Lumturia: Globalisht dhe ndër ne (II)

“Njeriu duke menduar mirë, mund ta përmirësojë edhe veten edhe gjithë botën!”

Konfuci

Është interesante se në rastin e Kosovës kategoria rinore pozicionohet edhe më mirë sesa popullata në përgjithësi, pra në vendin 23 (të gjitha moshat 29), Shqipëria 66, RMV 67. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pleqtë (mosha 60+) janë më të lumtur (vendi i 10) sesa të rinjtë, se mosha nën 30-vjeçare (62). Ngjashëm qëndron puna edhe me Kanadanë, në vendin e 8 për lumturi të pleqve, në atë 58 për atë juvenile, Zelandën e re (6, 27). Në këtë vijë janë edhe Norvegjia, Suedia, Gjermania dhe Franca. Vendet e Ballkanit në përgjithësi kanë popullatën rinore më të lumtur sesa atë në moshë: Serbia ka rininë më të lumtur të rajonit, në vendin e tretë (popullata në moshë në vendin 54). Kroacia në këtë drejtim ka indeksin 14 (rinia) dhe 80 (pleqtë), Bosnja 33-78, Mali i Zi 50-97, Bullgaria 40-90, Shqipëria 66-100, Maqedonia 67-98. Popullatën më të balancuar në rajon sa i përket lumturisë e ka Kosova, rinia në vendin 23, kurse ajo +60, në poizicionin 39.

Një shënim interesant është se gjenerata e millenials e periudhës post-Covid 19 është më e gatshme të ndihmojë një të huaj krahasuar me Gen X dhe Boomers +. Nga ana tjetër vemtia është dy herë më e lartë te brezi i ri krahasuar me ata të lindur para vitit 1965. (worldhappiness.report/ed/2024) Kjo me gjasë duhet të jetë pasojë e përdorimit masovik të veglave të ICT, të teknologjisë së komunikimit dhe asaj informatike. Një gjetje tjetër interesante është se mbështetja sociale dhe vetmia ndikojnë në lumturinë e njerëzve. Në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndryshe nga pjesa tjetër e botës, emocionet negative tani janë më pak të shpeshta në të gjitha grupmoshat sesa në periudhën 2006-2010.

Është interesante të shikohet tabela statistikave të akteve suicidale në nivel planetar, ku konstatojmë se sipas të dhënave të Wisevoter për vitin 2023, vende me përqindje më të ulët të akteve vetëvrasëse janë Barbados 0.3 në 100.000 banorë, Jordan me 2, Turqia me 2.3, Filipinet 2.5, Indonezia 2.6, Algjeria 2.6, Peru 2.7…, kurse shifrat më të larta në këtë drejtim i kanë Lesotho 87.5, Guayana 40.9, Afrika e Jugut 23.5, Rusia 21.6, Lituania 20.2, SHBA 14.5, Sllovenia 14, Finlanda 13.4 etj. (wisevoter.com, 24.03.2024) Sa u përket divorceve më shumti ka në Maldive 5.5 në 1000 njerëz, pastaj vijojnë Kazakistani (4.6), Rusia, Bjellorusia, Ukraina etj.

Nga të gjitha këto shifra mund të konstatohet se një regjim vetëm pse quhet fetar nuk do të thotë se i bën njerëzit më të lumtur: shembull tipik është Afganistani. Liria është condidtio sine quan non i lumturisë. Feja ofron lumturi dhe ndihmon në kapërcimin e krizave të jetës, i relativizon ato, ama njeriu s’mund të jetë realisht i lumtur kur s’ka, kur është fukara dhe kur kërcënohet. “Aç ayı oynamaz” (Arusha e uritur nuk vallëzon!)– thonë turqit. Devijimet sociale që duken në vendet e zhvilluara janë evidente, por segmente, jo trend i përgjithshëm dhe dominant. Faktet sociologjike flasin se rrjedhat e ikjes janë nga vendet lindore drejt atyre perëndimore; nga vendet me spiritualitet të lartë (?) drejt atyre shekullare, ateiste, agnostike, ku mendohet se s’ka lumturi.

Nga trojet shqiptare shoqëria kosovare është shumë më optimiste, shumë më e lumtur, krahasuar me Shqipërinë, ndoshta edhe me Maqedoninë e Veriut (ku të dhënat janë pa segmentime etnike). Si shpjegohet kjo? Sistemi funksionon më mirë, shtet i ri, popullatë kryesisht rinore (young europeans), perspektiva të reja, më pak korrupsion, besimi në një të ardhme më të mirë krahasuar me periudhën kur Kosova ka qenë nën pushtimin serb. Këtë e vërteton edhe shembulli i rinisë së Bosnjës (pozocionohet në vendin 33 nga 143 shtete): pas gjenocidit, besohet se jetohet më mirë, ndonëse indikatorët ekonomikë nuk janë në këtë drejtim. Ta përmbyllim: njeriu është krijuar për të qenë i lumtur. Ne vetë dhe institucionet mund të bëjnë shumë në drejtim të gjetjes së recetës për të arritur lumturinë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.