Vijojnë përplasjet politike, Komuna e Tetovës akuzon Spasovskin për partizim të policisë së Tetovës

Mospajtimet dhe përplasjet midis Komunës së Tetovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk kanë fund. Sot, kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës, Besar Durmishi ka reaguar në lidhje me zgjedhjen e komandantit të stacionit policor të Tetovës, ku ka akuzuar ministrin Oliver Spasovski se tenton të partizojë Sektorin e Punëve të Brendshme të Tetovës dhe të shtrijë ndikimin politik LSDM-BDI edhe në këtë institucion, madje edhe për të bërë kaos në zgjedhjet që po afrojnë, raporton Portalb.mk.

Zgjedhja e komandantit të stacionit policor me kompetencë të përgjithshme në Tetovë ishte si pikë e rendit të ditësseancën e 26 të Këshillit të Komunës së Tetovës që u mbajt me 12 janar 2024. Këshilltarët e shumicës nuk e kaluan si pikë të rendit të ditës pra nuk dhanë pëlqim për kandatët: Ibrahim Ceka, Darko Ristovski, Zulfi Abduli, ndërsa këshilltarët e opozitës kritikuan.

Në lidhje me këtë, Durmishi sot deklaroi se ministri Spasovski me emrat e propozuar tenton që këtë institucion ta partizojë në çdo nivel të saj.

“Sipas Ligjit përkatës, për zgjedhje të kryeshefit, Ministri i propozon Këshillit të komunës tre emra dhe zgjedhja bëhet me votat e shumicës së këshilltarëve. Në tre emrat e parë që i propozoi Ministri, këshilltarët e Këshillit komunal të Tetovës, nuk i dhanë mbështetje asnjërit. Sipas ligjit, ministri obligohet të propozojë tre emra të rinj. Por në propozimet e reja, ministri ka bërë shkelje të rëndë të ligjit, pasi ka propozuar dy emra të rinj dhe përsëri e ka ri propozuar njërin nga emrat e parë, i cili, siç po duket është person i afërt i ministrit ose i partnerëve BDI-LSDM, të cilët po tentojnë ta bëjnë policinë e shtetit, si polici familjare ose private”, tha Durmishi.

Ai shton se pas kësaj, këshilltarët e shumicës në Komunë vështirë do i japin mbështetje një personi partiak.

“Policia duhet të qëndroj larg ngjyrimeve partiake dhe në asnjë moment të mos bëhet mashë për keqpërdorime të caktuara. Por e gjithë kjo bëhet me qëllim nga dyshja LSDM-BDI, që edhe herën e dytë të dështojë zgjedhja, që pastaj për këtë të vendos vet Qeveria”, tha Durmishi.

Ai shtoi se me këtë ata tregojnë se u duhet policia për të bërë kaos në zgjedhjet që afrohen dhe për të shantazhuar qytetarët për qëllime politike.

Për këtë kërkuam qëndrim nga Ministria e Punëve të Brendshme, por deri më tani përgjigje nuk kemi marrë.

Nëse edhe në seancën e ardhshme të Këshillit Komunal të Tetovës asnjë nga emrat e propozuar nuk merr pëlqim, atëherë i ngelet Qeverisë të vendos për të njëjtin.

Përndryshe, raportet Komunë e Tetovës – SPB Tetovë nuk janë të mira. Këto dy institucione së fundmi janë përplasur me njëra tjetrën për disa çështje si ajo e komunikacionit dhe asistenca gjatë aktiviteteve të inspektoratit komunal.