Kryeministri Hristijan Mickoski nga foltorja e Kuvendit deklaroi se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese nëse nuk plotësohen dy kushte edhe atë: maqedonasit në Bullgari të marrin të drejtat e tyre të garantuara, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe konventat për të drejtat e njeriut, si dhe të ketë garanci që Maqedonia nuk do të përballet me bllokada dhe obstruksione të reja për arsye subjektive, transmeton Portalb.mk.
Ai nënvizoi se për sa kohë që ai udhëheq Qeverinë, procesi nuk do të ecë përpara pa përmbushjen e kushteve të përcaktuara qartë.
“Nuk do të ketë ndryshime kushtetuese për sa kohë jam unë kryeministër nëse nuk plotësohen së paku dy kushte. I pari është që komuniteti maqedonas në Bullgari të marrë të drejtat e garantuara. Kushti i dytë ka të bëjë me garanci se nuk do të ketë veto bilaterale, nënçmime dhe poshtërime për arsye subjektive”, tha Mickoski.
Mickoski u bëri thirrje të gjithë 120 deputetëve, përfshirë edhe atyre që në të ardhmen mund të propozojnë ndryshime pa përmbushjen e kushteve.
“I këshilloj të gjithë deputetët të mos e mbështesin qëndrimin për ndryshime kushtetuese pa marrë garanci. Kur unë të mos jem më kryeministër, ndoshta do të ketë dikë tjetër që do t’ju përgjigjet ndryshe”, tha Mickoski.
Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka reaguar ashpër pas deklaratës publike të Kryeministrit Mickoski se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese, duke theksuar se me këtë qëndrim u rrëzua përfundimisht çdo premtim i VLEN-it për “rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian”.
Sipas Taravarit, në vend që të hapen perspektivat evropiane, rrugët drejt Brukselit po mbyllen çdo ditë e më shumë, ndërsa integrimi evropian po shndërrohet në një proces pa fund dhe pa vizion. Ai vlerëson se realiteti politik po e mban vendin të bllokuar në vendnumëro, me pasoja të drejtpërdrejta për qytetarët.
“Qytetarët po izolohen, po varfërohen dhe po humbin shpresën. Çmimin e kësaj paaftësie të thellë politike po e paguajnë të gjithë, por veçanërisht shqiptarët, të cilët sot po përballen me faturën e impotencës politike të (V)LEN-it. Premtuan ndryshim, por sollën heshtje dhe nënshtrim”, ka deklaruar Taravari.
Hulumtimi më i fundit i Institutit për Demokraci “Societas Civilis” tregoi se plot 71% e qytetarëve janë pro anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Hulumtimi, i cili sot u prezantua në Kuvend, tregon se BE-ja vazhdon të shihet si partneri më i besueshëm i Maqedonisë, veçanërisht për shkak të politikave të pasigurta të SHBA-së. Ndërkaq, është rritur edhe numri i qytetarëve që e shohin Maqedoninë si vend që i përket Perëndimit, sidomos pas dilemave të viteve të fundit për orientim drejt Lindjes.
- LEXO: Hulumtim i ri: Rritet mbështetja e qytetarëve për anëtarësim në BE, por mbetet i lartë kundërshtimi ndaj ndryshimeve kushtetuese
- LEXO: Rokas: Nevojitet bashkim në vend për të kapërcyer pengesat drejt anëtarësimit në BE
Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime.
Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.