Ndikimi i diskursit politik dhe dezinformimit në zonat sektare

Diskursi politik në epokën e dezinformimit është bërë gjithnjë e më sfidues jo vetëm për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në këtë fazë, një nga sfidat më të rëndësishme është përhapja e dezinformatave politike, të cilat bëhen jo vetëm nga aktorë të sponsorizuar jashtë shteteve, por edhe nga partitë politike, media të mbështetura nga rrethe të caktuara të biznesit, dhe natyrisht prej vetë përdoruesëve në platformat e mediave sociale ku një pjesë e diskursit të partive politike është e përqendruar.

Vitet e fundit, dezinformimi i jashtëm dhe sulmet e brendshme nga partitë politike kanë qenë termet më të përdorshme në mediat e përditshme dhe debatet publike. Në veçanti, në Ballkanin Perëndimor dhe zona të tjera sektare, lufta politike është përdorur nga politikanët dhe aktorët e tjerë të interesuar për të shkatërruar kundërshtarët me të gjitha mjetet. Në Ballkanin Perëndimor, ku linjat etnike, kulturore, krahinore dhe fetare janë shumë të ndjeshme, lufta politike ka fuqinë të rrënojë të gjitha themelet e një shoqërie të brishtë demokratike.

Në Maqedoninë e Veriut dhe në shtetet e tjera, veçanërisht gjatë zgjedhjeve apo të ndonjë zhvillimi tjetër, diskursi i qeveritarëve dhe i liderëve politikë ndryshon, sepse ata duan të arrijnë një pushtet përmes fjalimeve të mëdha nacionaliste dhe të nxehta. Edhe pse diskursi politik ka një kuptim të gjerë, në përgjithësi duhet të përqendrohemi në fushën e marrëdhënieve të burimeve të diskursit të nxehtë politik me publikun dhe institucionet ku diskursi politik i politikanëve ka për synimin kryesor të rënojë besimin në lirinë, të ndryshojë opinionin publik dhe të rrisë dëshpërimin. Nëpërmjet një diskursi të ashpër politik, aktorët politikë janë të interesuar për më shumë pushtet ndaj aktorëve të tjerë politikë apo kryesisht transmetojnë mesazhe të forta përmes propagandës.

Në fakt, diskurset politike që ndërtohen në media dhe jashtë kanë gjithashtu për objektiv të sulmojë profile të larta të politikës ditore, të partive politike kundërshtare, ku së bashku me fraksione të tjera politike mundohen të arrijnë disa qëllime apo projekte që përfshijnë jo vetëm ideologjinë.

Tani le të ndalemi në dikursin politik që përdoret në një mjedis ku keqinformimi mund të arrihet lehtë nëpërmes platformave sociale. Në platformat online, grupet e margjinalizuara kanë mundësinë të shprehin veten, të paraqesin ide, dhe të promovojnë vlera të mundshme nëse qëndrojnë në rrugën e drejtë të fjalës së lirë.

Por shtetet e huaja janë të interesuara në maksimizimin e interesit kombëtar dhe rajonal duke i shfrytëzuar të gjitha mjetet dhe pa ndonjë kufizim. Në këtë mënyrë, armiqtë e huaj i shfrytëzojë idetë e kundërshtarëve politikë deri në thelbin e ballafaqimeve online të kundërshtarëve për një ndryshim të mundshëm të formës së procesit të vendimmarrjes.

Ndërkohë, duhet t’i kushtojmë një vëmendje politikave të brendshme në kontekstin e kontrollit të diskursit politik që buron nga partitë politike. Por historikisht nuk ka një model specifik si të menaxhohet një shtresë që është prekur nga diskursi politik nacionalist ose jo nacionalist. Nuk duhet të harrojmë se interesi shtetërorë, interesi personal e grupor është burimi kryesor shtytës i çështjeve dhe ideve për t’i bartur të njëjtat në platformat online dhe në mediat tjera. Andaj është shumë e vështirë të mbash një diskutimin politik të shëndoshë në epokën e dezinformimit.

Debatet politike, historikisht janë shfrytëzuar për të shkatërruar kundërshtarët, por ndonjëherë në shtete me kultura dhe grupe etnike të ndryshme, përdorimi i fjalimeve të tilla të nxehta është baza e diskurseve për të marrë drejtimin e gabuar si p.sh. në Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë. Në Maqedoninë e Veriut, gjatë fushatës së zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, të dyja palët kanë përdorur diskurse të ashpra për të ulur palën tjetër. Në disa raste, kemi parë fjalime që integrojnë përmbajtje fyese që ndëshkojnë një kandidat tjetër mbi baza etnike dhe identitare. Ky lloj diskursi në palën shqiptare dhe maqedonase, tregon se linja e akuzave ka shkuar deri në nivele më të larta të partive politike dhe kandidatëve për deputetë dhe për presidentë, duke sjellë jehonë të së shkuarës historike. Andaj një diskurs politik i nxehtë në kohën e rritjes së keqinformimit, është bërë arma më e fortë e kundërshtarëve.

Në një situatë të tillë, përdorimi i një diskursi kundër të tjerëve pa kufizime në platformat online dhe në media të tjera të mbështetura financiarisht nga buxhetet e partive politike dhe të shtetit, mund të konsiderohet si lojë e vazhdueshme me nerva, që ndryshe quhen operacione psikologjike të ndërlidhura me dezinformatat që vijnë nga të gjitha anët. Ndikimi i një diskursi të ashpër politik bashkë me një dozë dezinformimi në zonat sektare gjatë fushatave zgjedhore, konsiderohet si sulm ndaj demokracisë së brishtë dhe stabilitetit të brendshëm të një shteti.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.