Arsovska thotë se Mazneva nuk ka punuar asgjë, ndërsa para 3 muajsh e lavdëronte për përballje me mafiozët dhe i dha kontratë menaxheriale

Kryetarja Danella Arsovska thotë se e ka shkarkuar drejtoreshën e NP “Higjiena Komunale” Kosana Mazneva-Nikoliq për shkak se nuk është e kënaqur me punën e saj dhe nuk e ka realizuar programin “Për Shkup modern”, transmeton Portalb.mk.

“Unë si kryetare komune thashë se nuk garantohet asnjë pozitë nëse nuk zbatohet programi i Qytetit të Shkupit dhe këtë po e bëjmë tani. I japim shans dikujt që besojmë se do t’i zbatojë programet tona në gjashtëmujorin e ardhshëm”, tha Arsovska, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve gjatë nënshkrimit të Memorandumit për bashkëpunim me Shtëpinë Përkujtimore Kombëtare Nënë Tereza.

Arsovska para tre muajsh e lavdëroi Mazneva-Nikoliqin në një konferencë për media pas protestave në “Higjien;n Komunale” për trajtimin e strukturave mafioze në ndërmarrje dhe debatoi me gazetarët pse nuk e përkrahin Maznevën në artikuj. Po ashtu, Arsovska 4 muaj më parë i ka dhënë kontratë menaxheriale Mazneva-Nikoliqit dhe tani duhet ta kompensojë Qyteti sepse të tilla janë dispozitat e kontratës.

“Kjo grua u qëndroi përballë të gjitha keqpërdorimeve dhe nuk duhet sulmuar. I gjithë qyteti qëndron pas saj, sepse është e guximshme, sepse është e vendosur dhe sepse vetë u është kundërvënë të gjithëve, për të cilat për 20-30 vjet nuk u gjet asnjë burrë që të qëndronte ose ishin më të rëndësishme interesat e tij partiake apo politike”, tha Arsovska më 10 korrik të këtij viti.

Mazneva-Nikoliq tha dje se nuk ka marrë shpjegim se përse është shkarkuar dhe as ka arsye për t’u larguar nga pozita e saj, sepse në periudhën e kaluar ajo i ka zbatuar të gjitha programet dhe ka punuar për përmirësimin e kushteve të punës së punëtorëve.

Goce Trajkovski nga dje është u.d drejtor i ri i ndërmarrjes.

Arsovska e emëroi Mazneva-Nikoliqin për drejtoreshë të “Higjienës Komunale” vitin e kaluar në korrik, pas shkarkimit të Enuz Kokës nga Aleanca për Shqiptarët, pasi vëllai i tij mori pjesë në një incident, gjegjësisht siç akuzoi lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se donte ta vriste pikërisht atë.

Kujtojmë se kryetarja Danella Arsovska ka ndërruar gjithsej 36 drejtorë në 16 institucione nën kompetencë të Qytetit të Shkupi.

Postin e kryetares së Qytetit të Shkupit Arsovska e mori në nëntor të vitit 2021, pra në këtë detyrë ajo është plot 22 muaj. Sipas kësaj të paktën një ndërmarrje apo institucion në muaj ka mbetur pa person drejtues, ndërsa në këtë post është emëruar një tjetër.

Pas ardhjes së Arsovskës në krye të Qytetit të Shkupit numri më i madh i drejtorëve, rreth katër, janë ndërruar në ndërmarrjen Parkingu i Qytetit, ndërsa nga tre drejtorë janë ndërruar në ndërmarrjen Rrugë dhe Rrugica, ndërmarrjen e Qarkullimit Publik dhe ndërmarrjen Ujësjellësi dhe Kanalizimet.

Të vetmet institucione që janë nën ingerencat e qytetit dhe ku Arsovska nuk e ka ndërruar drejtorin janë Qendra Kulturore e Fëmijëve Karposh, Salla Universale dhe Shtëpia e Kulturës “Koço Racin”.