Kovaçevski – Marfi: Maqedonia e Veriut është faktor stabiliteti në rajon, partner i vlerësuar dhe aleat i SHBA-ve

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, gjatë vizitës së tij të punës në Uashington, realizoi takim me senatorin demokrat, Kris Marfi. U shkëmbyen mendime për bashkëpunimin e përgjithshëm mes dy vendeve, për aspiratat evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe për situatën në rajonin më të gjerë, si dhe mënyra se si ato ndikojnë në të ardhmen e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

Kryeministri shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme politike nga ana e senatorit Marfi për procesin e eurointegrimeve të Maqedonisë së Veriut. Në takim, Kryeministri Kovaçevski theksoi se vendi ynë ka një vendosmëri të fortë për përforcimin dhe avancimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve është etabluar si vend që është faktor i stabilitetit në rajon.

Senatori demokrat Marfi theksoi se Maqedonia e Veriut është një partner i çmuar dhe aleat i NATO-s. Njëkohësisht, ai shprehu mbështetjen e tij për integrimin në BE, sepse sa më shumë të përparojë Maqedonia e Veriut, aq më i mirë do të jetë rajoni.

Gjithashtu, ai nënvizoi se Maqedonia e Veriut njihet si faktor stabiliteti.

Në takim u theksua se SHBA-të gjithmonë i ka kushtuar rëndësi dhe mbështetje të veçantë transformimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe anëtarësimit të tyre në BE. Kryeministri Kovaçevski theksoi se kjo është një nxitje e madhe për vendet e Ballkanit Perëndimor që të mos devijojnë nga aspiratat e tyre për arritjen e qëllimeve strategjike.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Uashington, dje pati takim me Xhejms P. Rubin, përfaqësuesi special dhe koordinator i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në takim, Kovaçevski dhe Rubin nënshkruan Memorandum mes SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut për krijimin e një partneriteti strategjik për luftën kundër dezinformatave, i cili do t’i lejojë Shtetet e Bashkuara dhe Maqedoninë e Veriut të bashkëpunojnë intensivisht në kundërshtimin e manipulimit të informacionit dhe luftë kundër dezinformimit.

Përfaqësuesi special dhe koordinator i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit Amerikan të Shteti Xhejms P. Rubin, vizitoi Maqedoninë e Veriut më 11 prill, ku me kryeministrin Kovaçevski dhe presidentin Pendarovski, poashtu diskutuan për luftën kundër dezinformatave.