Pra, kemi dy probleme kyçe: sulmet ndaj procesit zgjedhor, të cilat janë të rrezikshme, dhe debatin politik, i cili po bëhet gjithnjë e më i keq. Megjithatë, a pres zgjedhje të drejta dhe demokratike? Mendoj se po.