Liridona Murseli sot u rivarros në vendlindjen e saj

Liridona Murseli, gruaja 30 vjeçare, vrasja e të cilës dyshohet të jetë porositur nga bashkëshorti, sot u rivarros në Rracaj të Gjakovës, pranë familjes së saj, shkruan Top Channel.

Ajo u zhvarros nga varrezat e fshatit Cërmjan të Gjakovës, me kërkesë të familjes. Qindra qytetarë tashmë kanë shkuar për të ngushëlluar familjen Ademaj.

Pjesë e ceremonisë së varrimit të Liridona Ademajt është bërë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Dhjetëra persona morën pjesë në ceremoninë mortore të nënës që la pas dy fëmijë të vegjël.

Një grup fëmijësh ishin të veshur me bluza të bardha të stampuara para me foton e Liridonës dhe mbrapa me shkrimin “Drejtësi për Liridonën”, ndërsa mbanin në duar trëndafila të bardhë.

Rikujtojmë se Liridona Murseli, është vrarë të mërkurën, më 29 nëntor, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës. Fillimisht, Policia e Kosovës, e ka raportuar rastin si “grabitje me pasoja të vrasjes”.

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka zhvilluar të dielën një seancë ndaj tre personave që dyshohet të jenë përfshirë në vrasjen e Liridonës. Në mesin e të dyshuarve është burri i saj, i identifikuar nga mediat lokale në Kosovë si Naim Murseli. I arrestuar është edhe G.P, i identifikuar nga Policia e Kosovës si dorasi, dhe K.Kpjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Seanca ka nisur në orën 9:30, dhe ka qenë e mbyllur për mediat.

Dje u miratua kërkesa për rivarrosje të Liridonës dhe po të njëjtën ditë i vëllai shpërndau lajmin për detajet e ceremonisë së rivarrosjes.