Këshilli Gjyqësor ftoi në takim kryetaren e Gjykatës Supreme pasi deklaroi se ka presion politik ndaj gjyqtarëve

Këshilli Gjyqësor përmes një ftese me shkrim e ka thirrur kryetaren e Gjykatës Supreme Besa Ademi në takim pune me anëtarët e Këshillit lidhur me zhvillimet e fundit dhe shkrimet e publikuara në media për presionet politike ndaj gjyqtarëve të gjykatave më të lartë, transmeton Portalb.mk.

Këshilli Gjyqësor thekson se sipas nenit 2 të Ligjit për Këshillin Gjyqësor, ata kanë detyrimin të sigurojnë dhe garantojnë autonominë dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe neni 11 i të njëjtit ligj garanton vendimmarrje të lirë gjyqësore pa asnjë ndikim dhe presion.

“Ditët e fundit në media janë publikuar disa shkrime për presionet politike ndaj gjyqtarëve të Gjykatës Supreme, reagimet e partive politike, si dhe intervistën e kryetares së kësaj gjykate, Besa Ademi, e konsiderojmë të nevojshme të informojnë opinionin se ushtrimi i mundshëm i presioneve nga cilido lloj gjyqtari, është i papranueshëm dhe tejet shqetësues“, thonë nga Këshilli Gjyqësor.

“Sashko Gerogiev – kryetari i Këshillit Gjyqësor në mëngjes në telefon ka biseduar me Ademin për “këtë çështje jashtëzakonisht të rëndësishme dhe të ndjeshme”, thuhet në njoftimin e KGj-së.

Mbledhja e punës është caktuar për të hënën e datës 6 nëntor në orën 11:00 në ambientet e Këshillit Gjyqësor.

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi ka pranuar se ka pasur presione për të vepruar mbi nisëm e cila do të kthente në fuqi abolimin e ish presidentit Gjorgje Ivanov nga viti 2016. Ademi në një intervistë për SDK.MK ka deklaruar se gjykatësit e Supremes nuk janë dhe nuk do të bëhen vasal të pushtetit dhe se vendimet do të bazohen në ligj dhe Kushtetutë.

“Ka situata dhe tentime për ndikim të drejtpërdrejt të politikës dhe pushteteve tjera me qëllim realizimin e agjendave të cilat nuk janë në përputhje me sundimin e ligjit dhe kompetencat e organeve gjyqësore”, ka deklaruar kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi.

Lidhur me vizitën e ambasadores amerikane, Angela Price Aggeler, Ademi ka shtuar se mbështetja dhe inkurajimi i SHBA-ve ishte që gjykata më e lartë në vend të mos dalë nga kompetencat kushtetuese dhe ligjore pavarësisht presioneve që mund të vijnë nga jasht.

Gjatë kësaj vizite, ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angela Ageler, theksoi se është e nevojshme t’u jepet mbështetje e fuqishme angazhimeve të tilla për një gjyqësor të pavarur dhe transparent dhe se aktivitetet e Gjykatës Supreme në këtë drejtim japin një kontribut kyç në procesin e reformave.