Kreu i Maqedonisë së Veriut u takua me kryeministrin irlandez Varadkar

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, sot ka zhvilluar takim zyrtar edhe me Presidentin e Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski. Ata shënuan 30-të vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, duke i vlerësuar si raporte të mira, transmeton Portalb.mk.

“Në raport me perspektivën evropiane të vendit tonë, kryetari Pendarovski theksoi që Maqedonia e Veriut e vlerëson lart mbështetjen e vazhdueshme, të hapur dhe të zëshme të Irlandës në procesin tonë eurointegrues dhe ndihmën në realizimin e agjendës evropiane”, deklarojnë nga Presidenca.

Ata diskutuan edhe për ngjarjet aktuale rajonale dhe për perspektivën evropiane, si një çështje strategjike dhe e sigurisë.

Kryeministri Dimitar Kovacevski, zhvilloi sot takim kokë më kokë me kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vend, e cila është edhe vizita e parë e një kryeministri irlandez në vend. Pas takimit kokë më kokë, u mbajt takim dypalësh ndërmjet delegacionit maqedonas dhe irlandez, ku morën pjesë zëvendëskryeministri për çështje evropiane i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq, ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska, dhe Ministri i Shoqërisë Informative dhe Administratës, Azir Aliu. Në takim u përshëndet përvjetori i tridhjetë i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve dhe u theksua se ekziston një nivel i mirë i dialogut politik pavarësisht distancës gjeografike.

U theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, veçanërisht në fushën e teknologjisë së informacionit, telekomunikacionit, prodhimit të ushqimit organik, energjisë dhe turizmit.

Në takim, kryeministri Kovacevski falënderoi për mbështetjen e fuqishme dhe të zëshme të Irlandës ndaj Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së, e cila ka qenë e vazhdueshme që nga koha e paraqitjes së kërkesës sonë për anëtarësim në Union gjatë presidencës irlandeze të BE-së në vitin 2004.

Bashkërisht u theksua se zgjerimi i BE-së është një çështje strategjike dhe e sigurisë që ka një rëndësi vendimtare në këtë kontekst kompleks dhe të pasigurt gjeopolitik për kontinentin evropian.

Dy kryeministrat theksuan se e ardhmja e Republikës së Maqedonisë së Veriut duhet të ngrihet mbi të gjitha dallimet politike dhe ideologjike, prandaj pritet proaktivitet nga të gjithë aktorët politikë në drejtim të përmbushjes së synimeve të përcaktuara në rrugën drejt BE-së.

U njoh roli i Republikës së Maqedonisë së Veriut si faktor i stabilitetit dhe sigurisë në rajon dhe më gjerë në kuadrin evropian, i cili u shpreh si një argument tjetër i fortë për sigurimin e perspektivës evropiane të vendit.

Kryeministri Dimitar Kovacevski, paraprakisht, e priti homologun e tij irlandez me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake.

Dimitar Kovaçevski dhe Leo Varadkar. Foto: Qeveria e RMV-së
Dimitar Kovaçevski dhe Leo Varadkar. Foto: Qeveria e RMV-së

Kjo është vizita e parë zyrtare e një kryeministri irlandez në vendin tonë, i cili këtë vit shënon 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike me Irlandën.

Paraprakisht kryeministri irlandez u prit në takim mnga zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq.

“Sot mirëprita në Shkup kryeministrin e Irlandës, Leo Varadkar. Kryeministri Varadkar po viziton Maqedoninë e Veriut, e cila është pjesë e vizitave në tre vendet kandidate për anëtarësim në BE nga rajoni”, tha Mariçiq.

Vizita e tij në Ballkanin Perëndimor vjen në një kohë kur negociatat për zgjerimin e BE-së vazhdojnë.

Vizita është sinjal pozitiv për perspektivën evropiane të rajonit dhe të vendit.

Në takimet dypalëshe me kryeministrin Varadkar do të diskutojmë çështjet e sigurisë “lokale dhe rajonale”, si dhe proceset e vazhdueshme për anëtarësimin në BE.

Temë janë reformat e nevojshme për hyrjen në BE, “sfidat e Ballkanit Perëndimor”, lufta në Ukrainë dhe Gaza janë disa nga temat që do të diskutohen në takimet dypalëshe, si dhe shkëmbimi i përvojë dhe njohuri se si të arrijmë në Bashkimin Evropian.

Kujtojmë se më 14 dhjetor, krerët e shteteve apo qeverive të vendeve anëtare të BE-së gjatë Samitit të BE-së në kuadër të debatit për zgjerimin e BE-së miratuan konkluzionet për procesin për vendin tonë, duke treguar se Bashkimi Evropian është i gatshëm të përfundojë fazën e hapjes së negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut, sapo vendi të ketë zbatuar zotimin e tij për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, në përputhje me procedurat e saj të brendshme, siç thuhet në vendimet e Këshillit të BE-së të datës 18 korrik 2022.

Procesi i skriningut mbaroi më 7 dhjetor, me skriningun bilateral për Kapitullin 31 – “Politika e jashtme e sigurisë dhe mbrojtjes” si pjesë e klasterit 6 – Marrëdhëniet e jashtme”.

Sekretariati për Çështje Evropiane theksoi që në këtë kapitull, Maqedonia e Veriut ka 100 % harmonizim të legjislacionit me BE-në për shkak se është anëtar i NATO-s.

Më 18 gusht 2023 në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut debati për fillimin e ndryshimeve kushtetuese mbaroi brenda pak orëshVotimi nuk dihet ende kur do të bëhet.

Në mënyrë që të bëhen ndryshimet kushtetuese duhet dy e treta e votave, konkretisht 80 vota nga gjithsej 120 deputetë në Kuvend.

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE është deklaruar se nuk do t’i mbështesë këto ndryshime, ndërsa edhe nga opozita shqiptare kanë kushtëzuar që nuk do t’i votojnë ndryshimet nëse nuk ndryshohet definimi i 20% për gjuhën shqipe në Kushtetutë.

Ndryshimet kushtetuese nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.