Kumti për mungesën e përparimit

Prijësit flasin për fitore, për përparim, për të ardhmen e bukur, të ndritur, të begatshme. O parulla shekujsh shpikur për t’i fshehur mashtrimet dhe për ta errësuar mendjen e njerëzve!

Nga Europa vijnë kumte të tjera. Raporti i Komisionit Europian për progresin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nuk flet për përparime. Aty shprehet shqetësim për ngecjen e vendeve të rajonit në shumë sfera.

Raporti, siç informoi gjerësisht Portalb-i, e thekson se në Maqedoninë e Veriut s’ka përparim në luftën kundër korrupsionit; se korrupsioni është i shprehur në shumë fusha; se ndryshimet e Kodit Penal i pengojnë autoritetet që t’i hetojnë dhe t’i ndjekin penalisht veprat për korrupsion; se ka vonesa e anulime në gjykimet e çështjeve të korrupsionit të nivelit të lartë; se me procedurë të përshpejtuar parlamentare janë reduktuar dënimet maksimale për vepra penale që lidhen me korrupsionin; se vjetrohen lëndët për korrupsion të nivelit të lartë; se autoritetet pengohen që t’i hetojnë veprat e këtilla shkaku i ndikimeve të jashtme; se polarizimet politike e pengojnë miratimin e ligjeve reformuese; se s’ka pajtueshmëri të partive kryesore rreth procesit të negociatave për anëtarësim në BE; se mungon debati politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës në Parlament; se s’ka transparencë rreth financimit të partive politike; se vendi duhet t’i forcojë kapacitetet për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve të inteligjencës…

Ka edhe vërejtje të tjera, sikurse ato për trafikimin, abuzimin seksual, dhunën, mbrojtjen sociale, arsimin, legjislacionin, varfërinë, diskriminimin e fëmijëve etj.

Problemet janë shtresuar ndër vite. Nga qeveritë e kaluara dhe nga kjo e tashmja. Vetëm zhurma është e njëjtë. Dhe zhurma shtohet kur afrojnë zgjedhjet pa zgjidhje.

E dimë se do të ketë zgjedhje parlamentare. Këtë e kuptojmë nga zënkat e partive politike. Sapo në prapaskenë vendoset të zgjedhje të reja, partitë, sipas një “marrëveshjeje” të heshtur, zihen edhe më shumë. Politika këtu është vetëm art i mashtrimit. Nëpërmjet zhurmës politike votuesit duhet të zgjohen nga letargjia. Kjo arrihet më lehtë duke krijuar tensione partiake dhe etnike. Frika i mobilizon votuesit potencialë para “çastit historik”. Këtu gjithçka është historike, prandaj njerëzit nuk janë të lumtur. Monteskje tha: “Janë të lumtur popujt me histori të mërzitshme”.

Pas luftës (në këtë rast, luftës politike), siç tha Sartri, sërish do të dobësohen të dobëtit, do të pasurohen të pasurit dhe do të fuqizohen të fuqishmit. Dhe… Askush s’do të shqetësohet për raporte progresi ku nuk shënohen progrese. Pasojat e kësaj gjendjeje i shohim në stacionet e autobusëve dhe nëpër aeroporte. Prej aty të rinjtë e të rejat ikin çdo ditë nga vendi në kërkim të një jete të re dhe të pangarkuar nga ankthet e përditshme.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.