RMV, gjithnjë e më shumë transaksione përmes kartelave të pagesave dhe bankingut elektronik

Një trend rritës i përdorimit të kanaleve digjitale për kryerjen e pagesave në vend, veçanërisht nga qytetarët, shihet nga të dhënat e publikuara nga Banka Popullore për tremujorin e tretë të vitit 2023, transmeton Portalb.mk.

Gjithnjë e më shumë po përdoren kartelat e pagesave, si dhe aplikacionet celulare për inicimin elektronik të transfertave të kredive, gjegjësisht të ashtuquajturat urdhërpagesa.

Rritja vjetore e përdorimit të kartave të pagesave për transaksione kesh dhe për pagesat e produkteve dhe shërbimeve në vend nga qytetarët, në tremujorin e tretë 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, është 12.8 përqind për numrin dhe 10 përqind për vlerën e këtyre transaksioneve.

Në të njëjtën kohë, një rritje vjetore e ndjeshme prej 15.1 përqind është vërejtur në përdorimin e kartave për pagesat e produkteve dhe shërbimeve në vend, e cila në radhë të parë vjen si pasojë e rritjes më të fortë të pagesave në pikat fizike të shitjes dhe rritjes solide të pagesave në pikat e shitjes në internet.

Pagesat e qytetarëve me transferta kreditore, gjegjësisht urdhërpagesa, në të njëjtën periudhë shënuan rritje vjetore prej 9.3 përqind në vlerë dhe 5 përqind në numrin e transaksioneve të kryera. Numri i urdhërpagesave të iniciuara në mënyrë elektronike në tremujorin e tretë të vitit 2023 shënoi rritje vjetore prej 16.1 përqind. Një trend pozitiv në rritje vihet re veçanërisht në përdorimin e aplikacioneve në celular (19.5%) dhe në përdorimin e kompjuterëve për kryerjen e pagesave (11.8%).