Kryetarja e Supremes, Ademi sqaroi pse nuk duhet shkarkuar: E ardhmja e gjyqësorit varet nga rezultati i procedurës për mua

Rezultati i kësaj procedure do të përcaktojë të ardhmen e gjyqësorit në Maqedoninë e Veriut. Me këto fjalë sot para komisionit disiplinor të Këshillit Gjyqësor ka dalë kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, e cila në ditën e fundit të punës të këtij viti ka shpjeguar se pse nuk duhet të shkarkohet nga pozita e saj, transmeton Portalb.mk.

Rasti i Besa Ademit ka kohë që po bën bujë në opinion, duke qenë se është një precedent dhe një rast që ka ngritur edhe më tej pikëpyetje për integritetin edhe ashtu të lëkundur të Këshillit Gjyqësor.

Tre orë ka zgjatur prezantimi i argumenteve dhe provave të Këshillit Gjyqësor dhe kryetares së Gjykatës Supreme, Besa Ademi. Kryetar i komisionit disiplinor që shqyrtoi iniciativën ishte Mirsad Suroi, ndërsa anëtarë të tij ishin Meri Radeska dhe Selim Ademi. Nuk është marrë vendim për karrierën e mëtutjeshme të Ademit, por brenda tri ditëve duhet të përgatitet një raport, i cili do t’u dërgohet të gjithë anëtarëve të këshillit dhe më pas do të vendoset nëse do të kërkohet përgjegjësi apo do të ndërpritet procedura.

Iniciativën për shkarkimin e kryetares së Gjykatës Supreme e ka iniciuar anëtari i Këshillit Gjyqësor, Milazim Mustafa, Pas intervistës së saj për portalin SDK.mk ku Ademi foli hapur për presionet politike ndaj institucionit të të cilit është personi i parë, me qëllim të ringjalljes së “amnistisë” së presidentit Gjorge Ivanov dhe kalkulimeve politike për të shpëtuar ish-kryeministrin në arrati, Nikolla Gruevski. Ajo gjithashtu theksoi se gjykata që ajo drejton përballet me presione politike dhe kërcënime për shkarkim të gjyqtarëve suprem.

“Argumenti” tjetër mbi të cilin u mbështet mocioni për shkarkimin e Ademit ishte mungesa e Ademit në seancat e Këshillit Gjyqësor. Ndryshe, kryetarja e Gjykatës Supreme, si dhe ministri i Drejtësisë, janë dy të vetmit që janë anëtarë të Këshillit Gjyqësor sipas detyrës zyrtare dhe nuk kanë të drejtë vote në vendimmarrje.

Iniciativa për shkarkim, thuhet se bazohet në faktin se kryetarja e Gjykatës Supreme, Besa Ademi, me mospjesëmarrjen në seancat e Këshillit Gjyqësor, ka treguar mungesë kulture profesionale dhe juridike në veprim dhe respektim të institucioneve brenda sistemit të drejtësisë.

Kërkuesi Milazim Mustafa tha se sipas Ligjit Penal ekzistonte një përgjegjësi e mundshme penale e dënueshme me burgim, përkatësisht se “pretendimet për presion ishin pengim i drejtësisë”.

Sipas avokates së Ademit, Pavlina Zefiq-Jakimovska, thotë se janë joserioze akuza se Këshilli Gjyqësor ka qenë jofunksional pa praninë e Ademit, sepse pa të ka pasur diskutime dhe janë marrë vendime dhe ajo dhe ministri i drejtësisë janë anëtarë pa të drejta vendimmarrje.

Ademi përmendi në favor të saj raportet pozitive për punën e Gjykatës Supreme, raportet e Departamentit të Shtetit për vitin 2022, Komisionit Evropian në dy vitet e fundit, si dhe raportin e Komisionit Vlerësues të BE-së, ku institucioni u dhanë vlerësime pozitive për punën.

“Pika e dytë është më problematike sepse mendojmë se arsyeja kryesore e paraqitjes së kërkesës për përgjegjësi janë shkrimet e fundit në media për presionet në drejtësi. Nuk do të donim të besojmë se kjo është arsyeja kryesore, por e problematizojmë nga pikëpamja e shkeljes së lirisë së shprehjes”, tha avokatja Paviq Jakimovska.

Mbrojtja e Ademit thekson se Këshilli Gjyqësor duhet t’i rezistojë presioneve nga qendrat e ndryshme të pushtetit, duke kërkuar mbështetjen dhe mbrojtjen e saj.