Xhaferi pranoi mandatin për formimin e Qeverisë teknike, Mitreski mori funksionin e kryeparlamentarit

Kryeparlamentari i deridjeshëm Talat Xhaferi pranoi nga presidenti i shtetit Stevo Pendarovski mandatin për formimin e Qeverisë teknike. Xhaferi përmes postimit në Facebook deklaroi se do të punojë me përkushtim dhe transparencë në këtë funksion të ri. Paraprakisht Jovan Mitrevski mori funksionin e kryeparlamentarit nga Talat Xhaferi, transmeton Portalb.mk.

“Me krenari dhe nder të veçantë e pranova Mandatin për formimin e Qeverisë. Edhe nga pozita e Kryeministrit do të vazhdoj të punoj me përkushtim, me përgjegjësi dhe transparencë, duke i pasur gjithmonë parasysh mirëqenien, përparimin dhe përfitimet e qytetarëve dhe shtetit”, shkroi në Facebook Xhaferi.

“Në bazë të nenit 84, paragrafit 1 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, dhe në pajtim me nenin 43 të Ligjit për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe propozimin e partisë më të madhe politike që përbën shumicën qeveritare, për mandatar të përbërjes së Qeverisë kalimtare për kryerjen e zgjedhjeve, emëroj z. Talat Xhaferin”, tha presidenti Pendarovski.

Ndërkohë, Jovan Mitrevski mori funksionin e kryeparlamentarit nga Talat Xhaferi.

Jovan Mitreski dhe Talat Xhaferi. Foto: Kuvendi i RMV-së
Jovan Mitreski dhe Talat Xhaferi. Foto: Kuvendi i RMV-së

Me 64 vota për dhe 40 kundër nga opozita, Jovan Mitreski sot gjatë ditës u zgjodh kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, sipas marrëveshjes ndërpartiake duhet të qëndrojë në atë pozitë deri në përfundim të mandatit të kësaj përbërje parlamentare.

Paraprakisht deputetët konfirmuan dorëheqjen e Talat Xhaferit nga funksioni i presidentit, i cili tashmë ka edhe mandatin për formimin e qeverisë teknike. U konstatua edhe dorëheqja e liderit të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski nga posti i kryeministrit.

Nesër paradite, me 27 janar, Xhaferi duhet të paraqesë në Kuvend programin dhe përbërjen e Qeverisë dhe seanca zgjedhore të thirret më 28 janar.

Paraditen e djeshme, kryeministri Dimitar Kovaçevski personalisht ka dorëzuar dorëheqjen në Kuvend, që do të thotë se e gjithë Qeveria dha dorëheqje deri në zgjedhjen e qeverisë teknike të dielën, më 28 janar. Pas tij, dorëheqje dha edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në përputhje me Nenin 115 të Rregullores për punën e Kuvendit. Ai e autorizoi nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Goran Misovskin, të kryesojë me seancën plenare të caktuar sot më 26 janar 2024.

Më 28 janar pritet të formohet Qeveria teknike dhe se do të respektohet marrëveshja që kryeministri të jetë nga radhët e BDI-së, i cili nga kjo parti është propozuar Talat Xhaferi.

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj, e mërkurë, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale do të jetë më 24 prill, po ashtu e mërkurë.

Ndryshe, nga dita e shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit duhet të kalojnë jo më pak se 70 ditë dhe jo më shumë se 90 ditë. Nëse janë më 24 prill në raundin e parë dhe 8 maj për raundin e dytë, atëherë shpallja e zgjedhjeve do të duhet të jetë më 27 shkurt, që siguron të paktën 70 ditë deri në zgjedhje.