Rubin-Pendarovski: Dezinformatat kërcënime prioritare për sigurinë kombëtare të shumë vendeve
Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim përfaqësuesin special dhe koordinatori i Qendrës për angazhim global të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin. Në takim u diskutuan për përpjekjet dhe mënyrat për të trajtuar dezinformatat dhe ndikimin e tyre në zhvillimin e proceseve demokratike në nivel global, transmeton Portalb.mk.
Presidenti Pendarovski vlerësoi se dezinformatat kanë potencial të ndikojnë në proceset e mëdha politike dhe civile si në vendin tonë ashtu edhe në botë dhe për këtë arsye ato janë një nga kërcënimet prioritare për sigurinë kombëtare të shumë vendeve. Në këtë drejtim, ai theksoi nevojën për investim të vazhdueshëm në burime dhe aftësi për njohjen dhe zhbërjen e tyre, si dhe krijimin e strategjive kombëtare për një reagim të gjerë ndaj dezinformatave.
“Presidenti theksoi përkushtimin e Maqedonisë së Veriut për të vazhduar të punojë në mënyrë aktive për të forcuar rezistencën ndaj dezinformimit, parandalimin dhe reduktimin e ndikimeve të dëmshme, duke përfshirë rezistencën ndaj fushatave dezinformuese që synojnë të nxisin ndjenjat antiperëndimore në mesin e qytetarëve maqedonas dhe të mbrojnë alternativa të paqarta të integrimeve evropiane”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të presidentit Pendarovski.
Përfaqësuesi special dje në një prononcim për mediat në Maqedoni ka vlerësuar se hapësira është e “helmuar” rëndë, mbi të gjitha nga dezinformatat ruse. “Është e qartë se burimi kryesor i kërcënimit në këtë pjesë të botës janë dezinformatat e krijuara nga Rusia”.
“Presidenti Putin mendoi se mund të pushtonte Ukrainën dhe të ndante Evropën, por ai dështoi. Por kjo nuk do të thotë se Rusia nuk do të vazhdojë të përhapë ‘helmin’ e dezinformatave dhe përçarjeve”, tha Rubin. Duke folur për Rusinë, ai tha se është i sigurt se ka njerëz në Kremlin që nuk duan që Maqedonia e Veriut të përparojë në rrugën drejt BE-së.
“Jam i sigurt se ka njerëz në rajon dhe në Kremlin që nuk duan përparim në procesin që do t’i lejojë Maqedonisë së Veriut të ecë përpara drejt BE-së. Unë jam i sigurt se ata janë ulur diku duke menduar se çfarë të bëjnë për ta bërë atë një problem dhe gjithçka që mund të them është se qeveria këtu do të punojë me ne për të krijuar një qasje më të gjerë shoqërore për trajtimin e dezinformimit, si institucionet, ligjet, standardet”, tha përfaqësuesi special dhe koordinatori i Qendrës për angazhimin global të Departamentit Amerikan të Shtetit.
Rubin, i cili po viziton rajonin, dje erdhi në Shkup ku u takua me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi, si dhe me ministrat për shoqëri informatike dhe administratë dhe për vetëqeverisje lokale Azir Aliu dhe Risto Penov.
Në takimin në Qeveri mori pjesë edhe ambasadorja amerikane Angela Ageler.
Temë në këtë takim ishte edhe dezinformimi dhe manipulimi i informacionit.
“Në fokus të takimit ishte forcimi i mbështetjes për iniciativat për të luftuar dezinformimin që minon demokracinë dhe sigurinë kombëtare në mbarë botën, dhe se si të dyja palët mund të punojnë së bashku për të luftuar në mënyrë kolektive kërcënimet në hapësirën e informacionit të Ballkanit Perëndimor. U theksua nevoja për rrjetëzimin e të gjithë partnerëve dhe palëve të interesuara si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë rajonal”, njoftoi Qeveria.
Në takimin me Rubin, kryeministri Kovaçevski theksoi se Qeveria po punon për t’u përballur me efektet e dëmshme të dezinformatave dhe se qëllimi i qendrave propagandistike që e përhapin atë është të fusin frikë dhe pasiguri në popullatë, të minojnë demokracitë dhe për të përhapur në mënyrë të pandershme ndikimin mbi palët e treta.
“Qeveria qëndron me vendosmëri në kundërshtimin e dezinformatave dhe vazhdimisht vendos partneritete në këtë betejë globale, me partnerë strategjikë, me shërbime të pavarura të verifikimit të fakteve, me institucionet vendore, me organizatat mediatike dhe me mediat”, theksoi Kovaçevski.
Vetëm me një qasje të përbashkët dhe gjithëpërfshirëse, theksoi kryeministri, do të mund të përballemi me pasojat e dëmshme të dezinformatave.
Përfaqësuesi special dhe koordinatori i Qendrës për angazhim global të Departamentit Amerikan të Shtetit, James Rubin, vizitën e tij e nisi nga Podgorica e Malit të Zi dhe pritet të shkojë edhe në Shqipëri.
Pas mbërritjes në Prishtinë, Rubin ka dërguar mesazh për luftë të përbashkët kundër manipulimit të informacionit dhe ndikimeve malinje.
“Jam emëruar në këtë detyrë për të bërë diçka që është shumë e vështirë, dhe kjo është të filloj luftën që Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë kundër dezinformimit dhe manipulimit të informacionit. Na pret një sfidë e madhe. Sekretari i Shtetit Blinken theksoi se çdo ditë, çdo orë, në të gjithë botën, Rusia dhe Kina po përhapin gënjeshtra dhe manipulojnë informacione për ne dhe po shpenzojnë miliarda e miliarda dollarë për këtë qëllim, ndërsa ne jemi vetëm në fillim”, thotë Rubin.
Ai shprehet se ka ardhur në Ballkanin Perëndimor, në Mal të Zi, sepse “ky është një vend ku keqinformimi ka një ndikim shkatërrues dhe një terren pjellor dhe ku është helmuar hapësira e informacionit për njerëzit e rajonit”.
“Rusia dëshiron ta kthejë Ballkanin Perëndimor në një kohë kur kishte konflikt. Tani kemi shumë mundësi për të rivendosur paqen mes Serbisë dhe Kosovës, për të normalizuar marrëdhëniet e tyre”, thotë Rubin.
Ai porositi që njerëzit t’i kushtojnë vëmendje asaj që dëgjojnë dhe lexojnë dhe që shtetet dhe autoritetet kompetente t’i kushtojnë më shumë vëmendje edukimit mediatik.
“Nëse diçka ju zemëron, me shumë gjasë është krijuar për ta bërë këtë. Me gjasë është menduar si dezinformim që synon të ndajë shoqërinë. Ky problem është i zgjidhshëm nëse punojmë të gjithë bashkë”, thotë Rubin.
Në Shkup, ai është planifikuar të takohet me zyrtarë qeveritarë për të forcuar mbështetjen për nismat kundër dezinformimit.
“Është një disiplinë e re, një problem i ri në botë, sepse është ana e errët e revolucionit digjital që po përdoret nga regjimet autoritare si ato në Moskë dhe Kinë. Duhet ta ndalojmë sa më mirë, nuk do të jetë perfekte, por duhet përkushtuar”, thotë Rubin.
James Rubin është i njohur për publikun në Ballkan pasi ka qenë zëdhënës i Departamentit të Shtetit gjatë luftës në Kosovë dhe bombardimeve të NATO-s në Republikën Federale të Jugosllavisë së atëhershme. Ai mbajti postin zyrtar të Ndihmës Sekretarit të Shtetit nga viti 1997 deri në vitin 2000, gjatë mandatit të Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright, në administratën e Bill Clinton.
Ai po viziton Ballkanin Perëndimor për herë të parë pas 23 vitesh.