Zuckerberg lançoi aplikacionin Threads, synon ta tejkalojë Twitterin

Shefi i “Meta”, Mark Zuckerberg, njoftoi se aplikacioni i tyre i ri Threads synon të kalojë rivalin Twitter. Ekspertët besojnë se mund të tërheqë përdoruesit e Twitter që nuk janë të kënaqur me ndryshimet e fundit në platformë, transmeton Portalb.mk.

Threads u lançua sot, por aktualisht nuk është i disponueshëm në Bashkimin Evropian për shkak të shqetësimeve rregullatore. Aplikacioni i lejon përdoruesit të postojnë deri në 500 karaktere dhe ka shumë ngjashmëri me Twitter.

“Në katër orët e para morëm më shumë se pesë milionë përdorues. Duam që platforma të mbetet miqësore për përdoruesit, gjë që do të jetë çelësi i suksesit të saj”, tha Zuckerberg.

I pyetur nëse Threads mund të bëhen më e madhe se Twitter, Zuckerberg tha se do të duhet kohë.

“Mendoj se mund të bëhet një aplikacion chat me më shumë se një miliard njerëz. Twitter kishte një shans për këtë, por dështoi”, tha Zuckerberg.

Megjithëse Threads është një aplikacion më vete, përdoruesit angazhohen me të përmes Instagramit. Ai është i disponueshëm për shkarkim në më shumë se 100 vende, përfshirë Maqedoninë.