Kovaçevski dhe Osmani në Forumin e Sigurisë së Globsek 2023 në Bratisllavë: RMV faktor stabiliteti në rajon

Kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani po marrin pjesë në Forumin Global të Sigurisë të GlobSec 2023 në Bratisllavë. Në kuadër të kësaj pjesmarrjeje, Kovaçevski, ka realizuar takim me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslkav Lajçak. Ndërkohë Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka trajtuar konceptin e ashtuquajtur “Më shumë integrim para anëtarësimit”, transmeton Portalb.mk.

Në Forum marrin pjesë shefa të shteteve dhe qeverive nga Evropa dhe bota, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare më të rëndësishme dhe me ndikim.

Kryeministri Kovaçevski ka mbajtur fjalim në panelin me temë “Rrugë të hapura: Ballkani rikthehet në lojë”. Në panel, fokus i diskutimeve është bashkëpunimi rajonal, integrimi i rajonit në BE dhe sfidat për Evropën nga lufta në Ukrainë.

Në kuadër të agjendës, Kryeministri Kovaçevski zhvilloi takim dypalësh me Presidentin francez Emanuel Makron, si dhe me përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Mirosllav Lajçak.

Në takimin me Lajçakun, Kryeministri Kovaçevski theksoi përkushtimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për të kontribuar në avancimin e rajonit si dhe për paqen dhe stabilitetin e tij. Kryeministri theksoi se vendi ynë është i vendosur për të përforcuar dhe promovuar marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe përmes dialogut dhe bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve është vendosur si një vend që është faktor stabiliteti në rajon.

Kovaçevski theksoi përkushtimin maksimal të Qeverisë në procesin e reformave në vend si dhe në procesin e bisedimeve për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Dy bashkëbiseduesit theksuan se në vend është i nevojshëm dialogu politik dhe se të gjithë aktorët shoqërorë, politikë, joqeveritarë, civil në vend duhet të arrijnë një konsensus që të mos pengohet procesi për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Kovaçevski dhe Lajçak bënë thirrje për përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në Kosovë dhe për kthimin e paqes dhe stabilitetit. Kryeministri Kovaçevski ritheksoi se Maqedonia e Veriut mbështet vazhdimin e bashkëpunimit dhe koordinimit me NATO-n dhe BE-në në rajon në drejtim të konsolidimit të stabilitetit dhe përshpejtimit të integrimeve euroatlantike të Ballkanit Perëndimor.

Osmani nga ana tjetër duke iu drejtuar panelit kushtuar të ardhmes së zgjerimit të Bashkimit Evropian, ai theksoi se edhe pse anëtarësimi i plotë në BE mund të zgjasë disa vite, vendeve kandidate për anëtarësim në BE u duhen hapa të përkohshëm afatshkurtër, por të besueshëm dhe real për të avancuar ekonominë, lidhjen dhe proceset demokratike.

“Anëtarësimi në Komunitetin e Energjisë dhe Transportit, së bashku me liberalizimin e vizave, ishin shembuj të mirë se si të eksportohen rregullat deri te kandidatët para anëtarësimit të plotë në BE. Zgjerimi gradual i këtij integrimi në fusha të tjera do të promovojë stabilitetin, parashikueshmërinë dhe besimin në marrëdhëniet tona të ndërsjella”, theksoi Ministri.

Në panelin për zgjerimin e Unionit, me pikëpamjet e tyre u drejtuan Ministri i Çështjeve Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Aleksander Shallenberg, Ministri i Punëve të Jashtme i Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq dhe Zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Megi Fino.

Forumi i Sigurisë Globsek është etabluar si platforma më e spikatur në tërë rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore (EQL). Edicioni i 18-të i këtij viti i Forumit synon t’ia rikujtojë botës se ky rajon nuk ka qenë kurrë më vendimtar në sigurimin e stabilitetit global.

Në fokus të diskutimeve në Forum, pjesëmarrësit do të fokusohen në tre tema edhe atë: mbështetja e mëtejshme për Ukrainën, rezistenca e Evropës ndaj luftës, si dhe zbutja e pasojave globale nga konflikti duke përforcuar lidhjet ekonomike dhe energjetike.