Lufta e të gjithëve kundër të gjithëve

Sipas mësimeve të filozofit anglez Tomas Hobsit, njërit prej dijetarëve më të shquar të Evropës së shekullit XVI-XVII, njeriu për njeriun është ujk, sepse të tillë na bën vesi jonë i lindur. Prandaj, që nga zanafilla e njerëzimit, të gjithë luftonin kundër të gjithëve dhe secili kundër secilit, për të siguruar pushtetin mbi tjetrin. Kjo gjendje parake e njeriut egërsirë, egoist, imoral dhe qenie joshoqërore përfundoi kur njerëzit formuan shtetet për të ruajtur paqen dhe arritjen e qëllimeve të përbashkëta.

I vetëdijshëm se jeta e njeriut është e vetmuar, e varfër, e pistë, e shëmtuar dhe e shkurtër, Tomas Hobsi besonte se shteti i krijuar me vullnetin e grupeve të njerëzve do ta ndryshojë historinë dhe do të bëhet garant i paqes dhe mirëqenies së përhershme. Por koha tregoi se sovranët e gjendur në kulmin e piramidave shtetërore, nuk janë imunë ndaj ceneve të njeriut të kohës së gurit. Pjesa dërmuese e tyre u bënë despotë të gjithëpushtetshëm dhe shkaktarë të krimeve e gjenocideve të tmerrshme, që i kanë mbajtur dhe vazhdojnë t’i mbajnë njerëzit në gjendje të ethshme për pasigurinë që mund të sjellë e nesërmja.

Për këtë flasin historitë e trishta të njerëzimit, sa herë që shtetet mbeten pengje despotësh të sëmurë nga pasionet e mbrapshta, nga dëshira për të qenë zotra, nga frika e humbjes së privilegjeve, nga instinkti shtazarak për të eliminuar kundërshtarët politikë dhe armiqtë imagjinarë nga jashtë e nga brenda shteteve të konsideruara si prona private.

Këto janë arsyet përse historia njerëzore, e nisur me aktin morbid të një vëllavrasjeje, s’është tjetër pos përsëritjes së përsëritur përsëri, sepse bota është plot me përbindësha të pashpirtë, që kryejnë me qejf vepra mizore.

Për këta luciferë xhehenemesh janë shkruar mijëra libra, po asgjë nuk ka ndryshuar thelbësisht për shkak se vërtet njeriu për njeriun është ujk. Para një kohe, tek po lexoja një shkrim mbi tiranët, më tmerruan krimet e Pol Potit, që sundoi Kamboxhian me teh thike dhe ushtroi gjenocid mbi bashkëvendësit. Mjeshtria e tij qe ndarja e familjeve, puna e rëndë fizike, vuajtja për bukën e gojës, detyrimi i të burgosurve për të ngrënë gjymtyrët e të afërmve, jashtëqitjet dhe urinën personale, torturat çnjerëzore, varrjet, ekzekutimet pa gjyq, mbytjet me çekanë, djegiet në gropa gëlqeresh, varrosjet e njerëzve të gjallë dhe shpërfaqjet e mizorive me moton: T’i kursesh njerëzit nuk ka asnjë dobi – t’i eliminosh nuk sjell asnjë humbje, pos plumbit që shkon dëm

Mjerisht, Pol Poti nuk qe as diktatori i parë as i fundit që shfarrosi miliona njerëz të pafajshëm për shkak të paranojës së pushtetit. Paraardhësit dhe pasardhësit e tij ishin dhe janë po aq kanibalë, që nga: Dionisi i Sirakuzës, në dhomën e të cilit nuk guxonin të hyjnë dot as bijtë e tij; Commodo, që e pandehte veten për perëndi dhe vriste fatkëqinjtë për pikë qejfi; Kalifi i Egjiptit -Al Hakimi, që u vetëshpall Allah dhe preu shumë koka të krishterësh, hebrenjshë dhe muslimanësh sunni; Tamberlani i Madh, që ndërtoi në Bagdad 120 kulla me kokat e kundërshtarëve të vrarë; Sulltan Selimi, që dëboi babain, vrau dy vëllezërit dhe preu kokat e shtatë vezirëve; Meri Tudori e Anglisë, që digjte “heretikët” në turrë drunjsh; Josif Visarionoviç Zhukashvili – Stalini, që likuidoi mijëra kundërshtarë politikë, përfshirë në këtë mes edhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë; Adolf Hitleri, që shfarrosi 50 milionë njerëz; Francois Duvallier – tirani i Haitit, që pushkatoi mbi 30 mijë vetë; Augusto Pinoçeti, që likuidoi mijëra qytetarë kilianë; Sllobodan Millosheviqi, që kreu gjenocid të paparë mbi boshnjakët dhe shqiptarët e Kosovës; Bashar al-Assadi, që shfarrosi popullin e tij me helme kimike; Kim Jongu që e hodhi xhaxhain në kafazin me 120 qen të uritur; Putini që është duke e rafshuar pa asnjë brerje ndërgjegje Ukrainën dhe shumë të tjerë që vetëdijshëm po futen në rrathët e fundmë të ferrit të Aligierit.

Pas kësaj ec e thuaj se lufta e të gjithëve kundër të gjithëve i takon së shkuarës, kur ky fenomen shoqëror rishfaqet sa herë që grigjat e fjetura zgjedhin për prijës xhelatët e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.