Kuvendi i RMV-së e zgjodhi kryetarin e ri në Komisionin Rregullator për Energjetikë

Nëse mbetet e tillë gjendja me naftën në bursat botërore, duhet të pritet ulje e çmimit edhe në shitjen me pakicë. Komisioni Rregullator për Energjetikë llogaritjen e radhës duhet ta bëjë me kryetar të ri. Konkretisht, me 68 vota pro dhe 15 kundër, Kuvendi e zgjodhi Aco Ristov për kryetar të ri të KRRE, në vend të ish-kryetarit Marko Bislimoski, raporton TV21.

Kundër zgjedhjes së tij ishin deputetët e opozitës, sipas të cilëve bëhet fjalë për një person partiak, e jo të pavarur siç duhet të jetë personi i parë i këtij trupi rregullator.

Oliver Spasovski tha se Ristov është ish-kryetar komune i Radovishit dhe anëtar i shquar i VMRO-DPMNE-së, ndërsa edhe më keq është fakti që ai ka kompaninë e tij dhe është pronar i tre hidrocentraleve të vogla, duke realizuar kështu pjesëmarrje në sferën energjetike. Ndërkohë, në të njëjtën seancë për zëvendësguvernatorë të Bankës Popullore u zgjodhën edhe Ana Mitreska dhe Igor Veliçkovski.

Ndryshe, anëtarët e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, në muajin mars me shtatë vota “pro”, dy “kundër” dhe asnjë të përmbajtur, vendosën që Aco Ristov të propozohet për kryetar të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm Marko Bislimoski.

Aco Ristov është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës me përvojë të gjatë drejtuese në sektorët e energjetikës, hidroenergjetikës, furnizimit me ujë, trajtimit të ujërave, minierave dhe sistemeve infrastrukturore. Ai është me origjinë nga Radovishi dhe në periudhën nga nëntori 2021 deri në tetor 2025 ka ushtruar edhe funksionin e kryetarit të komunës së Radovishit.

Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimoski, dha dorëheqje më 12 shkurt. Ndërkaq, më 29 janar, Drejtoria e Policisë Financiare (DPF) ngriti padi penale kundër Bislimoskit, nën dyshimin për abuzim me pozicionin dhe autoritetin zyrtar. Në padinë e paraqitur më 29 janar thuhet se Bislimoski dyshohet se nuk ka vepruar në përputhje me Ligjin e Energjisë dhe nuk ia ka revokuar licencën kompanisë “Triterol Petrol” DOOEL Shkup në kohën e duhur, edhe pse ajo nuk i plotësonte kërkesat për tregtimin e naftës dhe karburanteve. Licenca dyshohet se duhej të revokohej në janar 2024, por procedura u ndërpre me vendim të paligjshëm dhe licenca u revokua vetëm në prill 2025.