Sa i njeh publiku filmat shqip të Maqedonisë së Veriut?

A ka filma shqip? Ka.
A mjaftojnë? Jo.
A i njeh publiku? Pothuajse hiç.

Shkruan: Ibër Deari, regjisor

Filmi shqip në Maqedoni ka fillu shumë vonë me u përkrah institucionalisht. Edhe kur ka fillu kjo përkrahje, nuk është që kemi kriju brez të fortë autorësh që e shohin filmin si mision afatgjatë. Shumë prej projekteve janë trajtu si “me e kry një projekt” jo si me ndërtu një kulturë të filmit shqip që rritet me kohë, e njëkohësisht me kriju brez të ri regjisor/autor, por njëkohësisht me u kriju edhe publiku qe shkon i shikon filmat.

Nga ana tjetër, publiku gjithmonë ka pas interes për filmin shqip. Problemi është që shumë pak ka informata. Njerëzit shpesh pyesin: a ka filma shqip? ku mundem me i pa? dhe kjo tregon që filmat shqip nuk po arrin te publiku si duhet.

Arsyet janë të ndryshme, sigurisht që shumë pak kemi filma shqip, por edhe nga ato që i kemi,  Jo çdo krijues ia bën hyzmetin filmit përtej realizimit. Ka filma që mbyllen me natën e premierës dhe aty përfundon gjithçka. Nuk ka shpërndarje, nuk ka marketing, nuk ka vazhdimësi.

Nga viti 2008 deri më sot janë aprovuar për financim gjithsej 13 filma me metrazh të gjatë në gjuhën shqipe. Prej tyre, vetëm 8 janë realizu deri tani, 2 pritet të kenë premierë së shpejti, ndërsa 3 të tjerë janë në plan për t’u realizu në 3–4 vitet e ardhshme.

Por pyetja më e rëndësishme mbetet: sa i njeh publiku këta filma? Sa prej tyre janë parë realisht?

Pikërisht për këtë arsye, kjo është një përpjekje për të sjellë një histori të shkurtër të filmit shqiptar në Maqedoni të Veriut, përmes disa prej filmave që e kanë ndërtuar këtë rrugë.

Është interesante që filmi i parë vjen nga një REGJISORE, ndërsa më pas kjo linjë vazhdon pothuajse vetëm me regjisorë burra.

 1.BABAI (2013) – Shqipe Nuredini Duka

Ky njihet institucionalisht si filmi i parë shqiptar i financuar nga Agjencia e Filmit dhe i realizuar nga një regjisore grua, Shqipe N. Duka. “Babai” është një dramë e errët për një burrë që nuk arrin ta përballojë humbjen dhe zgjedh të jetojë në gënjeshtër. Filmi nuk flet vetëm për luftën, por për pasojat që zgjasin shumë më gjatë: një mendje që prishet, një familje që shpërbëhet dhe një burrë që nuk arrin më të jetë baba. Transformimi i Zekës nga viktimë në kërcënim është pjesa më e fortë dhe më e dhimbshme e filmit. Nuk të jep shpresë dhe pikërisht kjo është forca e tij.

Foto nga filmi “BABAI”. Foto: Ibër Deari
Foto nga filmi “BABAI”. Foto: Ibër Deari

2. KTHIMI (2017) – Kastriot Abdyli

Një emigrant shqiptar dhe e fejuara e tij franceze kthehen në mënyrë të papritur në fshatin e tij. Ajo që nis si vizitë familjare, shndërrohet në tension kur zbulohen arsyet e vërteta të kthimit. Filmi prek identitetin, emigrimin dhe përplasjen mes dy botëve, trajton migrimin si fenomen te shqiptarët dhe përplasjen që sjell integrimi dhe globalizimi me traditat e familjes shqiptare.

 3.PRANVER E PAHARRUAR NE FSHATIN E HARRUAR (2019) – Kushtrim Bekteshi

Jeta e qetë e një fshati të harruar ndryshon papritur me ardhjen e tre grave që trazojnë balancën e komunitetit. Një histori që luan mes absurdit dhe realitetit rural. Filmi është xhiru në fshatin Gjonomadh, në komunën e Korçës. Në të luajnë aktorë nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe Bullgaria. Një nga filmat me numrin më të madh të aktorëve dhe me një shikueshmëri record shumë të madhe në Cineplexx Prishtina.

Foto nga afishja e filmit “PRANVER E PAHARRUAR NE FSHATIN E HARRUAR”. Foto: Ibër Deari

Foto nga afishja e filmit “PRANVER E PAHARRUAR NE FSHATIN E HARRUAR”. Foto: Ibër Deari

 

4.I TRETURI (2021) – Arben Thaçi

I përndjekur nga e kaluara, Beqiri përpiqet të përballet me fajin përmes kujtimeve të tij. Një film introspektiv për traumën dhe të vërtetën personale.

5.I FSHERURI (2022) – Arsim Fazlija

Bazuar në një histori të vërtetë, filmi trajton një çift që përballet me fenomene që qëndrojnë mes shkencës dhe besimit një zonë gri mes psikologjisë dhe religjionit. I Fshehuri ndoshta është një nga të paktët filma të këtij zhanri triler me elemente horror .

 6.KOMA (2022) – Agim Abdula

Historia e dy miqve që ribashkohen pas shumë vitesh dhe përballen me një situatë që i vendos në një krizë të thellë morale dhe emocionale. Filmi është realizu kryesisht me kuadro të gjata (long takes), duke i dhënë një ritëm më të vazhdueshëm dhe realist.

7.KREJT E THIRRIN REXHEN (2025) – Ibër Deari

Në një fshat ku të gjithë janë larguar, Rexho mbetet i vetmi që mban gjallë komunitetin. Një komedi me zemër që flet për qëndrueshmërinë dhe lidhjen me vendin. Filmi që theu rekordin e shikueshmërisë në natën e premierës në Shkup, duke u bërë një nga më të suksesshmit me çmime në festivale dhe me një rrugëtim të gjerë në diasporë.

Foto nga afishja e filmit “KREJT E THIRRIN REXHEN”. Foto: Ibër Deari
Foto nga afishja e filmit “KREJT E THIRRIN REXHEN”. Foto: Ibër Deari

8.PARKU I DORES (2025) – Sabidin Ali

Një takim i papritur pas 10 vitesh mes ish-të dashuruarve rikthen tensione dhe plagë të vjetra që nuk janë shëruar kurrë.

9.MARVESHJA (2026) – Senad Abduli

Një çift emigrantësh përballet me krizën e marrëdhënies së tyre, ku xhelozia dhe pendesa çojnë drejt një fundi tragjik që ndryshon gjithçka.

10.PERHAPS (Post-production) – Kastriot Abdyli

“Perhaps” ndjek historinë e dy grave të ndjeshme, ëndrrat e të cilave shkatërrohen nga tre burra brutalë, duke i çuar drejt një hakmarrjeje që përfundimisht bëhet çlirim. “Perhaps” vjen si një film me elemente noir dhe pritet së shpejti të dalë në premierë.

Foto nga afishja e filmit “PERHAPS”. Foto: Ibër Deari
Foto nga afishja e filmit “PERHAPS”. Foto: Ibër Deari

Në zhvillim (para-prodhim)

11.BORN TO LIVE – Kastriot Abdyli

12.AJAL – Arben Thaci

13.NGA OXHAKU NUK DEL TYM – Izer Aliu

Si filma shqip mundemi me i përfshi edhe dy projekte tjera, edhe pse janë me autorë maqedonas., por në këta filma flitet shqip dhe luajnë aktorë shqiptarë.

The War Is Over (2010) nga Mitko Panov i gjithë filmi zhvillohet në gjuhën shqipe.
Ndërsa The Day of the Woman (2023) nga Goce Cvetanovski është një nga filmat e parë që sjell një ekip të përzier, si në aktorë ashtu edhe në gjuhë, ku gjatë gjithë filmit përdoren si shqipja ashtu edhe maqedonishtja.

Pra, për rreth 18 vite, kjo është lista e filmave që janë prodhuar tek ne. Përveç filmit të gjatë, ka edhe filma me metrazh të shkurtër dhe dokumentarë, por ato do hyjnë në një listë tjetër.

Ajo që duhet me u ba sa më shpejt është që, gjatë prodhimit të filmave në vitet e ardhshme, përveç krijimit të vetë filmit, me u kriju mundësi edhe për regjisorë të rinj. Por fokusi nuk duhet me mbet vetëm te realizimi duhet me u zhvendos edhe te shpërndarja.

E di që është e vështirë, sidomos për shkak të mungesës së kinemave. Por me pak organizim dhe improvizim teknik, shfaqja e filmave mund të arrihet shumë më lehtë nga sa mendohet.

Dhe ajo që është më e rëndësishmja dhe nuk kushton asgjë është marketingu. Me e njoftu publikun që këta filma ekzistojnë.