Kur rrethanat shoqërore cënojnë veprën letrare

Historia e librit njeh raste të shumta kur vepra letrare u paguan tagre rrethanave të kohës së botimit. Këtë fat e pati Saga ballkanike e Luan Starovës, e cila, në fillet e saj, për shkaqe jashtëletrare e jashtëkulturore u njoh  me vonesë, si shumë vepra të autorëve të tjerë. Kjo e vonoi për një kohë edhe pozicionimin e romanit serik të Luanit në shkallën e duhur të vlerave estetike shqiptare, duke e bërë atë më të respektuar jashtë se sa brenda trojeve tona. Për këtë fenomen shkroi Ylli Polovina gjatë ndarjes së çmimit letrar “Ballkanika”, më 2005 në Tiranë, ku Luan Starova konkuroi me romanin “Kurbani ballkanik”. Polovina e vërejti se qenë të rralla gazetat që botuan ndonjë foto të Luanit, ndonëse, sipas tij: Pikërisht ky shkrimtar i anashkaluar, thjesht për mosnjohje të mirë të veprës së tij apo për ndonjë rutinë të opinionit tonë, ishte zëri që na përfaqësoi kombëtarisht në takimin ndërkombëtar të Firencës. Dukuria e veprës së tij kishte zgjuar interes të spikatur, sepse ishte shqiptar që shkruante në tri gjuhë: shqip, maqedonisht dhe frëngjisht.

Për fat të mirë, të lajthiturit e kuptuan ndërkohë se Saga ballkanike, që nisi të shkruhet në stinën e trazuar me luftëra gjenocidiste në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë, në kohën kur askush nuk kishte ngenë e librit, është në fakt një vepër e rrallë romanore, pa të cilën, jo vetëm letërsia shqipe, po edhe letërsia ballkanike nuk do të ishte ajo që është aktualisht.

Shi për këtë, po ndalem pak në shpjegimin e shkaqeve që ngadalësuan familjarizimin e romaneve të Sagës me perlat e letërsisë shqipe:

– Disa romane të shkrimtarit trigjuhësor, Luan Starovës, u shkruan në gjuhën maqedonase, të cilën një kategori lexuesish me mungesë informacioni për veprat e shumta të letërsisë sonë të shkruara prej shekujsh në gjuhët e të tjerëve, e identifikuan me parinë e shtetit, që përbuzte etninë, kulturën dhe gjuhën shqipe.

– Seria e romaneve të Sagës nisi të botohet në vitet e ’90-ta, kur Shqipëria po kalonte njërën ndër stinët e liga të historisë së saj dhe po përballej me trazirat dhe egzodet biblike të njerëzve të dëshpëruar nga jeta që kishte prekur kufijtë e mizerjes së përgjithshme; kur Kosova dergjej nën çizmen e huaj me një jetë të zbritur në nivel ekzistence; kur shqiptarët e degdisur gjithandej mbetjeve të Jugosllavisë titiste, të shthurrur nga zjarret e luftërave të njëpasnjëshme, sapo kishin filluar procesin e emancipimit dhe ndërgjegjësimit kombëtar dhe po “përfitonin” atë që u ofronte fatkeqësia e vëllezërve të tyre nga Tirana e Prishtina që Tetovën dhe Shkupin i bënë agora aktivitetesh domethënëse kulturore.
– E cilësuar si atipike, e veçantë dhe e pakategorizueshme, vepra e Luanit nuk ishte në vijën e shijes estetike të lexuesit të mësuar me artin pragmatik të realizmit socialist. Si e tillë ajo ishte e parakohshme për auditorin e gjerë lexues, veçmas për lexuesin shqiptar të Maqedonisë.
– Fati i tij si letrar u lidh me kohën e ndërprerjes së një tradite dhe mungesën e kushteve për përqafimin e traditave alternative. Breza të tërë krijuesish humbën temat e preferuara dhe iu kthyen diskursit eseistik e publicistik. Letërsia dyngjyrëshe humbi dheun nën këmbë dhe nuk mund të shërbente më si model krijimtarie. Madje dëgjoheshin fuqishëm zëra për zhbërjen totale të krijimtarisë së periudhës moniste. Kurse modelet letrare evropiane duhej të njiheshin rishtas.
– Vepra e Luan Starovës erdhi në letërsinë shqipe në kohën kur imagjinatën krijuese e kishte kapluar gjumi, kur nuk lexohej më si më parë, kur morri hov lulëzimi i sprovave anarkike të mediokritetit, kur gjendeshim përbëllë një sistemi shpjegimesh e vlerash të nxituara, të kollajta e të cekta… dhe kur, mjerisht, u cënua edhe sistemi arsimor.
– Atëbotë nisi të lulëzojë arti intermedial, arti i medias së shumëllojshme, që sipas studiuesve ka prirje për të zhdukur receptorin tradicional, audiencën që e kupton artin e artistin. Qe kjo koha kur thuhej se romanit si formë madhore e artit i kishte mbaruar koha, si kohët e tragjedisë klasike, operave lirike ose soneteve.
– Luan Starova ishte shkrimtar shqiptar nga Maqedonia, të konceptuar nga shumëkushi si provincë, e cila karakterizohej me prurje modeste estetike.
– Ai nisi të njihet në botën shqiptare pas afirmimit të plotë në shtetet perëndimore, veçmas në botën frankofone. Ky fakt shpërfaq mungesën e gatishmërisë së konjunkturave të caktuara për garë kulturore përmes vlerash të dëshmuara, sepse, dihet: Rendi ekzistues është i plotë para se të arrijë vepra e re…

– Letërsia u përball me fenomenin e konkurencës jolojale të shkrimtarëve të partishëm, bindshëm më të paskrupullt se ata të sistemit monist. Skribomanët që u stacionuan më afër pushtetit nisën të promovohen lehtësisht si vlerë. Për ta sigurohen prezantime, përkrahje, përkthime shtetërore dhe favore pa fund.
– Vitet e ardhjes së Luan Starovës në letërsi përkuan me vitet e tranzicionit, kur shkrimtari u bë viktimë botuesish, u bë krah i lirë pune. E drejta e autorit u bë fjalë pa domethënie, sepse më të rëndësishëm se autori u bënë shitësit e librave. Autori u detyrua të pranojë statusin e rrogtarit, pa asnjë kontroll mbi produktet e tij, mbi numrin e kopjeve të botuara e të shitura. Ai, thjesht: detyrohej t’i kënaqej honorarit mizerje.
– Çështja që mund të jetë e fundit, vetëm nga shkaku për t’mos u bërë i mërzitshëm me shtrimin e argumenteve për disfavoret që shoqëruan ardhjen e Luan Starovës në letërsinë tonë, lidhet me natyrën modeste të autorit dhe faktin se ai nuk u bë pjesë e krijuesve që vetëpromovonin artin e tyre, që investonin në imazhin publik, që e kërkonin famën me domosdo dhe me të gjitha mjetet, pa pyetur në e kanë hallin dhe të drejtën për ta aspiruar pavdekësinë. Ai qe krijues dhe nuk pati kohë të merret me të tilla gjëra, pavarësisht të dhënës se ky virtyt ka dhe anën e kreshpëruar të medaljes, sepse një vepër që nuk pozicionohet në kohën e duhur në shkallët kierarkike të vlerave të një letërsie, e ka vështirë të zë vendin e saj të merituar në periudhat e mëpastajme kohore. Historia e letërsisë botërore njeh raste të shumta veprash që, vetëm për shkak të mungesës së publicitetit të kritikës, nuk e kanë zënë vendin e merituar në panteonin e vlerave estetike. Shekspiri, thotë Northrop Fraj, ishte më i popullarizuar se Uebsteri, por jo nga që ishte dramaturg më i madh; Kristi qe më pak i popullarizuar se Montgomeri, por jo nga që ky ishte poet më i mire... Shembuj të ngjashëm ka dhe letërsia shqipe, po më të freskët e më ilustrues janë veprat e autorëve të ekskomunikuar për një gjysëm shekulli, si ato të Konicës, Fishtës, Koliqit…, të hequra nga raftet e bibliotekave dhe nga tekstet shkollore e universitare, duke mos u lënë në konkurencë me shkrimtarët me fat më të mirë, si: Noli, Mjeda, Migjeni…, me veprat e të cilëve u rritën breza të tërë shqiptarësh.
Fatmirësisht, epoka e dixhitalizimit i solli dhe një të mirë letërsisë, duke i dhënë fund sindromit të fshehjes së gjatë të arushës në thes, veçmas kur një vepër letrare ka njohur famën e botës së qytetëruar dhe duke i pamundësuar ndërprerjet e frymimit të lirë të cilësdo vlerë, para së gjithash, brenda sinorit të saj të natyrshëm.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.