Aco Ristov është propozuar për kryetar të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë

Anëtarët e Komisionit parlamentar për zgjedhje dhe emërime, në mbledhjen e sotme, me shtatë vota “pro”, dy “kundër” dhe asnjë të përmbajtur, vendosën që Aco Ristov të propozohet për kryetar të ri të Komisionit Rregullator për Energjetikë (KRRE), pas dorëheqjes së kryetarit të deritanishëm Marko Bislimoski. Propozimi duhet të miratohet në seancë plenare të Kuvendit, transmeton Portalb.mk.

Aco Ristov është inxhinier i diplomuar i elektroteknikës me përvojë të gjatë drejtuese në sektorët e energjetikës, hidroenergjetikës, furnizimit me ujë, trajtimit të ujërave, minierave dhe sistemeve infrastrukturore. Ai është me origjinë nga Radovishi dhe në periudhën nga nëntori 2021 deri në tetor 2025 ka ushtruar edhe funksionin e kryetarit të komunës së Radovishit.

Përveç Ristovit, në shpalljen për kryetar të KRRE-së ka aplikuar edhe Shamil Rexhepi nga Tetova, magjistër i shkencave ekonomike, i punësuar në KRRE që nga viti 2004.

“Kandidati nuk i plotëson kushtet e shpalljes. Ekonomist i diplomuar nuk është i përfshirë në shpallje, ndërsa shtetësia është e vitit 1995, gjë që mund të konsiderohet e pavlefshme”, tha kryetari i Komisionit, Gjorgjia Sajkoski.

Ndaj kësaj reagoi deputetja Arbana Pasholli nga BDI, e cila kërkoi përgjigje nga kryetari i Komisionit se pse në shpalljen publike është kufizuar kriteri për arsimin në raport me nenin 47 të Ligjit për Energjetikë.

“KRRE është institucion i rëndësishëm për sektorin energjetik dhe për mbrojtjen e interesit publik. Sipas nenit 47 të Ligjit për Energjetikë, kandidati për kryetar të KRRE mund të ketë arsimim në disa fusha të ndryshme, por në shpallje kriteret janë kufizuar vetëm në fushën e elektroteknikës dhe kjo krijon mospërputhje mes shpalljes dhe ligjit”, tha Pasholli.

Sajkoski sqaroi se sipas nenit 47 të Ligjit për Energjetikë, KRRE përbëhet nga shtatë anëtarë, njëri prej të cilëve është kryetar, ndërsa kryetari i deritanishëm, Bislimoski, ka qenë magjistër i elektroteknikës.

Kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës, Marko Bislimoski, dha dorëheqje më 12 shkurt. Ndërkaq, më 29 janar, Drejtoria e Policisë Financiare (DPF) ngriti padi penale kundër Bislimoskit, nën dyshimin për abuzim me pozicionin dhe autoritetin zyrtar. Në padinë e paraqitur më 29 janar thuhet se Bislimoski dyshohet se nuk ka vepruar në përputhje me Ligjin e Energjisë dhe nuk ia ka revokuar licencën kompanisë “Triterol Petrol” DOOEL Shkup në kohën e duhur, edhe pse ajo nuk i plotësonte kërkesat për tregtimin e naftës dhe karburanteve. Licenca dyshohet se duhej të revokohej në janar 2024, por procedura u ndërpre me vendim të paligjshëm dhe licenca u revokua vetëm në prill 2025.