Dështoi përsëri zgjedhja e komandantit të stacionit policor me kompetencë të përgjithshme në Tetovë, këshilltarët me akuza

Këshilli Komunal i Tetovës as sot nuk miratoi vendim për zgjedhjen e komandantit të stacionit policor me kompetencë të përgjithshme në Tetovë. Shumica e Këshillit akuzoi se emrat e propozuar nga Ministria e Brendshme janë me prapavija partiake dhe për nepotizëm. Opozita u përgjigj me kundër akuza të ngjashme për nepotizëm, shkruan Portalb.mk.

Debati i dytë për zgjedhjen e komandantit të stacionit policor të Tetovës kaloi me tensione dhe akuza të ndërsjella midis këshilltarëve komunal.

Këshilltarët nga BDI dhe Lëvizja Besa hodhën akuza të ndërsjella për nepotizëm ndaj institucioneve me të cilat udhëheqin kuadro nga këto dy parti.

Këshilltarët nga Lëvizja Besa theksuan se kandidati që propozohet për komandant është bashkëshort i deputetes së shumicës në kuvend nga BDI, Fisnike Bekteshi Shaqirit

Asnjë nga tre emrat e propozuar: Fisnik Shaqiri, Boban Simjanovski dhe Igor Nastovski nuk kaloi.

Me këtë, kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës udhëzoi administratën që të përgatis aktin dhe i njëjti të dorëzohet te Ministri i Punëve të Brendshme për procedurë të mëtejshme dhe i njëjti të përfshijë në akt edhe një nen me të cilin do të obligohet kryetari i komunës së Tetovës që në afat prej 30 ditëve të realizojë procedurën për zgjedhje të tre kandidatëve plotësues për zgjedhje të komandantit policor me kompetencë të përgjithshme Tetovë dhe t’i dorëzojë te Këshilli i Komunës së Tetovës për vendimmarrje.

Debati për këtë pikë është i qasshëm në videon e mëposhtme duke filluar nga minuta 48:00.

Ditë më parë nënkryetari i VMRO-së Aleksandar Nikollovski tha për Alsat se ministri i ri teknik i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, pozitën e kryeshefit të policisë në Tetovë do t’ia besojë opozitës shqiptare. Nikollovski, tha se Toshkovski do të kërkojë nga Bilall Kasami që të propozojë emrin e kryeshefit.

Kjo pikë nuk kaloi as në seancën e 26 të Këshillit të Komunës së Tetovës që u mbajt me 12 janar 2024. Këshilltarët e shumicës nuk e kaluan si pikë të rendit të ditës pra nuk dhanë pëlqim për kandatët: Ibrahim Ceka, Darko Ristovski, Zulfi Abduli, ndërsa këshilltarët e opozitës kritikuan.

Edhe atëherë, kryetari i Këshillit Komunal theksoi se ministri i Brendshëm Oliver Spasovski tenton të partizojë këtë institucion.

Nga Ministria e Brendshme aso kohe nuk u përgjigjën në pyetjet e Portalb.mk për këtë rast.

Përndryshe, raportet Komunë e Tetovës – SPB Tetovë nuk janë të mira. Këto dy institucione së fundmi janë përplasur me njëra tjetrën për disa çështje si ajo e komunikacionit dhe asistenca gjatë aktiviteteve të inspektoratit komunal.