Kur ligjet nuk mund të mbahen në xhep

Me 21 Shtator 2023 Gjykata Kushtetuese solli një vendim tejet të rëndësishëm. Gjykata e hodhi poshtë iniciativën për të ngritur procedurë për shqyrtimin e kushtetueshmërisë së Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës e cila iniciativë kohë më parë u bashkua me iniciativën tjetër për shqyrtimin e kushtetueshmërisë së Ligjit të Gjuhëve. Ky bashkim u bë për shkak se baza për ngritjen e të dy iniciativave ishte e përbashkët në pjesën ku kontestohet fakti që këto dy ligje u shpallën në Gazetën Zyrtare të RMV-së pa nënshkrimin e presidentit të atëhershëm, Gjorge Ivanov, i cili për këto dy ligje vendosi të përdorë atë që quhet “vetoja e xhepit”. Por fatmirësisht, këto dy ligje të rëndësishme nuk mbetën në xhepin e Ivanovit, por të njejtat hynë në fuqi duke qenë se u publikuan në Gazetën Zyrtare me nënshkrimin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi. Që atëherë, u ngritën shumë dilema juridike se a kishte të drejtë kryeparlamentari të bënte një veprim të tillë. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese si autoriteti më i lartë i shtetit që vendos për kushtetueshmërinë e akteve juridike, konstaton që ky veprim i kryeparlamentarit ka qenë juridikisht i vlefshëm dhe i duhur në situatën e një zbrazëtire juridike me të cilën jemi ballafaquar disa herë më parë, e në të shumtën e rasteve si pasojë e veprimeve të pamatura, skandaloze dhe juridikisht tejet problematike të ish-presidentit Ivanov.

T’i rikujtojmë shkurtimisht këto ndodhi në botën e çudirave juridike të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e Prespës u nënshkrua në vitin 2018 dhe më pas hyri në procedurë kuvendore Ligji për ratifikimin e kësaj marrëveshjeje. Pas debatit në Kuvend, ligji u votua me shumicën e duhur të votave pra me 68 vota nga gjithësej 120 deputetë. Pas votimit të ligjit, Dekreti për shpalljen e ligjit shkon tek Presidenti, i cili është i obliguar që në afat prej 7 ditësh të prononcohet për ligjin në fjalë. Ky ishte momenti kur Ivanov vendosi veton e tij dhe e ktheu ligjin në rishqyrtim në Kuvend. Ligji shkoi sërish në Kuvend ku sërish u votua me 68 vota. Kushtetuta e RMV parasheh që në këtë situatë, kur pas vetos së presidentit ligji sërish është votuar në Kuvend, presidenti është i obliguar ta nënshkruajë Dekretin e shpalljes së ligjit në Gazetën Zyrtare. E megjithatë, Ivanov nuk e kreu këtë obligim dhe shfrytëzoi zbraztirën ligjore që nuk përcakton detajet se çfarë ndodh në rastet kur presidenti nuk e përmbush obligimin e tij. Institucionet pritën disa muaj që Ivanov të ndryshojë qëndrim, por ai kishte vendosur ta përdorë atë që quhet veto e xhepit, e që në këtë rast nënkupton që presidenti mund ta mbajë në xhep ligjin që nuk dëshiron ta shpallë në gazetën zyrtare, megjithëse këtë e ka obligim ligjor dhe kushtetues. Të njëjtën strategji Ivanov e përdori edhe në rastin e Ligjit të gjuhëve ku poashtu nuk e nënshkroi Dekretin për shpalljen e ligjit në Gazetën Zyrtare edhe pasi ky ligj ishte votuar dy herë në Kuvend. Por Ivanov harroi diçka me rëndësi: disa ligje janë aq të rendësishme sa që nuk mbahen dot në xhep, qoftë ky edhe xhepi presidencial.

Lexuesit që do të lexojnë për këtë situatë që ngjan më shumë me një tragji-komedi të hyrje-daljes nga xhepi, do të pyesin veten si ka mundësi që Kushtetuta jonë të ketë një zbrazëtirë të tillë juridike që e mundëson një situatë kaq absurde!? I rikujtoj lexuesit që Ivanov ka qenë përgjegjës për situata të tjera edhe më absurde, kur duke u bazuar në nen që nuk ekziston fali 56 persona të dyshuar për korrupsion, mes të cilëve kishte persona që ishin dëshmitarë, si dhe të tjerë për të cilët as edhe nuk ishin ngritur ende hetime. Aq shumë e ngatërroi sistemin juridik sa që edhe institucionet ndërkombëtare si Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, nuk arritën ende ta zgjidhin këtë problem.

Siç kanë thënë të moçmit: “Një i çmendur hedh një gur në liqen, 100 të urtë nuk e nxjerrin dot”. Problemi me zbrazëtirat juridike qëndron aty se zbrazëtira gjithmonë mund të gjinden, por detyra e udhëheqësve të përgjgjegjshëm është që të mos i keqpërdorin ato në dëm të interesit publik të qytetarëve. Gjatë një bisede, eksperti i njohur Reinhard Priebe, tregoi një moment nga koha e studimeve të tij, kur me profesorin e të drejtës kushtetuese kanë diskutuar për disa zbrazëtira juridike në Kushtetutën e Gjermanisë, dhe një kolegë i tij e ka pyetur profesorin: “Po çfarë ndodh nëse unë vendos që ta shfrytëzoj këtë zbrazëtirë dhe të bëj një veprim të papëlqyeshëm dhe të dësmshëm por që nuk është i dënueshëm në mënyrë direkte sipas ligjit?” Përgjigja e profesorit ka qenë kjo: “Ti thjesht nuk do ta bësh atë”.

Kur është shkruar Kushtetuta e RMV-së në vitet 1990 rrallë kush ka mundur të mendojë shumë gjëra që kanë ndodhur në vitet në vijim, dhe askujt s’i ka shkuar mendja për veprimet me të cilat Ivanov e groposi drejtësinë në këtë vend e cila drejtësi sot e kësaj dite assesi të dalë nga ajo gropë ku fundoset rishtazi e rishtazi pa pushim. Ç’është e drejta, në ato vite të errëta të fundit të shekullit të kaluar, rrallë kujt i ka shkuar mendja edhe që kryeparlamentari i këtij vendi një ditë do të jetë shqiptar dhe do të bëjë veprime për ta zbatuar frymen e Kushtetutës që një president është munduar ta minojë. Shumë gjëra kanë ndryshuar që atëherë dhe shumë zbrazëtira janë identifikuar e të cilat nevojitet të plotësohen sa më parë, kur të krijohen kushte për një debat racional rreth aktit më të lartë juridik të këtij shteti.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese identifikon tri argumente shumë të rëndësishme juridike të cilat do të përdoren tash e tutje si praktikë gjyqësore në të gjitha rastet tjera që do të vijojnë:

  1. Ashtu siç u tha më lartë, iniciativa për ta kontestuar Ligjin për ratifikimin e Marrëveshjen e Prespës por edhe Ligjin për përdorimin e gjuhëve bazohej në faktin se Dekreti për shpalljen e këtyre ligjeve u nënshkrua nga Kryetari i Kuvendit dhe jo nga Presidenti i shtetit. Përpiluesit e iniciativës kërkuan nga Gjykata Kushtetuese që këtë Dekret ta shpallë akt në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese vendosi që Dekreti nuk është akt i veçantë ku duhet të vlersohet kushtetueshmëria, por është pjesë e procedurës së sjelljes së një ligji, pra për të, nuk mund të vlerësohet në veçanti kushtetueshmëria sepse është dekret, dhe jo ligj. Duke qenë se vet iniciativa kundër Marrëveshjes së Prespës merret me detaje legalistike të kësaj natyre, është me rëndësi që Gjykata Kushtetuese i përgjigjet në të njejtën formë me argumentin e parë me natyrë legaliste.
  2. Argumenti i dytë që e përdor Gjykata Kushtetuese shkon përtej interpretimit gramatikor dhe dogmatik të Kushtetutës dhe arrin në interpretimin teleologjik apo qëllimor. Gjykata konstaton se vullneti i deputetëve e personifikon vullnetin e qytetarëve, përkundër vullnetit të një njeriu. Rregullimi shtetëror në RMV është demokraci parlamentare dhe jo monarki. Ky argument është shumë i rëndësishëm dhe esencial për zgjidhjen e kësaj situate juridike, që e arsyeton edhe veprimin e kryeparlamentarit Xhaferi që në këtë rast e ka zbatuar frymën e Kushtetutës dhe esencën e demokracisë parlamentare në një situatë ku presidenti i shtetit ka refuzuar ta kryejë obligimin e tij që derivon po nga kjo Kushtetutë. Pra në vend se të rrijë duarkryq, kryeparlamentari ka ndërmarrë veprim të arsyeshëm dhe të duhur për zbatimin e vullnetit të qytetarëve dhe për të zgjidhur një situatë që shkon kundër frymës së Kushtetutës, demokracisë parlamentare dhe interesit publik të qytetarëve. Është shumë e rëndësishme që gjykata e ka identifikuar këtë moment dhe në të e ka bazuar vendimin e saj.
  3. Aspekti i tretë i rëndësishëm është diskutimi mbi afatin e shpalljes së ligjit në Gazetën Zyrtare ku poashtu kishte dilema për shkak të shpalljes së vonshme të Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Prespës, disa muaj pasi Ivanov nuk e nënshkruajti Dekretin. Në këtë drejtim, Gjykata me të drejtë konstaton që Kushtetuta përcakton afatin vetëm pas votimit të parë të ligjit në Kuvend, kur brenda 7 ditësh Presidenti i shtetit duhet të prononcohet se a vendos veto ose jo. Pas votimit të dytë në Kuvend Kushtetuta përcakton që Presidenti është i obliguar ta nënshkruajë Dekretin por nuk përcakton afat se kur duhet ta bëjë këtë. Gjykata Kushtetuese konstaton që Presidenti e ka keqpërdorur këtë zbraztirë juridike dhe e ka anashkaluar obligimin e tij. Nga ana tjetër, institutcionet tjera, konkretisht Kuvendi i RMV, i kanë dhënë mjaftueshëm kohë Presidentit që ta kryejë obligimin e tij, dhe më pas, kanë vepruar për ta shpallur ligjin sepse bëhej fjalë për obligime të cilat derivojnë nga marrëveshje ndërkombëtare e për të cilat natyrisht, vlen parimi “Pacta sunt servanda” – “Marrëveshjet duhet të zbatohen”.

Argumenti kryesor i këtij vendimi të rëndësishëm të Gjykatës Kushtetuese është se nuk mund të lejohet që vendime të rëndësishme për jetën dhe prosperitetin e qytetarëve të bëhen viktimë e keqpërdorimit të zbrazëtirave juridike nga ana e funksionarëve të papërgjegjshëm të cilët nuk e zbatojnë as Kushtetutën e as ligjin dhe për këtë nuk bartin asnjë përgjegjësi. Veprimet të tilla të funksionarëve që i shërbejnë partisë dhe jo qytetarëve shkojnë në kundërshtim të plotë me parimet esenciale të qeverisjes në funksion të qytetarëve. Në raste si këto bëhet dallimi mes politikanëve të cilët mendojnë deri tek zgjedhjet e ardhshme dhe burrështetasve të cilët mendojnë përtej interesit të ngushtë partiak dhe në funksion të interesit të përgjithshëm publik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.