Opozita për bastisjen në Bërvenicë ku u gjetën armë dhe drogë: Personi i arrestuar është i afërt me Mickoskin dhe VMRO-DPMNE
Pas bastisjes së djeshme në Bërvenicë të Tetovës ku pesë persona përfunduan në pranga pasi te ata u gjetën armë, drogë dhe para, kanë reaguar partitë opozitare LSDM dhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, sipas tyre njëri nga të arrestuarit është person i afërt me kryeministrin Hristjan Mickoski dhe VMRO-DPMNE-në në pushtet, transmeton Portalb.mk.
Nga LSDM-ja thonë se S.Z. i cili është mes të arrestuarve, i njohur si Sime është i afërt me VMRO-DPMNE.
“A është rastësi që pikërisht kryeministri Hristijan Mickoski ka një fotografi me të? Tenderë kriminalë, skandale korrupsioni me kompani familjare, krim me programin IPARD, e tani edhe kriminelë të rëndë. Fillimisht korrupsion, tani edhe krim i pastër. Me siguri Mickoski do të thotë se ka qenë rastësi dhe se nuk njihen”, thanë nga LSDM.
Nga ana tjetër, Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit nge pyetjen se cila është afërsia e personit S.Z., tek i cili u gjetën armë dhe lëndë narkotike, meqë sipas materialeve të publikuara ai shfaqet në fotografi me kryeministrin Hristijan Mickoski dhe kryetarin e Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski.
“Pas gati dy vitesh qeverisje të koalicionit VMRO–VLEN, shtrohet pyetja thelbësore: a ka ndikuar afërsia politike me VMRO-DPMNE-në që ky individ të gëzojë mbrojtje apo favore institucionale? Cili është raporti i këtij personi me udhëheqësinë e MPB-së në Tetovë dhe pse ende nuk ka asnjë reagim nga MPB Tetovë, ministri apo zëvendësministri i Punëve të Brendshme”, thanë nga ASh Taravari.
Ata ngrenë dilemë me kompaninë e sigurimit “Praetorian Security Solution”:
“A është kjo kompani në pronësi të tij, siç është raportuar nga disa media? Në çfarë procedure dhe mbi çfarë kriteresh kjo kompani ka fituar kontratën për sigurimin e Kodrës së Diellit dhe infrastrukturës përreth? A ka pasur ndikim politik në këtë proces për shkak të afërsisë me VMRO-DPMNE-në? A duhet që Kodra e Diellit, respektivisht ESM, të vazhdojë kontratën me një kompani sigurimi për pronarin e së cilës pretendohet se është arrestuar për posedim armësh dhe lëndësh narkotike”, thanë nga ASh Taravari.
Për tre nga pesë të arrestuarit është caktuar paraburgim dy ditor, Ndaj një të dyshuari Gjykata e Tetovës ka caktuar masa kujdesi, ndërsa i arrestuari tee i cili është gjetur sasia më e madhe e parave, është liruar nga akuza, sepse i njëjti ka dëshmuar me dokument prejardhjen e parave dhe ai nuk ndiqet penalisht.

Më 28.01.2026 në orën 06.40, nëpunës policorë nga SPB Tetovë – Njësia kundër Tregtisë së Palejuar të Drogës dhe Armëve i privuan nga liria I.J. (43), S.Z. (36), D.P. (69), D.P. (65) dhe S.Z. (42), të gjithë nga f. Bërvenicë.
Janë realizuar bastisje në f. Bërvenicë, në disa shtëpi, në hapësira ndihmëse dhe në automjete udhëtarësh, në bazë të urdhrit të mëparshëm të lëshuar nga gjykata.
“Me këtë rast, tek I.J. janë gjetur pesë pako me një materie pluhurore të bardhë, 52 fishekë të një pushke automatike e kalibrit 7.62, dy fishekë të një pistolete e kalibrit të panjohur dhe një gëzhojë e një pushke automatike. Te S.Z. (36) janë gjetur dhe sekuestruar 20 fishekë të një pushke automatike e kalibrit 7.62, një pistoletë dhe krehër me dy fishekë të cilat i posedonte pa leje, si dhe një peshore digjitale me mbetje të një materie pluhurore të bardhë. Te D.P. (69) janë gjetur dhe sekuestruar një pistoletë të cilën e posedonte pa leje, si dhe një karabinë gjuetie, një pushkë gjuetie dhe një pistoletë të cilat i posedonte me leje. Te D.P. (65) janë gjetur dy lista dhe një fletore me emra disa personave, dy kompjuterë dhe rreth 31.640 euro, 3.400 franga zvicerane dhe 56.500 denarë. Te S.Z. (42) është gjetur një materie pluhurore e bardhë”, sqaroi Ministria e Brendshme.
Ata u ndaluan në stacion policor për veprime të mëtejshme ku policia më pas njoftoi se do të përgatiten parashtresa përkatëse sipas nenit 396 dhe nenit 215 të Kodit Penal.