Kur ligjshmëria flijohet …

Parimi kryesor i të drejtës penale është parimi i ligjshmërisë. Në mënyrë që drejtësia të funksionojë në një shtet, duhet të vlejë për të gjithë njësoj. Ky ka qenë parimi revolucionar në të cilin është bazuar Revolucioni Borgjez Francez përmes të cilit Evropa ka dalë nga feudalizmi dhe ka hyrë në sistemin pluralist që është baza e demokracisë moderne. Bekaria ka thënë që Kodi Penal duhet të vlejë për të gjithë njësoj, nga kasollja deri në pallat, nga lypësi deri tek perandori. Të gjithë duhet të jenë të barabartë para ligjit. Nëse nuk janë të barabartë, dhe disa privilegjohen para të tjerëve që diskriminohen, atëherë ligjet vlejnë në mënyrë arbitrare, bazuar jo në frymën e ligjit por në vullnetin e atij që i zbaton.

Ne asesi të dalim dot nga ai feudalizmi i drejtësisë arbitrare, tash e sa vite, tash e sa dekada, tash e sa shekuj. Sërish, edhe pas gjithë angazhimit, protestave, debateve, fjalimeve, ligjet për dikë vlejnë, e për disa të tjerë nuk vlejnë. Për disa të privilegjuar, ligjet ndryshojnë brenda natës që ata të mund të lirohen nga burgu, të mund t’u parashkruhen veprat penale dhe të mund të kthehen sa më parë në jetën politike, ku i presin vendime të rëndësishme. Për disa të tjerë, më pak të privilegjuar, ligjet zbatohen deri në germën e fundit.

Hegel e sqaron drejtësinë penale duke përdorur rregullat bazike të logjikës. Ai thotë që kur dikush kryen një krim, ai shkakton negacion të ligjit (pra me fjalë tjetër, bën një minus të madh ndaj shoqërisë). Kur shteti e ndëshkon kryersin e krimit shkakton negacion të krimit (pra dënimin e përshkruan si një minus që i jepet kryersit të krimit, si një e keqe që shoqëria ia përcakton kryersit sepse edhe ai ka bërë keq). Sipas rregullit bazik të logjikës, negacioni i negacionit paraqet afirmacion (në matematikë bashkimi i dy minusave jep gjithmonë plus). Pra sipas Hegelit, e vetmja mënyrë që të rivendoset balansi në shoqëri është që e keqja e krimit të ndëshkohet përmes së keqes së dënimit. Vetëm atëherë shoqëria mund të balansohet dhe të ecë përpara.

Shoqëria jonë nuk ecën dot përpara sepse nuk vendoset përgjegjësi penale efektive për shkelësit e drejtësisë. Për arsye politike, ne vazhdojmë të bëjmë kompromise pa fund me drejtësinë. Bëmë kompromis me amnestinë e pjesshme për 27 prillin, bëmë kompromis me mosefikasitetin e gjyqësorit për ti gjykuar në kohë rastet më të rënda të kriminalitetit të jakave të bardha, bëmë kompromis me ndryshimin ekspres të Kodit Penal që mundësoi që krimet esenciale të ndjekura nga ish-PSP të mos dënohen, dhe kur sërish u dash të bëjmë edhe një kompromis përmes Ligjit për Amnisti, u kujtuam që nuk duheshka t’i amnistojmë kryersit e dënuar të veprave penale. Drejtësia nuk është drejtësi kur vlen për disa dhe nuk vlen për të tjerë. Kur një herë krimet amenstohen, falen, parashkruhen, humben argumentet që të tjerët të vazhdojnë të përgjigjen penalisht. Për këtë shkak, Bekaria ka qenë parimisht kundër amnesitisë dhe faljes sepse shkojnë në kundërshtim me parimin e ligjshmërisë që kërkon që ai që ka bërë krim të përgjigjet për të njejtin. Por amnesti ose duhet të ketë për të gjiithë, ose të mos ketë për asnjë.

Sipas teorisë së Hegelit, ne jemi tërë kohën në negacion të drejtësisë. Për secilin minus që kryersit e rëndësishëm të veprave penale e bëjnë, shteti herët a vonë dhe në forma të ndryshme jep nga një plus. Kështu balansi në shoqëri assesi të vendoset dhe ne jemi në një negacion perpetual të ligjit. Dikush bën një krim, gjyqësori e dënon, amnesita e fal. Dikush tjetër bën një krim, gjyqësori e mban lëndën në fjokë gjersa parashkruhet. Dikush tjetër bën një krim, Kuvendi e ndryshon Kodin Penal dhe ai shpëton nga dënimi. Dikush bën një krim, dhe vazhdon të dënohet sepse Kuvendi që ka votuar plot ligje amnistie, kësaj radhe nuk dëshiron të votojë një të tillë. Kjo është gjithka përveç sigurisë juridike. Qytetari nuk mund të jetë asnjëherë i sigurtë se çfarë trajtimi do të ketë, sepse askush nuk trajtohet njësoj. Arbitraritet të tillë mesjetar nuk duhet të ketë në vendet moderne me sistem demokratik dhe me ndarje të mirëfilltë të pushtetit.

Drejtësia duhet të vlejë o për të gjithë, o për askënd. Ndryshe nuk është drejtësi.