Komuna e Tetovës: Policia vepron politikisht dhe dërgon kamionët e mbeturinave në kontroll teknik tre herë për 20 ditë, SPB thotë se nuk janë selektiv

Policia e Tetovës çdo ditë po çon në mënyrë të padrejtë kamionët e kompanisë Saubermaher në kontroll teknik vetëm e vetëm për të penguar punën e kësaj ndërmarrje që bën grumbullimin e mbeturinave në qytet dhe kjo ndodh pikërisht vetëm dy ditë para festës së Bajramit. Kështu kanë reaguar sot nga Komuna e Tetovës përmes një konference për shtyp ndaj Policisë së Tetovës, raporton Portalb.mk.

Kryetari i Këshillit Komunal, Besar Durmishi theksoi se ky aksion i policisë kundrejt Komunës së Tetovës dhe ndërmarrjes po ndodh për çdo ditë pa ndonjë shpjegim dhe qartë duket se tendenca është që të pengojnë punën e komunës.

“Kamionët e kompanisë Saubermaher janë të regjistruar konform Ligjit dhe të gjithë i plotësojnë kushtet teknike për të vepruar në terren. Mirëpo këto kontrolle nga policia bëhen vetëm ndaj kamionëve të kësaj ndërmarrje duke përjashtuar automjetet tjera që qarkullojnë në qytet. Pra kemi një klasifikim politik. Vetëm brenda 20 ditëve kamionët e kësaj ndërmarrje tre herë janë dërguar në kontroll teknik, kurse policia e Tetovës aspak nuk është marrë ose të dërgojë në kontroll teknik automjetet e ndërmarrjeve dhe institucioneve tjera shtetërore”, tha Durmishi.

Ai shtoi se nga data 15 mars deri më sot tre herë kamionët e ndërmarrjes Saubermaher janë dërguar në kontroll teknik duke u shqiptuar dënime në vlerë prej 250 euro e më lartë për një kamion.

“Këto kontrolle e vonojnë procesin e mbledhjes së mbeturinave pasi procedurat teknike marrin shumë kohë”, tha Durmishi.

Për këtë problem pyetëm Sektorin për Punë të Brendshme të Tetovës, nga atje thonë se në vazhdimësi e kontrollojnë dhe rregullojnë komunikacionin në mënyrë që të merren masa me rastin e kontroll aksioneve republikane dhe atyre të veprimit lokal në lidhje me lëshimet dhe parregullsitë në komunikacion ndaj të gjithë kundërvajtësve të cilët sipas planit të MPB-së në RMV zbatohen në të gjithë shtetin dhe në asnjë rast kjo nuk është bërë veçmas në një SPB ose për ndonjë person juridik apo kompani.

“Gjatë muajit të kaluar gjatë aksioneve të tilla, të cilat janë kryer në komunikacionin në rrugët e Tetovës, janë konstatuar rreth njëzet kundërvajtje si automjete me defekte teknike, me defekte të ndryshme si: defekte në pajisjet e frenimit, pajisjet drejtuese, pajisje për ndriçim rrugor, gjendjen e xhamave, drejtimi i një automjeti me kategori të papërshtatshme në patentë shofer, pa patentë shoferi, ose automjete të paregjistruara nga kompanitë publike si; transport publik i udhëtarëve, ndërmarrje për pastërti publike dhe ndërmarrje të tjera që gravitojnë në zonën e SPB Tetovë”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.

Kujtojmë që raportet Komunë e Tetovës – SPB Tetovë nuk janë të mira. Këto dy institucione së fundmi janë përplasur disa herë me njëra tjetrën për disa çështje si ajo e komunikacionit, asistenca gjatë aktiviteteve të inspektoratit komunal si dhe presione politike.