Kryetarja e Supremes Besa Ademi ia numëroi Këshillit Gjyqësor raportet për trysni politike, pasi refuzoi takimin

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, nëpërmjet një letre sqaruese, ka treguar arsyet e refuzimit të ftesës së Këshillit Gjyqësor, për të realizuar takim pune, në të cilin do të diskutohej për deklaratat e Ademit se ka përzierje dhe trysni të politikës ndaj gjyqtarëve të gjykatave më të larta. Sipas kryetares, nuk është kompetencë e Këshilli Gjyqësor të organizojë takime pune për tekste gazetareske, ndërkaq në letrën sqaruese ka radhitur një sërë raportesh, të cilat tregojnë se gjyqësori në RMV është nën ndikim dhe trysni të politikës, shkruan Portalb.mk.

Kryetarja Ademi thekson se shkrimet për gjendjet në gjyqësor, përfshirë edhe shkrimet për ndikime potenciale ose të pranishme, duhet të vlerësohen si kontribut thelbësor për pavarësinë e gjyqësorit.

“Kjo në fakt është edhe një prej qëllimeve të angazhimit për gjyqësor të hapur, por edhe për përpjekjet për mbrojtjen e pavarësisë dhe reputacionit të gjyqësorit dhe për përforcimin e besueshmërisë së qytetarëve ndaj pushtetit gjyqësor”, shkruan Ademi.

Sipas saj, për ndikimet politike në gjyqësor nuk flitet vetëm në shkrimet mediatike, por edhe në raportet relevante ndërkombëtare, të cilat i vlerësojnë gjendjet në gjyqësor.

“Konstatimet në raporte janë të vazhdueshme dhe shumë serioze”, thotë Ademi, duke numëruar raportin e Komisionit Evropian, Raportin e Pribesi, Departamentit të Shtetit, anketën e fundit të OSBE-së, por edhe raportet e organizatave civile.

Ndaj trysnive nëpërmjet deklaratave konkrete edhe për ndodhi konkrete kanë treguar madje edhe anëtarë të Këshillit Gjyqësor, por edhe ish kryetari i Këshillit Gjyqësor, thotë Ademi

“Edhe përskaj këtyre deklaratave, opinioni nuk mori përgjigje nëse Këshilli Gjyqësor ka ndërmarrë veprime përkatëse, me sqarim për çfarë trysni bëhet fjalë”, thekson Ademi, duke shtuar se dispozitat ligjore në të cilat thirreni në ftesë, edhe pse gabimisht janë cituar në të dyja versionet, ishin edhe atëherë të vlefshme.

“Njëkohësisht, në lidhje me strukturën dhe qëllimin e ftesës duhet të theksohet se dorëzimi i ftesave dhe organizimi i takimeve të punës për shkrime gazetareske dhe intervista, as është përkatës, as pak ndaj kësaj i referohen kompetencat e Këshillit Gjyqësor. Prej këtu, qasja e këtillë nuk është në drejtim të plotësimit të qëllimeve ligjore për mbrojtjen e gjyqësorit, si parim themelor, të caktuar edhe në mendimet e Këshillit Konsultues të Gjykatësve Evropian dhe në dokumentet ndërkombëtare për gjyqësor të pavarur”, thotë Ademi.

Sipas saj, për ndikimet politike në gjyqësor si dukuri e pranishme dhe çështje e rëndësishme shoqërore, nevojitet diskutim më i gjerë publik pasi bëhet fjalë për problem që e tangon shtetin dhe qytetarët, dhe me atë edhe aktorët tjerë dhe pushtetet tjera.

“Jam fuqishëm e bindur se këtë javë dhe në periudhën e ardhshme, menjëherë pas marrjes së raporteve të Bashkimit Evropian dhe të Komisionit Vlerësues për punën e Këshillit Gjyqësor, do të hapen çështje thelbësore për problemet në gjyqësor, por edhe do të jepet udhërrëfyes i qartë për hapat të cilat duhet të ndërmerren më tej. Konstatimet nga dy raportet, përfshirë edhe çështjen e trysnive politike dhe ndikimeve së shpejti do të jenë shkas për këmbimin e mendimeve dhe hapjen e diskutimit të ri në kuadër të ngjarjeve punuese dhe takimeve të cilat japin kontribut të mëtutjeshëm për sundimin e së drejtës”, thotë Ademi.

Në paragrafin e fundit të letrës sqaruese, Ademi informon se në këtë periudhë para raporteve, tanimë ka caktuar ngjarje me Koalicionin “Bashkë për Gjykim të Drejtë”, në të cilën do të nënshkruhet Memorandum për bashkëpunim në të cilin do të theksohet edhe rëndësia e pavarësisë së gjyqësorit dhe rezistenca nga ndikimet dhe trysnitë politike.

Ndryshe, paraprakisht Besa Ademi ka pranuar se ka pasur presione për të vepruar mbi nisëm e cila do të kthente në fuqi abolimin e ish presidentit Gjorgje Ivanov nga viti 2016. Ademi në një intervistë për SDK.MK ka deklaruar se gjykatësit e Supremes nuk janë dhe nuk do të bëhen vasal të pushtetit dhe se vendimet do të bazohen në ligj dhe Kushtetutë.

“Ka situata dhe tentime për ndikim të drejtpërdrejt të politikës dhe pushteteve tjera me qëllim realizimin e agjendave të cilat nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe kompetencat e organeve gjyqësore”, ka deklaruar kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi.

Lidhur me vizitën e ambasadores amerikane, Angela Price Aggeler, Ademi ka shtuar se mbështetja dhe inkurajimi i SHBA-ve ishte që gjykata më e lartë në vend të mos dalë nga kompetencat kushtetuese dhe ligjore pavarësisht presioneve që mund të vijnë nga jashtë.

Gjatë kësaj vizite, ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angela Ageler, theksoi se është e nevojshme t’u jepet mbështetje e fuqishme angazhimeve të tilla për një gjyqësor të pavarur dhe transparent dhe se aktivitetet e Gjykatës Supreme në këtë drejtim japin një kontribut kyç në procesin e reformave.