SHBA dhe Maqedonia së bashku në luftën kundër dezinformatave përmes partneritetit strategjik

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, në kuadër të vizitës së tij të punës në Uashington, pati takim me Xhejms P. Rubin, përfaqësuesi special dhe koordinator i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit Amerikan të Shtetit. Në takim, Kovaçevski dhe Rubin nënshkruan Memorandum mes SHBA-ve dhe Maqedonisë së Veriut për krijimin e një partneriteti strategjik për luftën kundër dezinformatave, i cili do t’i lejojë Shtetet e Bashkuara dhe Maqedoninë e Veriut të bashkëpunojnë intensivisht në kundërshtimin e manipulimit të informacionit dhe luftë kundër dezinformimit, njofton Portalb.mk.

“Maqedonia e Veriut dhe SHBA-ve po ndërtojnë marrëdhëniet e tyre të përhershme mbi vlerat dhe parimet e përbashkëta si liria, demokracia, drejtësia dhe sundimi i së drejtës. Kryeministri shprehu mirënjohjen e tij për bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e Memorandumit duke theksuar se ky paraqet një mbështetje të madhe për Maqedoninë e Veriut në ndërtimin e një demokracie të fuqishme. Miqësia mes Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-ve është garanci për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit tonë, si dhe të gjithë Ballkanit Perëndimor”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së RMV-së.

Përfaqësuesi special dhe koordinator i Qendrës për Angazhim Global të Departamentit Amerikan të Shteti Xhejms P. Rubin, vizitoi Maqedoninë e Veriut më 11 prill, ku me kryeministrin Kovaçevski dhe presidentin Pendarovski, poashtu diskutuan për luftën kundër dezinformatave.

“Në takim, temë e bisedës ishte edhe gjendja dhe lufta me dezinformatat, manipulimi me informacionet si dhe kërcënimet tjera në hapësirat informatike në Ballkanin Perëndimor, që po organizohen nga bota e tretë”, deklaruan më 11 prill nga Qeveria e Maqedonisë.

Në po atë takim u theksua nevoja për bashkëpunimin e shteteve partnere në luftën që po zhvillohet në hapësirat informatike të Ballkanit Perëndimor.

“Vetëm më qasje të përbashkët dhe gjithëpërfshirës të gjithë palëve në shoqëri, do të arrijmë të ballafaqohemi me dëmet e shkaktuara nga dezinformatat”, deklaroi Kovaçevski, i cili ishte i shoqëruar nga disa ministra, ndërsa Rubin ishte i shoqëruar nga ambasadorja amerikane në Shkup, Anxhela Ageler.

Në prononcim për mediat në Maqedoni, më 11 prill, ai vlerësoi se hapësira është e “helmuar” rëndë, mbi të gjitha nga dezinformatat ruse. “Është e qartë se burimi kryesor i kërcënimit në këtë pjesë të botës janë dezinformatat e krijuara nga Rusia”.

“Presidenti Putin mendoi se mund të pushtonte Ukrainën dhe të ndante Evropën, por ai dështoi. Por kjo nuk do të thotë se Rusia nuk do të vazhdojë të përhapë ‘helmin’ e dezinformatave dhe përçarjeve”, tha Rubin. Duke folur për Rusinë, ai tha se është i sigurt se ka njerëz në Kremlin që nuk duan që Maqedonia e Veriut të përparojë në rrugën drejt BE-së.

“Jam i sigurt se ka njerëz në rajon dhe në Kremlin që nuk duan përparim në procesin që do t’i lejojë Maqedonisë së Veriut të ecë përpara drejt BE-së. Unë jam i sigurt se ata janë ulur diku duke menduar se çfarë të bëjnë për ta bërë atë një problem dhe gjithçka që mund të them është se qeveria këtu do të punojë me ne për të krijuar një qasje më të gjerë shoqërore për trajtimin e dezinformimit, si institucionet, ligjet, standardet”, tha përfaqësuesi special dhe koordinatori i Qendrës për angazhimin global të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Prezenca ruse në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut u rrit me fillimin e agresionit kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022, vlerësohet në një shkrim të Vërtetmatësit. Paralelisht me aksionet ushtarake në terren, palët filluan edhe një luftë mediatike për të krijuar opinionin botëror në mbështetje të agjendave të tyre. Në përgjigje të kësaj propagande të intensifikuar, mediat shtetërore ruse RT dhe Sputnik u ndaluan të transmetohen nga operatorët kabllorë në vend me vendim të Qeverisë së RMV-së. Megjithatë, ndikimi rus vazhdoi të përhapet përmes disa kanaleve televizive serbe dhe bullgare që janë të pranishme në platformat digjitale dhe kabllore të vendit.