Komuna e Tetovës e fajëson Policinë për kaosin në trafik, SPB Tetovë nxori shifra nga gjobat
Tetova assesi të rehatohet nga kaosi në trafik. Sot, kryetari i Komunës së Tetovës, i shoqëruar nga drejtori i NP “Tetova Transport” dhe NP “Parkingu i Qytetit” akuzoi Policinë e trafikut se nuk bashkëpunon me Komunën për zgjidhjen e problemit të komunikacionit. Nga ana tjetër, Policia njofton se nga fillimi i vitit kanë shqiptuar gjithsej 5148 masa për parkim të paligjshëm ose të parregullt, shkruan Portalb.mk.
Kreu i Tetovës, Bilall Kasami pranoi se qyteti është në kaos të trafikut. Kjo sipas tij vjen si rezultat i mos koordinimit të punëve mes Komunës së Tetovës dhe Policisë së Komunikacionit në Tetovë.
Kasami theksoi se “mund ta shohim edhe në vepër se si komunikacioni është i bllokuar, por ne nuk e shohim askund policinë të intervenojë”.
“Ajo që është më problematike në të gjithë këtë situatë është se parkingjet zyrtare të cilat menaxhohen nga Komuna e Tetovës janë të bllokuara edhe nuk mund të shfrytëzohen nga qytetarët, vend stacionet e transportit publik janë të bllokuara dhe në pjesën më të madhe autobusët e transportit publik detyrohen që në rrugë të ndalin të marrin dhe të zbresin udhëtarët, edhe vendet ku janë kontenjerët janë të bllokuar dhe kamionët në pjesën më të madhe janë të penguar që të kryejnë detyrat e tyre ashtu siç duhet”, tha Kasami.
Ai apeloi te Ministria e Punëve të Brendshme dhe te Policia e komunikacionit që larg kalkulimeve politike ta bëjnë detyrën e tyre.
Nga ana tjetër, Sektori për Punë të Brendshme i Tetovës thekson se në 11 muajt e kaluar të këtij viti, zyrtarët policorë të Tetovës kanë shqiptuar gjithsej 5.148 masa për parkim të paligjshëm ose të parregullt të automjeteve në Tetovë.
“Numri më i madh i masave të shqiptuara ka të bëjë me parkimin në të ashtuquajturat “rende të dyfishta”, në zonën e kryqëzimeve, trotuareve dhe vendeve të tjera të paligjshme, kryesisht në pjesët qendrore të qytetit. Krahas këtyre, gjatë periudhës në fjalë, ,,Shërbimi komunal i merimangës” së Tetovës ka ngritur dhe larguar gjithsej 3.767 automjete të parkuara gabimisht, të cilat më drejtpërdrejt kanë penguar lëvizjen normale dhe të sigurt të përdoruesve të tjerë të rrugës, automjeteve, këmbësorëve etj. Të gjithë shoferëve të parkuar gabimisht u janë përgatitur parashtresat e parapara me Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor, më së shpeshti dhe më së shumti me gjoba në të holla nga 35 deri në 180 euro në kundërvlerë në denarë, varësisht se ku dhe si kanë qenë të parkuar”, tha Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Rexhepi shtoi se edhe në periudhën e ardhshme do të vijojnë kontrollet e rregullta, aksionet kontrolluese dhe aktivitetet tjera për sanksionimin e automjeteve të parkuara gabimisht.
“Për të mundësuar rregull dhe siguri më të madhe në qarkullim dhe largimin e të gjithë atyre që nuk respektojnë rregullat dhe rregulloret e qarkullimit rrugorë dhe të mos parkojnë automjetet e tyre ku të arrijnë”, tha Rexhepi.
Nga ana tjetër, në lidhje me parkingjet e premtuara në kate, Kasami tha se do të realizohen atëherë kur Policia do t’i sanksionojë qytetarët që parkohen në rrugë.
“Do të ndërtojmë parkingje në kate edhe komuna në bashkëpunim me privatët vetëm atëherë kur do të ketë rregull, kur ashtu si në qytetet e zhvilluara qytetarët nuk mund të parkojnë në rrugë dhe trotuar… Kjo do të thotë se janë zgjedhjet afër, pas zgjedhjeve nëse fitojmë pushtetin qendror ne do vendosim rend dhe rregull dhe atëherë do të ketë hapësirë për të ndërtuar parkingje në kate”, tha Kasami.
Përndryshe, Tetova vazhdon të përballet me mungesën e parkingjeve në qytet. Komuna ka dështuar në realizimin në tërësi të planit me pesë pika për krijimin e parkingjeve të reja në Tetovë gjatë vitit 2022.
Sipas Sektorit për Punë të Brendshme (SPB) Tetovë, numri i përgjithshëm i masave lidhur me parkim të paligjshëm në Tetovë gjatë vitit 2022 ishte 6.373, ndërsa numri i automjeteve të marra nga merimanga ishte 4.432.
Numri i automjeteve të regjistruara me targa të Tetovës sipas MPB-së është mbi 32 mijë, me çka kaosi në trafik mbetet i madh.