Disbalanc i investimeve të IPA fondeve mes rajoneve në RMV, SÇE arsyetohet se projektet nuk mbështeten në bazë të rajoneve

Mbështetja e projekteve për shkak të përkatësisë rajonale nuk është kriter për planifikimin e fondeve IPA, arsyetohet Sekretariati për Çështje Evropiane në lidhje me disbalancin e investimeve përmes fondeve IPA të BE-së mes tetë rajoneve planore të Maqedonisë së Veriut. Gjegjësisht, sipas të dhënave që i publikoi Portalb.mk, prej vitit 2007-të, në tetë rajonet e vendit janë investuar mbi 800 milionë euro, prej këtyre mjeteve, më së shumti apo 122 milionë euro janë investuar në Rajonin e Vardarit, ndërkaq më së paku apo vetëm 29 milionë euro janë investuar në Rajonin e Pollogut, njofton Portalb.mk.

“Qëllimi parësor i financimit nëpërmjet IPA-s është procesi i afrimit me BE-në, i cili është proces shumë i kushtueshëm dhe për këtë arsye ky program i BE-së mbështet dhe financon projekte që lidhen me përpjekjet për reforma. Projektet për të cilat sigurohen burimet financiare varen nga gatishmëria e tyre teknike, gjegjësisht maturimi, kjo vlen veçanërisht për projektet e infrastrukturës”, thanë nga SÇE.

Nga atje nënvizuan se në zbatimin e IPA-s deri më tani ka pasur rast kur i gjithë programi IPA iu dedikua tre rajoneve të vendit që kanë mbetur ekonomikisht pas pjesës tjetër, përkatësisht Pollogut, rajonit Verilindor dhe rajonit Jugperëndimor.

“Bëhet fjalë për Programin Vjetor të Veprimit IPA 2, ku janë planifikuar dhe në vazhdim projekte për zhvillimin ekonomik, arsimin, përfshirjen sociale dhe zhvillimin e bujqësisë. Shembull i ngjashëm është projekti për komunat ku ka pasur thirrje në të cilën mund të marrin pjesë të gjitha komunat në vendin tonë. Gjithashtu në programin e ri IPA 3 në vitin 2021 është planifikuar paketë investimesh në nënrajonin e Prespës”, sqarojnë nga SÇE.

Ata shtojnë se krahas projekteve kombëtare IPA, ka edhe programe për bashkëpunim ndërkufitar me shtetet fqinje, ku Pollogu për shembull mund të aplikojë me Kosovën dhe Shqipërisë, ku të njëjtat janë më të vogla sa u përket limiteve financiare dhe varen nga gatishmëria e projekteve.

“Fondet IPA janë të kufizuara dhe prioritizimi është shumë i rëndësishëm. Kjo nuk do të thotë se prioritizimi është bërë në dëm të rajonit të Pollogut. Në të ardhmen synohet përmirësimi i përgatitjes së strategjive sektoriale, por edhe ngritja e kapaciteteve në komunat e rajoneve për zbatimin e fondeve të BE-së”, thanë nga SÇE.

Nga atje shtojnë se programimi i fondeve IPA zbatohet në bazë të prioriteteve të Bashkimit Evropian për vendin nëpërmjet të të ashtuquajturit Instrumenti për ndihmën e para-anëtarësimit, si dhe përgjigja strategjike e vendit se si do të shpenzojë fondet, ku theksuan se kjo është e rëndësishme për IPA 2021-2027.

“Prandaj, prioritetet e financimit rrjedhin nga strategjitë kombëtare dhe strategjike, të tilla si Strategjia Kombëtare e Transportit, Strategjia Kombëtare e Energjisë, Strategjia Kombëtare e Reformës në Administratën Publike, Programi i Menaxhimit të Financave Publike, Strategjia e Zhvillimit të Gjyqësorit, Strategjia Kombëtare e Ujërave, ku fjalën kryesore e lanë institucionet kombëtare mbi të gjitha ministritë etj”, thanë nga SÇE.

Krahas fondeve IPA, programi IPARD është pjesë e fondeve të BE-së nga shteti, por këtu fondet i drejtohen fermerëve individualë dhe kompanive nga industria agroushqimore, dhe këtu kompanitë duhet të tregojnë interes për përdorimin e këtyre fondeve.

Ndryshe, siç shkruajti Portalb.mk, nga gjithsej 812 milionë euro të fondeve paraqasëse IPA, më shumë janë të investuara në rajonin e Vardarit, Pellagoni dhe në rajonin e Shkupit, ndërsa në fund të listës është Pollogu, rajoni Jugperëndimor dhe ai Verilindor.

Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Infografik: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Në lidhje me disbalancin e investimeve të fondeve IPA në rajonet e vendit, konkretisht për rajonin e Pollogut kritika pati nga nisma qytetare “Më mirë për Tetovën”, ku sipas tyre që nga ndarja e vendit në tetë rajone planore, Pollogu është vazhdimisht rajoni më pak i zhvilluar dhe me investime më të vogla. Ndërkaq, shkaku sipas tyre nuk është një por gërshetim i shumë faktorëve. Ndërkaq sipas Qendrës për Zhvillimin e Rajonit Planor të Pollogut ky problem nuk ka të bëjë shumë me komunat, siç thonë nga atje zakonisht projektet infrastrukturore i implementojnë ministritë nëpërmjet drejtorisë për menaxhim me fondin (CFCD). Theksuan se komunat ndihmojnë por përgjegjësia është e Qeverisë.