Në verë, ushqimin nuk duhet ta ruani gjatë kohë as në frigorifer, këshillon drejtori i AUV-së

Në periudhën e verës, sidomos kur moti është jashtëzakonisht i nxehtë si tani, ushqimet nuk duhet të ruhen për një kohë të gjatë as në frigorifer, këshillon në një intervistë për MIA, drejtori i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) Nikollçe Babovski.

Babovski u apelon qytetarëve që të raportojnë çdo helmim nga ushqimi, gjithashtu rekomandon që gjatë përgatitjes t’u kushtohet vëmendje pesë gjërave kryesore për të mos shkaktuar kontaminim.

“Duhet pasur parasysh që ushqimi i gatuar nuk duhet të lihet në temperaturë dhome për më shumë se dy orë, i gjithë ushqimi i gatuar dhe që prishen lehtësisht duhet të ftohen në një temperaturë nën pesë gradë Celsius për një kohë sa më të shpejtë të jetë e mundur dhe përpara se ti shërbeni të rinxehen mirë në mbi 65 gradë”, tha Babovski.

Drejtori u apelon qytetarëve që të raportojnë çdo helmim dhe në këtë mënyrë të tregojnë përgjegjësi.

“Pse është e rëndësishme të raportosh helmimin nga ushqimi? Nëse mendoni se helmimi vjen si pasojë e konsumimit të ushqimit në restorante apo objekte tjera ushqimore , është e rëndësishme ta raportoni, në mënyrë që shërbimet dhe inspektorët kompetentë të marrin masa në kuadër të kompetencave të tyre. Në këtë mënyrë do të parandalohet përhapja e sëmundjes infektive përmes ushqimit”, thotë Babovski.

Gjithashtu, qytetarët duhet të kenë kujdes edhe në përgatitjen e ushqimit, duke përmendur pesë hapat kyç të rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

“Qytetarët kanë një përgjegjësi të madhe sa i përket sigurisë ushqimore, sepse përgatitja jo e duhur e ushqimit të shëndetshëm mund të shkaktojë kontaminimin e tij dhe të rrisë rrezikun e sëmundjeve që vijnë nga ushqimi. Do të përmendja pesë hapat kyç të promovuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe të cilave duhet t’u përmbahemi të gjithë: t’i kushtojmë vëmendje pastërtisë, të ndajmë të papërpunuarën nga ajo e gatuar, ta ngrohim ushqimin plotësisht gjatë përgatitjes, të ruajmë siç duhet dhe përdorni ujë të shëndetshëm, si dhe ushqime të freskëta”, përkujton drejtori.