ANALIZË: Rritje e çmimit të mishit, sheqerit dhe produkteve të qumështit, rënie te vaji ushqimor dhe drithërat, presioni i çmimeve po “liron”

Organizata Botërore e Ushqimit (FAO) njoftoi – në baza mujore dhe vjetore, indeksi i çmimeve të ushqimeve është në rënie. Megjithatë, disa prej produkteve bazë dhe lëndëve të para për përpunim vazhdojnë të shtrenjtohen, konkretisht çmimet e sheqerit dhe mishit janë në rritje. “Në vitin 2024 pritet të vazhdojë rënia e çmimeve”- thuhet në vlerësimin e ri ekonomik të Bankës Popullore, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Çfarë shtrenjtohet e çfarë lirohet në bursat botërore, nga të cilat varen çmimet dhe në tregun vendas

Presioni inflacionist po “lëshon”. Matjet e reja të FAO-s tregojnë një ngadalësim të rritjes së çmimeve, për disa produkte ushqimore madje edhe ulje e indeksit të çmimeve si në nivel vjetor ashtu edhe në nivel mujor. Vetëm çmimet e sheqerit janë në rritje, si mujore ashtu edhe vjetore. Lëvizjet e çmimeve të produkteve bazë ushqimore dhe lëndëve të para në bursat dhe tregjet botërore e përcaktojnë rrjedhën e lëvizjes së çmimeve edhe në vendin tonë, ndër të tjera, për shkak të varësisë së lartë nga importi në vend në sektorin e ushqimit dhe përpunimit – ëmbëlsirave. Sipas të dhënave të reja nga FAO, në muajin shkurt, krahasuar me janarin, indeksi i çmimeve të ushqimeve u ul për 0,7%, ndërsa në nivel vjetor rënia është për 10,5%.

Konkretisht, indeksi i çmimeve të drithërave në bazë mujore është ulur për 5%, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar rënia është 22,4%.

“Çmimet ndërkombëtare të të gjitha kulturave kryesore të drithërave janë duke u ulur nga muaji në muaj. Një faktor kryesor është pritshmëria për të korra të mëdha në Argjentinë dhe Brazil, së bashku me çmimet konkurruese të ofruara nga Ukraina, e cila dëshiron të përfitojë nga mbarëvajtja e rrugës tregtare detare. U ulën edhe çmimet botërore të elbit dhe orizit”, thuhet në analizën e re të FAO-s, transmeton Portalb.mk.

Indeksi i çmimeve
Indeksi i çmimeve

Edhe çmimet e vajit vegjetal ushqimor janë në rënie – në bazë mujore janë ulur për 1,3%, ndërsa në bazë vjetore për madje 11%. Megjithatë, ka një tendencë të rritjes së çmimeve te produktet e tjera ushqimore dhe lëndët e para. Konkretisht, në muajin janar, krahasuar me shkurtin, indeksi i çmimeve të produkteve të qumështit është rritur për 1,1%, por krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ka një rënie prej 13,4%.

“Në shkurt, më së shumti u rritën çmimet botërore të gjalpit. Çmimet e qumështit me shumë yndyrë vazhduan të rriteshin, ndonëse ngadalë, kryesisht për shkak të rritjes së kërkesës për import, veçanërisht nga Kina. “Çmimet e djathit janë rritur minimalisht” – thuhet në Raportin e FAO-s, transmeton Portalb.mk.

Në shkurt krahasuar me janarin e këtij viti, çmimet e mishit janë rritur për 1,8%, ndërsa krahasuar me shkurtin e vitit të kaluar, rënia është për 0,8%. Çmimi i sheqerit është rritur si në bazë mujore, për 3,2%, ashtu edhe në bazë vjetore, për 12,5%.

Vlerësimet e reja të BPM-së

“Në shkurt të vitit 2024, përqindja vjetore e inflacionit vijon të ngadalësohet, duke rënë në 3%. Edhe më tej vazhdon të ketë pritje për rënie të çmimeve në vitin 2024”- vlerëson Banka Popullore në raportin e ri ekonomik.

Statistikat e brendshme tashmë kanë regjistruar se në shkurt të këtij viti krahasuar me janarin e vitit të kaluar, inflacioni ishte vetëm 0,4%, por megjithatë çmimet e ushqimeve dhe të pijeve u rritën për 0,5% në krahasim me janarin, ndërsa në krahasim me shkurtin 2023 për 1,5%.

  Kostot e jetesës në shkurt/janar
Kostot e jetesës në shkurt/janar

Sipas vlerësimeve të dhëna në anketat e kryera nga BPM-ja, do të pasojë një periudhë e stabilizimit të çmimeve, por ende nën rrezikun e disa faktorëve.

“Çmimet e produkteve primare në bursa vazhdojnë të përshtaten me tendencë rënieje, e njëkohësisht janë rishikuar me tendencë rënieje parashikimet për periudhën e ardhshme. Megjithatë, nuk ka ende një transferim më të theksuar të lëvizjeve të bursave në çmimet vendase të ushqimeve, si dhe ka paqartësi për shkak të konflikteve aktuale ushtarake, si dhe për shkak të ndërprerjes së masave të përkohshme për disa produkte ushqimore vendase.

Prej datës 1 mars pushoi të vlejë masa e çmimit “të garantuar” për produktet ushqimore bazë, dhe për këtë arsye pritej një “goditje” e re e çmimeve, por tregtarët vendosën të mos bëjnë korrigjime të mëdha të çmimeve në kushtet kur konsumi është i përmbajtur dhe qytetarët blejnë në mënyrë selektive.