Ageler për vizitë në Gjykatën Supreme: Gjyqësori nuk duhet të jetë nën presionin e politikës

Kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, ka pritur në takim ambasadoren e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angela Ageler. Në takimin ku morën pjesë edhe gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, u diskutuan disa çështje që kanë të bëjnë me pavarësinë e gjyqësorit, transmeton Portalb.mk.

U theksua se pavarësia e gjyqësorit është garancia më e fortë për sundimin e ligjit dhe se integriteti i gjyqtarëve është faktor kyç për realizimin e parimeve të një gjyqësori të pavarur.

Gjyqësori nuk duhet të jetë nën presionin e politikës dhe autoritetet e tjera nuk duhet të lejohen të ndërhyjnë në marrjen e vendimeve gjyqësore, të cilat duhet të bazohen në ligje. Është e nevojshme të respektohet parimi kushtetues i ndarjes së pushteteve dhe që gjyqtarët të jenë të lirë nga çdo ndikim.

Transparenca luan një rol thelbësor për pavarësinë e gjyqësorit si një nga faktorët më të rëndësishëm për perceptimin dhe besimin e publikut. Zbatimi i vazhdueshëm i standardeve evropiane dhe respektimi i vlerave ligjore është gjithashtu i një rëndësie të madhe.

Ambasadorja e SHBA-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Angela Ageler, theksoi se është e nevojshme t’u jepet mbështetje e fuqishme angazhimeve të tilla për një gjyqësor të pavarur dhe transparent dhe se aktivitetet e Gjykatës Supreme në këtë drejtim japin një kontribut kyç në procesin e reformave.

Kur bëhet fjalë për besimin tek institucionet, në vitin 2022 qytetarët i besuan më së shumti Armatës. Nga ana tjetër, gjyqësori mbeti në fund, konstaton hulumtimi i “Eurometer” për vitin 2022, i cili u prezantua nga Qendra për strategji evropiane “Eurothink. Edhe në vitin 2022 më së paku besim nga qytetarët ka gjyqësori, vetëm 6 për qind, ndërsa këtu është edhe prokuroria me 7 përqind.