Qeveria me ndryshime ligjore – për personat në “listën e zezë” të SHBA do të ngrihen procedura ligjore

Koço Angjushev, Orce Kamçev, Ramiz Merko, Sasho Mijallkov, Nikolla Gruevski janë vetëm disa nga personat që kohëve të fundit u gjendën në “listën e zezë” të SHBA-ve, ndërsa qeveria sot ka njoftuar se do të bëjë ndryshime ligjore që do mundësojnë ngritjen e procedurave për subjektet që janë nën sanksione nga ana e SHBA-ve, raporton Portalb.mk.

Trupi koordinues për analizë dhe forcim të legjislacionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar sot mbajti një mbledhje, në të cilën u shqyrtua mundësia e përforcimit të masave restriktive në lidhje me listën e sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, njoftojnë nga shërbimi për shtyp i qeverisë.

“Propozimi për ndryshime në Ligjin për masat restriktive është me iniciativë të zëvendëskryeministres përgjegjëse për politika të qeverisjes së mirë, Sllavica Grkovska, me qëllim që sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë të bëjnë me korrupsionin, krimin e organizuar, terrorizmin dhe kërcënimet hibride, të mund të zbatohen edhe në vendin tonë dhe subjektet e përfshirë në to t’i nënshtrohen sanksioneve sipas legjislacionit në vend”, njoftojnë nga Qeveria.

Të pranishmit në takim u pajtuan për nevojën e përgatitjes së një zgjidhjeje efektive, me të cilën do të zgjerohet shtrirja e listës së sanksioneve dhe do të plotësohet ligji me një procedurë në bazë të së cilës sanksionet e vendosura nga Shtetet e Bashkuara do të procesohen në legjislacionin tonë.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara si një aleat i dëshmuar i Republikës së Maqedonisë së Veriut është e një rëndësie tejet të madhe, si dhe përpjekjet e qeverisë amerikane për të promovuar paqen, stabilitetin dhe qeverisjen funksionale demokratike në rajon”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Trupi koordinues ka konstatuar se pas konsolidimit të vërejtjeve dhe propozimeve nga anëtarët që janë diskutuar në seancën e sotme, propozimi për ndryshime në Ligjin për masat restriktive do t’i dorëzohet Qeverisë dhe do të shqyrtohet dhe miratohet në ndonjërën nga këto seancat.

Në takimin e sotëm të kryesuar nga zëvendëskryeministrja Grkovska morën pjesë zëvendëskryeministri për çështje evropiane, ministrat e punëve të jashtme, mbrojtjes dhe financave, drejtorët e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Agjencisë të Zbulimit, Drejtorisë të të Ardhurave Publike, Drejtorisë së Inteligjencës Financiare, Drejtorisë së Doganave dhe Policisë Financiare, si dhe përfaqësues të ministrive të punëve të brendshme dhe të drejtësisë.

Përndryshe, i fundit në “listën e zezë” të SHBA-së u gjend biznesmeni dhe ish-zëvendëskryeministri Koço Angjushev për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të theksuar, siç bëhet e ditur në njoftimin e Departamentit të Shtetit. Atij i është ndaluar hyrja në Shtetet e Bashkuara, ndërsa ky vendim u përcoll këtë muaj.

Më herët, në muajin korrik të këtij viti, në “listën e zezë” të SHBA-ve u gjend edhe biznesmeni Orce Kamçev. Autoritetet amerikane kanë konstatuar se Kamçev ka përdorur ndikimin korruptiv dhe pasurinë e tij për të manipuluar me sistemin gjyqësor të Maqedonisë së Veriut në favor të tij.

Në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës u gjend edhe kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko, i cili në qershor të këtij viti u radhit në të për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të theksuar.

Në prill të vitit 2022, Departamenti Amerikan i Shtetit në listën e zezë e shënoi edhe ish-kryeministrin Nikolla Gruevski dhe ish-drejtorin e DSK-së Sasho Mijallkov, si përgjigje për përfshirjen e tyre në korrupsion të theksuar.

Lista e zezë amerikane u riaktuliazua kur më 5 dhjetor, Departamenti i Shtetit e shpalli Angjushevin të papërshtatshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në nivele dukshëm të larta të korrupsionit.

“Gjatë kohës që shërbente si zëvendëskryeministër, Angjushev keqpërdori pozitën e tij zyrtare në favor të interesave të tij private të biznesit, duke minuar besimin e publikut të Maqedonisë së Veriut në institucionet e tyre qeveritare dhe proceset publike”, thuhet në një deklaratë të Departamentit të Shtetit.

Në listë u shtuan gruaja dhe dy fëmijët e tij.

Në deklaratë thuhet se ky veprim tregon se “SHBA-të qëndrojnë në krah të atyre në Maqedoninë e Veriut që kërkojnë llogari nga zyrtarët e korruptuar publikë”, ndërsa Angjushev paralajmëroi se do ta apelojë vendimin.

Ndërkohë, kujtojmë se në raportin e fundit të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut, si dhe në raportet e mëparshme, janë shprehur mendime pozitive për punën e komisionit, ndonëse në vitet e fundit, rastet e hapura nga KSHPK-ja shpeshherë janë bërë objekt i “përplasjeve” me gjyqësorin dhe institucionet shtetërore. Komisioni ka reaguar ndaj presioneve në punë dhe prokuroria në një moment ka ngrirë bashkëpunimin me institucionin.