Pendarovski dhe Mickoski në polemikë publike, cili ka rejting më të lartë

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, gjatë ditës së sotme në Radio “Lider”, duke komentuar rejtingun e presidentit të shtetit, Stevo Pendarovski, theksoi se edhe nëse do të kandidonte për kryetar të kuvendit shtëpiak në godina ku banon nuk ka mundur të marrë më shumë se dy vota, transmeton Portalb.mk.

“Mendoj se kur është fjala për Stevo Pendarovskin, të gjitha partitë teorikisht duhet ta rrethojnë, të bashkohen dhe ta përkrahin, pyetja është se a do ta votojnë më shumë se 100 mijë, të gjitha partitë. Mendoj se në objektin ku jeton, nëse do të aplikonte për kryesinë e këshillit shtëpiak, vështirë se do të merrte më shumë se dy vota”, tha Mickoski.

Mickoski tha se në këtë moment nuk duhet humbur kohë me një personazh si Stevo Pendarovski.

“E di saktësisht se çfarë thotë Pendarovski, por përsëri do të them nëse njeriu duhet në këtë moment duhet të humbasë kohë me një personazh si Stevo Pendarovski”, shtoi Mickoski.

Presidenti Stevo Pendarovski ka reaguar ndaj deklaratës së liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, përmes një komunikate të dërguar nga kabineti i tij.

“Hristijan Mickoski është politikani i fundit në Maqedoni që duhet të flasë për rejting personal”, thotë presidenti Pendarovski.

Sipas tij, edhe pas pesë vitesh si kryetar i VMRO-DPMNE-së, rejtingu i Mickoskit është dy herë më i ulët se ai i ish-presidentit Nikolla Gruevski.

“Në historinë politike të Maqedonisë, kryetarët e partive më të mëdha politike gjithmonë kanë pasur dyfish më të lartë vlerësim personal sesa partitë që kanë udhëhequr. Kështu ishte edhe me Branko Cërvenkovskin dhe Zoran Zaevin në LSDM, dhe me Ljubço Georgievskin dhe Nikolla Gruevskin në VMRO-DPMNE. Mickoski është i vetmi përjashtim sepse ai ka një vlerësim 50 për qind më të ulët se partia që udhëheq”, ka përfunduar kreu i shtetit.

Si tregues më i saktë për rejtingun personal të Mickoskit, Pendarovski tregon sondazhin e fundit të fondacionit IRI, në të cilin, siç thotë ai, presidenti ka besimin më të madh dhe Mickoski nuk ishte as ndër pesë të parët në listë.

Për qëndrimin e presidentit Pendarovski ka dërguar reagim partia opozitare VMRO-DPMNE, në të cilën argumentojnë se rejtingu i Pendarovskit është gabim statistikor, dukuri e zbehtë, me pamje edhe më të zbehta.

“Është vërtet tragjike ajo në të cilën është shndërruar Stevo Pendarovski dhe është edhe më për të ardhur keq për pozitën që mban. Pendarovski është njeriu që vetë tha se e ka hartuar propozimin që u shndërrua në ndryshim të kushtetutës bullgare, është njeriu që kandidoi për të nënshkruar ndryshimet në KP dhe ekzekutues i verbër i të gjitha urdhrave të qeverisë”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE.