LSM përgatit grevë të përgjithshme, LSDM do dorëzojë ligj për ngrirjen e pagave të funksionerëve

Pas protestës së djeshme ku një numër i madh qytetarësh dhe anëtarësh të sindikatave dolën në rrugët e Shkupit me kërkesë për paga më të larta, ppozitarja LSDM ka njoftuar se do të dorëzojë ligj për uljen e pagave të funksionarëve dhe rritjen e pagave të punëtorëve, transmeton Portalb.mk.

Përfaqësuesit e LSM-së janë të prerë se do të vazhdojnë me protesta derisa të arrihet paga minimale prej 600 eurosh dhe rritje e të gjitha pagave për 100 euro.

Ata paralajmëruan bllokada të institucioneve, si dhe mundësinë e organizimit të një greve të përgjithshme.

Nga ana tjetër, LSDM nga opozita paralajmëroi dorëzimin e zgjidhjeve ligjore për rritjen e pagave të punëtorëve dhe ngrirjen e pagave të funksionarëve.

“Duke pasur parasysh pozitën e vështirë të punëtorëve, rënien e standardit jetësor të qytetarëve dhe kërkesat e Lidhjes së Sindikatave, LSDM do të dorëzojë zgjidhje ligjore në Kuvend për rritjen e pagës minimale në 600 euro, rritjen e pagave me 100 euro në sektorët e tjerë, si dhe zgjidhje ligjore për ngrirjen e pagave të funksionarëve”, njoftoi LSDM.

LSDM dhe Levica e mbështetën publikisht protestën, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski vlerësoi se protesta ka prapavijë politike.

Rritja e rregullt, ligjore e pagës minimale bëhet në muajin mars. Ajo harmonizohet me 50 për qind të rritjes së pagës mesatare neto të paguar për vitin paraprak dhe 50 për qind të rritjes së indeksit të kostos së jetesës për vitin paraprak. Për marsin 2026, kjo do të thotë rritje prej 1.500 deri në 2.000 denarë. 

Inflacioni në Maqedoninë e Veriut është rritur me 4,1 për qind në baza vjetore. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), të publikuara më 8 janar, vetëm gjatë vitit 2025 çmimet janë rritur mesatarisht për 4,1 për qind, ndërsa çmimet me pakicë janë rritur për 3,7 për qind. 

Paga minimale aktuale është 24.379 denarë (397 euro). Kjo është 2,6 herë më pak se shporta e konsumit për dhjetorin 2025, e cila kap vlerën 65.492 denarë – aq sa ka llogaritur Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) se i nevojitet një familjeje për ta kaluar muajin. 

Në rajon, vetëm Kosova ka pagë minimale më të ulët se Maqedonia e Veriut, 384 euro. Paga minimale në Serbi varion nga 505 deri në 580 euro, në varësi të orëve të punës në muaj. Në Shqipëri është 440 euro, në Bosnje dhe Hercegovinë 525 euro, ndërsa më e larta është në Mal të Zi – 600 euro në muaj.