Librat më të kërkuar në Bibliotekën e Tetovës

Vera është stina e cila nuk kalohet pa aktivitete, sidomos nëse jemi në qytete të vogla ku atraksioni më i madh ngelen dasmat. Imagjinoni sikur të mos e kishim Bibliotekën e Tetovës?! Për Portalb.mk, bibliotekistja e lartë Gjylten Ajruli ndanë me ne librat më të kërkuar në këtë institucion.

Aty ku është e vendosur, në një qoshkë, Bibioteka e Tetovës ngelet nga institucionet më të vizituara edhe pse fare nuk ka kushte elementare për ekspozimin e shumë materialeve, librave të cilat do të përbënin atraksion për lexuesit. Gjithnjë është lakuar emri i bibliotekës për zgjerim hapësire, për kushte më të mira, por siç duket askujt nuk i intereson që ajo është arteria e vetme që i furnizon krejt komunat me libra.

Nga biblioteka ngelen të kënaqur me vizitorët pasi aktivitetet që ka kjo bibliotekë kanë bërë që të përafrohen shumë lexuesit. Gjylten Ajruli, bibliotekiste e lartë për Portalbin thotë: “Edhe gjatë pushimeve biblioteka është e hapur dhe punon me orarin veror nga ora 8-16. Gjatë pushimeve verore edhe shijet e lexuesve janë më ndryshe. Shumica preferojnë tituj me tematikë më të lehtë, më relaksues. Lexuesit  e rregullt janë ata që gjatë gjithë kësaj periudhe frekuentojnë bibliotekën. Mungojnë nxënësit e shkollave të mesme, për fat të keq, ndërsa lexuesit më të vegjël janë më aktivë. Të vegjlit preferojnë t’i lexojnë lektyrat shkollore gjatë pushimeve, ndërsa në sektorin për të rritur më të moshuarit (lexues të profileve të ndryshme, pensionistët) janë më aktiv gjatë kësaj periudhe.

Gjylteni është ndër punonjëset që përbëjnë shtyllat e atij institucioni bashkë me Mahirin, Biljanën dhe Ganimetin. Atë vend konsiderojnë shtëpi dhe këtë më së miri e dinë ata që i kanë vonuar librat ose nuk i kanë kthyer fare. Por, a ka nga ata që janë jokorrekt në raport me huazimin e librave dhe kthimin e tyre në kohë, Gjylteni shprehet: sa i përket rregullsisë së anëtarëve, ndodh shpesh që të ketë vonesa, por megjithatë në përgjithësi shumica janë të rregullt. Sistemi me të cilën punon dhe funksionon biblioteka mundëson që për çdo ditë të kemi listë të anëtarëve me material të pakthyer, të cilët pastaj informohen përmes e mail-it, përmes thirrjeve në telefon, me qëllim që të shmangim dënimet që pasojnë për çdo vonesë”.

Kërkuam në fund të dimë cilët ishin pesë librat më të kërkuar nga lexuesit e kësaj biblioteke dhe morëm një listë me libra të cilët po ua sjellim bashkë me shënimin e shkurtër për atë libër.

Sekreti i rrobaqepëses, kopertina
Sekreti i rrobaqepëses, kopertina

 

Sekreti i rrobaqepëses- Fiona Valpy

Një bestseller i Washington Post, Wall Street Journal dhe Amazon Charts nga autorja bestseller e romanit “Premtimi i Bletërritësit” vjen një histori emocionuese për tri gra të reja që përballen me zgjedhje të pamundura. Si do t’i gjykojë ato historia – dhe familjet e tyre?

Manifesti i heroit të përditshmërisë, kopertina
Manifesti i heroit të përditshmërisë, kopertina

Manifesti i heroit të përditshmërisë – Robin Sharma

Për më shumë se njëzet e pesë vjet, udhëheqësi i legjendave dhe i elitës, virtuozi Robin Sharma, u ka dhënë mësime titanëve të biznesit, superyjeve të sportit dhe mbretërve të botës së spektaklit, bazuar në një sistem revolucionar që i ka ndihmuar këta njerëz të shquar, që ambiciet e tyre më të mëdha t’i përkthejnë në rezultate të përditshme.

Ndërsa tani, në kryeveprën e tij “Manifesti i heroit të përditshmërisë”, ky pionier ka distiluar parimet, protokollet dhe taktikat më të mira të përdorura në metodën e tij të mentorimit, duke e kthyer kësisoj në një punë madhështore e me vlerë, pjesë e një skenari që të çon në një prodhimtari shpërthyese, e cila, pjesërisht, përmban një maual me udhëzime drejt një jete të nivelit më të lartë dhe, pjesërisht, një udhërrëfyes universal, për t’u bërë një peshë e rëndë në sferën shpirtërore, një nga ata njerëz, të cilët e ngrenë botën në një nivel më të lartë.

Lamtumira, kopertina
Lamtumira, kopertina

 

Lamtumira  – Ayse Kulin

Historia e familjes së një pashai në grahmat e fundit të Perandorisë Osmane. Intrigat, vuajtjet dhe tragjeditë e tyre, por edhe çastet e bukura, të shoqëruara me histori pasionesh dhe dashurish.

 

Një grua tjetër, kopertina
Një grua tjetër, kopertina

Një grua tjetër – Emmanuel Bernheim

Dhe, pak nga pak, dashuria e Tomasit mbush tërë jetën e Klerit, të cilës i pëlqen ta imagjinojë jetën e të dashurit deri në detajet më të imëta. Dhe veçanërisht gruan e tij. Në të vërtetë, Tomasi nuk rri kurrë më shumë se një orë e gjysmë me Klerin, sepse duhet të shkojë pranë gruas dhe fëmijëve të tij.

Netët e murtajës, kopertina
Netët e murtajës, kopertina

 

Netët e murtajës- Orhan Pamuk

Duke u marrë me epideminë dhe karantinën e këtij ishulli imagjinar osman, Orhan Pamuk na rrëfen për nacionalizmin, politikën dhe romancën, për përplasjen mes Lindjes dhe Perëndimit

Nga biblioteka na informuan se studentët dhe nxënësit janë më pak të interesuar për lexime verore, ndryshe nga të vegjëlit dhe pensionistët që e mbajnë gjallë pasionin për lexim.