Lëvizja Besa akuza BDI-së: Mos e mbroni rrogën 3000 euroshe të Bekim Nezirit, përjashtojeni nga partia

Lëvizja Besa ka reaguar edhe sot në lidhje me skandalin në M-NAV ku Bekim Neziri i BDI-së dyshohet se bashkë me disa persona tjerë kanë sulmuar të punësuarit në Kullën e kontrollit ajror. Nga Lëvizja Besa thonë se BDI po përpiqet të mbrojë Bekim Nezirin, i cili ka qenê ish ministër dhe aktualisht është kryetar dege i BDI-së në Çair, shkruan Portalb.mk.

“Sa më shumë që BDI dëshiron të shitet si parti “pro Evropiane” aq më shumë dëshmohet se është pro krimit dhe korrupsionit. Për të mbrojtur krimin dhe korrupsionin, janë në gjendje që të shkatërrojnë edhe institucionet të cilat mbrojnë sigurinë ajrore ndërkombëtare, siç është rasti me sulmin në Kullën e Kontrollit të Aviacionit Civil. Në vend që BDI urgjentisht të largojë nga partia dhe nga çdo funksion Bekim Nezirin, ajo vetëm distancohet nga veprimi i tij, duke u përpjekur ta mbrojë. Në vend që BDI të veprojë për shkarkimin e të gjithë drejtorëve në M-NAV ajo hesht dhe tenton ti shpëtojë ata, edhe pse tre ditë më parë u vendosën në rrezik rreth 30 aeroplanë dhe qindra udhëtarë”, thonë nga Lëvizja Besa.

Siç tha në një dalje para mediave, Lulzime Ameti, zëdhënëse e Lëvizjes Besa, BDI-së më shumë i interesojnë rrogat e majme të funksionarëve sesa siguria e qytetarëve.

“BDI-së nuk i interesojnë as qytetarët, as siguria në institucionet që janë të lidhura ndërkombëtarisht siç është M-NAV, por i interesojnë vetëm pozitat ku ushtarët e saj marrin paga të majme dhe tenderë. BDI sot po e mbron Bekim Nezirin i cili nga M-NAV merr 3 mijë euro rrogë, edhe pse mediat shkruajtën se shtatë vite nuk ka shkuar në punë. BDI mbron drejtorin tjetër të M-NAV Hasim Deari sepse edhe ai merr 3 mijë euro rrogë. BDI mbron edhe Fahrudin Hamidin, sepse nga M-NAV ai merr 4 mijë euro rrogë. Dhe të tre këto persona që nga M-NAV, bashkë marrin 10 mijë euro në muaj për interesat e tyre personale dhe partiake, janë në gjendje që në objektin e kontrollit të fluturimeve të shkaktojnë arenë boksi dhe të rrezikojnë fluturimet ndërkombëtare”, deklaroi Ameti nga Lëvizja Besa.

Lëvizja Besa i bên thirrje BDI-së që urgjentisht ta shkarkojë Bekim Nezirin nga çdo pozitë partiake, bashkë me shkarkimin edhe të dy drejtorëve të M-NAV, Fahrudin Amiti dhe Hasim Deari.

Kronologjia e ngjarjeve

Sulmi i 4 janarit nga të dyshuarit në krye me Nezirin, në Navigacionin e Maqedonisë ndodhi pasi kryetari i Sindikatës së Kontrollorëve të Trafikut Ajror, Aleksandar Tasevski më 4 janar mbajti konferencë për shtyp së bashku me kontrolluesit e tjetë të fluturmeve, duke informuar se anëtarët e Sindikatës janë nën presion të shtuar nga menaxhmenti i M-NAV për shkak të kundërshtimit të sindikatës lidhur me shpalljen e fundit për punësime.

Nuk është hera e pare që Bekim Neziri sulmon të punësuarit në këtë institucion, ai në vitin 2010 ka rrahur edhe një kontrollor të trafikut ajror.

5 janar, Neziri së bashku me tre të tjerë në pranga u dërgua në Gjykatën Themelore Penale – Shkupi 1 dhe për to u caktua “masë kujdesi” dhe jo paraburgim siç kërkoi paraprakisht Prokuroria Publike. Kjo e fundit më 6 janar tha se do të ankimojë këtë vendim.

Ky incident, që konsiderohet si shumë i rëndë për faktin se bëhet për një nga institucionet më të rëndësishme të fluturimeve civile, ka bërë që Qeveria e RMV-së të njoftojë se në seancën e radhës, më 9 janar, t’i shkarkojë të gjitha strukturat drejtuese. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski e ka përkrahur vendimin e Qeverisë ndërsa Sindikata pret që qeveria ta përmbushë premtimin e saj në të kundërtën  10 janar do të mbyllet hapësira ajrore e vendit.

Nga ana tjetër, drejtori i Kontrollit të Fluturimeve Civile, Fahrudin Hamidi në konferencë për media më 5 janar, tha se “hapësira ajrore e Maqedonisë së Veriut është e sigurt” dhe se asnjëherë nuk ka qenë e rrezikuar. Ai theksoi se “personat që e kanë mbështetur grevën, janë të mashtruar nga kryetari sindikatës”, të cilin Hamidi e akuzon për “sabotim të punës” në kohën kur, sipas tij, ky institucion ka kaluar një krizë të rëndë financiare dhe është kompletuar me “kuadër të kualifikuar”.

Përplasjet në M-NAV filluan në dhjetor 2023, kur sindikata akuzoi menaxhmentin për punësime partiake. Shpalljet, siç deklaruan nga Sindikata e Kontrollorëve të Trafikut Ajror, janë joligjore, ndërsa personat që punësohen janë të përzgjedhur paraprakisht nga partitë politike. Ata disa herë kërkuan tërheqjen e shpalljeve, për të cilat drejtori Fahrudin Hamidi tha se ato shpallje janë “padyshim ndonjë gabim”.

Në faqen e Agjencisë së Punësimit u publikuan dy shpallje nga M-NAV, të cilat ishin për dy ditë nga 14 deri më 16 dhjetor dhe nga 15 deri më 17 dhjetor 2023, përkatësisht për “këshilltar të pavarur për çështje të personelit” dhe për “navigator të aviacionit”.

Për shpalljet në fjalë, Sindikata kërcënoi se do të hyjë në grevë gjatë periudhës së festave, mirëpo e njëjta u anulua “për disa arsye operacionale”.