Letërsia dhe shoqëria sot, Bashkim Hoxha: Një raport i zbehtë në njohjen reciproke

Shkrimtari Bashkim Hoxha është një nga zërat më të veçantë të letërsisë bashkëkohore shqipe, i njohur për stilin e tij reflektiv, ndërthurjen e thellë të realitetit me botën e brendshme dhe për eksperimentimin me forma të ndryshme rrëfimi. Në një kohë kur letërsia përballet me sfidat e ritmit të shpejtë të informacionit dhe ndryshimeve shoqërore, Hoxha mbetet një autor që kërkon thellësi, kuptim dhe dialog të sinqertë me lexuesin. Në një intervistë për Portalb.mk, ai foli për marrëdhënien mes zhanreve, ndikimin e postmodernizmit, rolin e realitetit në krijim dhe vendin që letërsia zë sot në jetën e individit.

Portalb.mk: Si ndërveprojnë letërsia, gazetaria, dramaturgjia dhe skenari në formësimin e një zëri bashkëkohor krijues?

Bashkim Hoxha: Ndarja në zhanre, letërsia, gazetaria, dramaturgjia, skenari për mendimin tim është thjesht një zgjedhje e mënyrës së komunikimit të një përmbajtjeje. Nëse ajo mbërrin si një pasqyrim i drejtpërdrejtë i një realiteti bashkëkohor, funksionon si gazetari; nëse ka një unitet strukturor, hapësinor apo kohor, sigurisht shprehet më mirë në gjuhën e dramaturgjisë; nëse ka vizualitet, sigurisht shprehet më mirë si një skenar; nëse ka të nevojshëm introspeksionin dhe ngritjen mbi realitetin në ofrimin e një realiteti të ri artistik, sigurisht që letërsia është mënyra e duhur.

Shpeshherë zhanret ndërthuren me njëra-tjetrën pikërisht për këtë arsye: përzgjedhjen e mënyrës më të mirë të komunikimit të përmbajtjes. Sigurisht, kjo kërkon edhe njohjen e mjeteve shprehëse të secilit zhanër. Është e njohur thënia e një profesori të dramaturgjisë: nëse në një skenar, kur Otello vret Ofelinë, kjo thuhet me një rresht, në një dramë nuk ka asnjë shans që ai ta mbysë Ofelinë pa bërë një monolog.

Portalb.mk: Çfarë roli luan postmodernizmi në letërsinë shqipe sot dhe si reflektohet ai në mënyrat e rrëfimit?

Bashkim Hoxha: Postmodernizmi ka riformatuar letërsinë shqipe të pas viteve nëntëdhjetë, duke e bërë atë më shprehëse. Por letërsia e këtyre viteve nuk ka qenë strikt postmoderniste; postmodernizmi më shumë ka shërbyer si një breg ku mjaft autorë kanë pasur të drejtuar busullën për të mbërritur. Në këtë rrugëtim drejt postmodernizmit, letërsia shqipe u çlirua nga kanonet e ngurta të rrëfimit të fillimshekullit XX, që mbështeteshin te narracioni i mbyllur dhe mërzia e komunikimit. Orientimi drejt postmodernizmit i dha frymëmarrje subjekteve, bëri të mundur kundrimin nga shumë kënde dhe pasurimin e mjeteve shprehëse të letërsisë sonë.

Portalb.mk: Si ndikon ndërthurja e elementeve teatrale dhe filmike në zhvillimin e prozës moderne?

Bashkim Hoxha: Jo të gjithë shkrimtarët i njohin teknikat teatrale dhe filmike. Duke përdorur mjetet e thjeshtuara të tyre, shpeshherë letërsia jonë është bërë më sipërfaqësore, ka humbur thellësinë e mendimit dhe analizën. Rendja pas anekdotës apo batutës ka qenë një nga kuptimet e thjeshtuara të këtyre elementeve. Por kur elementet e dramës dhe skenarit njihen në thellësi, ato kanë sjellë vepra më të strukturuara dhe mendime me më shumë veprim.

Portalb.mk: Në ç’mënyrë realiteti shoqëror dhe politik në hapësirën shqiptare reflektohet në temat dhe botët letrare?

Bashkim Hoxha: Mendoj se ende nuk jemi shkëputur nga vështrimi i mbyllur i realitetit. Duke ardhur nga një praktikë kur realiteti i jashtëm asfiksonte brendinë e personazheve, në mjaft libra që botohen ka një tendencë për t’u mbyllur vetëm brenda përjetimit të autorit, përjetime që jo domosdoshmërisht gjithmonë përkojnë me interesin e letërsisë së madhe, të hapur dhe të gjithëkohshme. Përsiatjet e stërzgjatura, shpeshherë depresive, bëjnë atë që bënte dikur realiteti me brendinë e personazheve: e largojnë vështrimin nga realiteti i hapur dhe analiza e tij me gjuhën e letërsisë. Këto praktika letërsitë e vendeve të tjera i kanë kaluar me kohë; do t’i kalojë edhe letërsia jonë. Realiteti shoqëror dhe politik është e nevojshme të trajtohet thellësisht me gjuhën e kohës dhe nga shumë këndvështrime.

Portalb.mk: Si e përkufizoni raportin mes letërsisë dhe shoqërisë në kontekstin e sotëm?

Bashkim Hoxha: Është një raport i zbehtë në njohjen reciproke. Më shumë një raport i paragjykuar, brenda këndvështrimeve të mbyllura që ka secila palë.

Portalb.mk: A ka ende letërsia fuqinë për të ndikuar në mendësinë dhe ndjeshmërinë e publikut?

Bashkim Hoxha: Sigurisht. Por duhet ta kuptojmë si. Ka qenë ndryshe ndikimi i letërsisë në shoqëri në shekujt e kaluar. Ka ndodhur në shekullin XIX, kur letërsia frymëzonte lëvizje kombëtare dhe konsolidonte kombe. Roli i letërsisë sot nuk është ai i pjesëmarrjes në luftë apo në rreshtime. Letërsia, për fatin e mirë të shkrimtarëve, nuk kërkon libra manifest apo pamflete me veshje letrare. Ajo në shekullin tonë është thjesht një bashkëbiseduese e mirë e individit, një bashkëbiseduese e heshtur për të kuptuar të vërtetat e thjeshta të jetës dhe të realitetit të tij dhe, pse jo, edhe për të argëtuar njeriun në vetminë e tij. Libri shkruhet në vetminë e shkrimtarit dhe bashkëbisedon me lexuesin në vetminë e tij.

Portalb.mk: Çfarë e mban gjallë procesin krijues në një kohë të dominuar nga media dhe ritmi i shpejtë i informacionit?

Bashkim Hoxha: Mendoj se dinamika e informacionit kërkon edhe riformatim të koncepteve letrare. Të rinjtë e sotëm informacionin e marrin me shpejtësinë e procesorëve të kompjuterit apo smartfonit. Këtë gjë duhet ta kemi parasysh edhe ne kur mbingarkojmë me informacione të tepërta letërsinë e sotme; edhe letërsia duhet të ecë me dinamikën e kohës në komunikim. Fatmirësisht, sot nga letërsia nuk kërkohet më informacioni, ia kanë shkarkuar këtë detyrë. Kjo krijon mundësinë e thellimit në brendësi të realiteteve, në këndvështrimet e thella artistike të botës në lëvizje të njeriut.