Sindikatat sot protestojnë në Shkup, kërkojnë rritje të pagës minimale në 600 euro
Rritje e pagës minimale në 600 euro dhe të gjitha rrogave tjera nga 100 euro. Kjo është kërkesa kryesore për të cilën sot do të protestojë Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë së Veriut në Shkup, transmeton Portalb.mk.
Pas dy vitesh negociata të ndërprera dhe të pasuksesshme ndërmjet LSM-së, Qeverisë dhe punëdhënësve, nuk u arrit marrëveshje për pagën minimale, andaj ata vendosën të dalin në protesta.
Sindikatat kërkojnë pagë minimale prej 600 eurosh dhe rritje lineare prej 100 eurosh për të gjitha pagat e tjera.
Protesta do të fillojë në ora 17:00 para ndërtesës së LSM-së në Shkup, pas së cilës vazhdon para Parlamentit, Odës Ekonomike dhe Qeverisë së Maqedonisë.
Protestës do t’i bashkohen edhe Sindikatat nga arsimi, kultura, , industria, policia, administrata, tregtia etj. Protestën do ta përkrahë edhe Sindikata e Gazetarëve.
Nëse kërkesat e tyre hasin në vesh të shurdhër, sindikalistët kanë paralajmëruar bllokada të institucioneve, por nuk përjashtojnë as grevë të përgjithshme në sektorin publik dhe privat.
Kryetari i LSM-së, Sllobodan Trendafilov bëri apel që të mos u nënshtrohen kërcënimeve, ndërsa se kërcënime ka marrë edhe ai vetë.
“Nëse nuk na dëgjojnë në tavolinë, do të duhet të na dëgjojnë nga rruga”, tha Trendafilov.
Kryeministri Hristijan Mickoski u bëri thirrje punëtorëve dhe punëdhënësve të merren vesh mes vete. Ai tha se secili ka të drejtë të protestojë, se paga minimale do të rritet në mars dhe se qëllimi i sindikatës është përllogaritje politike, e jo paga më të larta për punëtorët.
“I kam parë kërkesat, ato nuk janë diçka e re. Absolutisht jam gjithmonë për të ardhura më të larta. Por e vërteta që duhet thënë është se disa persona nga udhëheqja e kësaj sindikate janë plotësisht të kapur nga ambicie dhe figura politike, dhe gjithçka që bëjnë ka një qëllim të tillë”, tha Mickoski.
Rritja e rregullt, ligjore e pagës minimale bëhet në muajin mars. Ajo harmonizohet me 50 për qind të rritjes së pagës mesatare neto të paguar për vitin paraprak dhe 50 për qind të rritjes së indeksit të kostos së jetesës për vitin paraprak. Për marsin 2026, kjo do të thotë rritje prej 1.500 deri në 2.000 denarë.
Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së Biznesit, deklaroi se një rritje e jashtëzakonshme e pagës minimale do të ishte barrë e madhe për bizneset pa lehtësime në pagesën e kontributeve sociale.
Protesta mbështetet nga partitë opozitare LSDM dhe Levica.
Inflacioni në Maqedoninë e Veriut është rritur me 4,1 për qind në baza vjetore. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave (ESHS), të publikuara më 8 janar, vetëm gjatë vitit 2025 çmimet janë rritur mesatarisht për 4,1 për qind, ndërsa çmimet me pakicë janë rritur për 3,7 për qind.
Paga minimale aktuale është 24.379 denarë (397 euro). Kjo është 2,6 herë më pak se shporta e konsumit për dhjetorin 2025, e cila kap vlerën 65.492 denarë – aq sa ka llogaritur Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) se i nevojitet një familjeje për ta kaluar muajin.
Në rajon, vetëm Kosova ka pagë minimale më të ulët se Maqedonia e Veriut, 384 euro. Paga minimale në Serbi varion nga 505 deri në 580 euro, në varësi të orëve të punës në muaj. Në Shqipëri është 440 euro, në Bosnje dhe Hercegovinë 525 euro, ndërsa më e larta është në Mal të Zi – 600 euro në muaj.
- LEXO: Sindikata e Gazetarëve kërkon rritjen e pagës minimale dhe i bashkohet protestës së punëtorëve
- LEXO: Nesër protestë, kryetari i LSM: Edhe në 2022 përmes protestave dhe grevës arritëm rritjen e pagës minimale në RMV
- LEXO: LSM e kumtoi itinerarin e plotë për protestën e 28 janarit për rritjen e pagës minimale