Lupço Kocevski mori funksionin e prokurorit publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut

Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocevski, zyrtarisht mori detyrën nga prokurorja publike paraprake Sonja Simovska. Kocevski dhe Simovska zhvilluan takim ku diskutuan për gjendjen aktuale në Prokurorinë Publike dhe për aktivitetet prioritare në periudhën e ardhshme, në drejtim të forcimit të sistemit për luftimin e krimit dhe korrupsionit, forcimin e autonomisë dhe pavarësisë së prokurorëve publikë në veprimet e tyre, si dhe rritjen e përgjegjshmërisë dhe transparencës së institucionit, transmeton Portalb.mk.

Kuvendi me 13 shkurt unanimisht me 62 vota “pro” zgjodhi Lupço Kocevskin për prokuror të ri publik të shtetit. Po ashtu njëzëri, por me 63 vota “për”, Kuvendi e zgjodhi Igor Ivanovskin për anëtar të Këshillit të ekspertëve të Agjencisë për mbikëqyrje të sigurimeve në kuadër të seancës së 140-të.

Kujtojmë se me 25 dhjetor i mbaroi mandati, kryeprokurorit, Lubomir Jovevski, ndërsa me 22 dhjetor, Sonja Simovska u caktua ushtruese e detyrës së kryeprokurorit publik të shtetit.

Prokurori Jovevski, u emërua më 25 dhjetor 2017, duke pasuar Marko Zvrlevskin, i cili u shkarkua në gusht të po atij viti.