Kriminaliteti nuk ia vlen

Konfiskimi i pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme është veprim esencialisht i rëndësishëm për sundimin e së drejtës. Konfiskimi është masë që duhet t’u tregojë qytetarëve se të punuarit dhe të pasuruarit në mënyrë të kundërligjshme dhe kriminale nuk ia vlen. Deri më tani, në Maqedoninë e Veriut kiriminaliteti ia vlente, edhe atë shumë. Por siç duket, gjërat kanë filluar të ndryshojnë.

Agjensia për administrim me pronën e konfiskuar njoftoi se në bashkëpunim me Ministrinë e Drjetësisë kanë bërë vlerësimin e pronës dhe kanë inicuar konfiskimin në tri raste të rëndësishme ku konfiskimi deri më tani ishte vonuar: pronat e Mijalkovit në rastin “Perandoria”, pronat e Sead Koçan në rastin “Trust” apo i njohur ndryshe si “Transmet”, dhe pronat e Isnifariz Xhemailit në rastin “Stanet”. Ndoshta rasti më i vlefshëm në kuadër të të tri rasteve të përmendura është “Perandoria” ku pasuria e ish drejtorit të shërbimeve sekrete vlerësohet të jetë me miliona euro dhe me patundshmëri të ndryshme. Një pjesë e pasurisë në kesh tani më është transferuar në llogarinë e shtetit, ndërsa pjesa tjetër e pasurisë do të shkojë së shpejti në ankand. E gjithë kjo si rrjedhojë e pranimit të fajit që Mijalkov e bëri në kuadër të rastit gjyqësor “Perandoria”.

Ky veprim i autoriteteve shtetërore është një hap shumë i rëndësishëm përpara në luftën kundër kriminalitetit. Me konfiskimin e një pasurie kaq të madhe institucionet shtetërore tregojnë se kriminaliteti vërtet nuk ia vlen. Në fund të ditës, ajo pasuri e krijuar del në ankand dhe shpërndahet brenda ditës te të tjerët. Konfiskimi e bën edhe shtetin më të fuqishëm sepse i kthen në buxhetin e shtetit ato mjete të keqpërdorura të cilat më pas mund ti përdorë për interes publik. Qëllimi i krejt kësaj është që njerëzit të binden se nuk ia vlen të merresh me kriminalitet, pavarësisht se mund të jesh njeri me shumë ndikim dhe në kohë të caktuara të jetës mund të kesh pasuri të paparamendueshme nëpër duar. Gjithçka përfundon një ditë ashtu siç thonë amerikanët: “Easy come, easy go”.

Uroj që ky rast të jetë vetëm fillimi i një veprimi që duhet të jetë përditshmëri në luftën kundër kriminalitetit. Duhet ti jepet fund një herë e përgjithmëmonë mundësisë që dikush pa të drejtë të pasurohet brenda natës duke bërë veprime kriminale dhe të vazhdojë të jetojë sikur nuk ka ndodhur asgjë exs t’i gëzojë frytet e pasurisë së krijuar në mënyrë të paligjshme. Mileniume më parë romakët kanë thënë që e padrejta nuk mund të bëhet e drejtë. Prandaj është shumë e rëndësishme që njëherë e mirë të gjithë të kuptojnë që kriminaliteti nuk ia vlen.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.