RMV, në paraburgim edhe një i dyshuar në rastin “Zinxhiri”

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka njoftuar që i dyshuari i parë në rastin “Zinxhiri” do të jetë në paraburgim për 30 ditë, transmeton Portalb.mk.

“I dyshuari i parë në lëndën “Zinxhir” i cili ishte i pakapshëm për organet është siguruar dhe është nxjerrë para gjykatësit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale në Shkup. Duke llogaritur në propozimin e prokurorit paraprak dhe Vendimin e gjykatësit, i është caktuar masë e paraburgimit për 30 ditë”, njoftoi Prokuroria.

Ai llogaritet si një nga tre organizatorët e grupit kriminal.

Në lidhje me rastin e njëjtë, Policia Financiare ka sqaruar që ka kryer aksion në lidhje me krimin ndaj financave publike dhe pagesave përmes transaksioneve.

Ndryshe,  28 firma të RMV-së, të drejtuara nga 26 persona nëpërmjet një skeme për fshehje tatimi dhe larje parash, kanë arritur ta dëmtojnë buxhetin e shtetit për 8 milionë euro, njoftoi më 30 tetor Prokuroria për Ndjekje të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për rastin, të cilin e quan me emrin “Zinxhir”.

Të dyshuarit, me të gjitha veprat e paligjshme, kanë shmangur të paguajnë tatim në vlerë prej 490.808.618 denarë ose 7.980.627 euro.