Inspektorati Komunal vazhdoi me largimin e objekteve të uzurpuara në Tetovë pa ndihmën e policisë (VIDEO)

Në Tetovë vazhduan aktivitetet për largimin e objekteve pa leje në hapësirat publike në rrugën “Dimo Gavrovski Kara” të cilat shfrytëzoheshin për biznese të ndryshme. Por, aktiviteti i sotëm nxiti reagime mes Inspektoratit Komunal dhe Sektorit për Punë të Brendshme Tetovë. Nga SPB thanë që kanë qenë të zënë dhe nuk kanë mundur të ndihmojnë në terren gjatë kohës që intervenohej kurse Inspektorati tha se arsyetimi i tyre është absurd, shkruan Portalb.mk.

Shefi i Inspektoratit Komunal të Tetovës, Sedat Sulejmani theksoi se para dhjetë ditëve kanë kërkuar ndihmë nga policia në kuadër të aktiviteteve që i bëjnë për largimin e objekteve pa leje apo uzurpatorëve të hapësirave publike, dhe se policia ditën e premte iu ka dërguar letër se nuk do mund të asistojnë.

“Policia neve ditën e premte na dërgoi një letër në ora 15:50 që të mos kemi mundësi as t’u japim përgjigje, që nuk do të kenë mundësi të vijnë të na asistojnë edhe ajo që rasti të jetë edhe më absurd, domethënë arsyeja është se nuk kanë mundësi të vijnë të na asistojnë për arsye sigurie. A mund ta paramendoni, domethënë një institucion që është i obliguar që t’i sigurojë qytetarët, t’i sigurojë institucionet… ata nuk vijnë në aksion të një institucioni shumë të rëndësishëm siç është Komuna e Tetovës, për shkaqe sigurie”, tha Sulejmani.

Letra e SPB Tetovë drejtuar Komunës së Tetovës. Foto: Portalb.mk
Letra e SPB Tetovë drejtuar Komunës së Tetovës. Foto: Portalb.mk

Sulejmani, mes tjerash theksoi se pronarët e objekteve kanë pasur mirëkuptim dhe nuk ka pasur rezistencë.

Nga ana tjetër, SPB Tetovë thotë se janë të zënë me punë të tjera këtë periudhë dhe se për këtë kanë kërkuar nga Komuna që të shtyjë aksionin për dislokimin e objekteve.

“SPB Tetovë kategorikisht i hedh poshtë si të pavërteta dhe tendencioze akuzat e bëra nga Komuna e Tetovës në disa media se qëllimisht refuzon sot (25 dhjetor) dhe nesër (26 dhjetor) të ofrojë ndihmë për largimin e objekteve të përkohshme në zonën qendrore të qytetit, dhe për këtë ka paraqitur më parë kërkesë zyrtare me shkrim. Në takimin e mbajtur me përfaqësuesit e Komunës së Tetovës më 20 të këtij muaji, u është shpjeguar në mënyrë të detajuar se pse SPB Tetovë nuk është në gjendje t’u japë ndihmë dhe është kërkuar që aktivitetet e planifikuara të shtyhen për muajin e ardhshëm. Kjo për faktin se SPB Tetovë me kapacitet të plotë (burime njerëzore dhe teknike) aktualisht është e angazhuar në realizimin e disa aktiviteteve në sferën e sigurisë në fushën e komunikacionit, ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike e të tjera, ndër të tjera, si rezultat i rritjes së ndjeshme të numrit të njerëzve dhe automjeteve, veçanërisht pas ardhjes së një numri të madh nga jashtë”, tha Marijan Josifovski, zëdhënës i SPB Tetovë.

Ai theksoi se SPB Tetovë gjatë këtij viti ka ndihmuar Komunën e Tetovës në 11 aktivitete komunale.

Largimi i uzurpimeve në rrugën Dimo Gavrovski Kara në Tetovë (25.12.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk
Largimi i uzurpimeve në rrugën Dimo Gavrovski Kara në Tetovë (25.12.2023). Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Shefi i Inspektoratit theksoi se aksionet për lirimin e hapësirave do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme dhe se ka plotë objekte të tjera që duhet të dislokohen.

Në lidhje me vazhdimin e rrugës, apo hapjen nga rruga Dimo Gavrovski Kara për në Bulevardin “Iliria” ai tha se do të shihet pasi nuk varret vetëm nga Komuna por se duhet të bëhet elaborat edhe nga Policia e Komunikacionit nëse do të japë leje për hapjen e rrugës.

Përndryshe, kjo nuk është hera e parë që Komuna e Tetovës dhe SPB Tetovë kanë mosmarrëveshje mes tyre.

Kujtojmë që periudhën e fundit Inspektorati Komunal ka intensifikuar aktivitetet për largimin e objekteve pa leje në hapësirat publike në disa pjesë të qytetit.