Kovaçevski: Ndryshimet kushtetuese për dy javë në Kuvend, nuk ka zgjedhje në vjeshtë

Kryeministri Dimitar Kovaçevski paralajmëron se ndryshimet kushtetuese së shpejti do të dorëzohen në Kuvend, njofton Protalb.mk.

“Ndryshimet kushtetuese do të dorëzohen në Kuvend gjatë dy javëve të ardhshme dhe do të fillojë procesi i diskutimit në pajtueshmëri me procedurën për të njëjtat në Kuvend, atje ku e ka vendin”, tha Kovaçevski.

Ai theksoi se zgjedhje nuk do të ketë në vjeshtë. Nuk u përgjigj në mënyrë precize nëse është takuar me liderin e VMRO-DPMNE-së dhe nëse ka mbështetje nga opozita, por ishte decid në pyetjen nëse nuk votohen ndryshimet kushtetuese, në vjeshtë do të mbahen zgjedhje.

“Në vend nuk do të ketë zgjedhje në vjeshtë. Zgjedhjet do të jenë vitin e ardhshëm, zgjedhjet presidenciale, pastaj parlamentare. Procesi i ndryshimeve kushtetuese nuk është i lidhur me mandatin e Qeverisë, ai është i lidhur me integrimin evropian të shtetit dhe është obligim i çdo partie politike që t’i mbështet integrimet evropiane. Kur do të shqyrtohen amendamentet e Kushtetutës nga ana e Qeverisë, ato do të kumtohen dhe publikohen dhe atëherë të gjithë qytetarët mund të binden se bëhet fjalë për amendamente teknike, diçka që tanimë është fakt në Kushtetutë”, tha kryeministri Kovaçevski.

Gjatë ditës së djeshme, ministri i Jashtëm, Bujar Osmani tha se,  po bëhen përgatitjet e fundit të ndryshimeve kushtetuese dhe se, sipas pritjeve të tij, ato do t’i dorëzohen Kuvendit për shkurt kohë, me çka përfundimisht në opinion, por edhe në shtëpinë ligjvënëse, mund të fillojë debati thelbësor në lidhje me përmbajtjen e amendamenteve

Sipas tij, ajo që  tani flitet për ndryshimet është vetëm politikë partiake, ndërsa qytetarët nuk e din thelbin e tekstit, përkatësisht, njerëzit do të befasohen kur do të përballen me tekstin, sepse ai është plotësisht i ndryshëm nga ajo që ofrohet në hapësirën mediatike.

Paraprakisht, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, deklaroi se nuk është problem për Kuvendin të punojë edhe në gusht nëse atëherë vijnë amendamentet kushtetuese, edhe pse deputetët zakonisht në atë muaj shkojnë me pushime.

“Kuvendi është i gatshëm të veprojë sipas procedurave dhe afateve për ndryshimet kushtetuese. Nuk është problem nëse do të vijë në gusht, pyetja është se kur do të marrim materialin dhe prej atëherë fillojnë afatet, pavarësisht nëse është korrik apo gusht. Nuk ka asnjë pengesë për Kuvendin, as gushtin, as shtatorin, as ndonjë periudhë të ditës”, tha Xhaferi për ndryshimet kushtetuese që pritet të mbërrijnë në periudhën e ardhshme në Kuvendin e Maqedonisë.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Kujtojmë se lideri i VMRO-së Hristijan Mickoski, realizoi takim me kryeministrin dhe kryetarin e LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, ku ishte propozuar që të formohet Qeveri kalimtare me VMRO-në dhe 5 nga 10 ministrat e LSDM-së t’i kalojnë opozitës maqedonase, por që paraprakisht të votohen ndryshimet kushtetuese. Mickoskit i kishte pëlqyer ideja, por kishte një kusht, që BDI-ja të mos jetë pjesë e kësaj Qeverie. Pas kësaj edhe BDI pranoi kërkesën e VMRO-DPMNE-së, por pavarësisht kësaj, kryeopozitari HristijanMickoski, nuk ka një qëndrim të qartë nEse do t’i përkrahë ose jo ndryshimet kushtetuese. Ai përsërit vazhdimisht fjalinë se “VMRO-DPMNE nuk do t’i mbështetë ndryshimet kushtetuese nën diktat bullgar”.